strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU IX - Vepra penale kundër drejtësisë

  • Neni 300 - Moskallëzimi i krimit
  • Moskallëzimi në organet e ndjekjes penale, në gjykatë, në organet e rendit publik, të pushtetit ose të administratës, i një krimi që është duke u kryer apo që është kryer, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.
    Përjashtohen nga detyrimi për kallzim të paralindurit dhe të paslindurit, vëllezërit dhe motrat, bashkëshorti, adoptuesi dhe të adoptuarit, si edhe personat që janë të detyruar të ruajnë një sekret të njohur për shkak të detyrës apo profesionit.

  • Neni 301 - Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës
  • Kryerja e veprimeve për të ndryshuar vendin e kryerjes së veprës penale duke prishur, ndryshuar apo fshirë gjurmët e saj ose duke lëvizur, fshehur, asgjësuar, vjedhur, falsifikuar një send apo një dokument me qëllim për të vështirësuar dhe penguar zbulimin e veprës penale dhe të autorit të saj, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

  • Neni 302 - Përkrahja e autorit të krimit
  • (Shtuar paragrafi II me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 25;
    shtuar paragrafi II me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 28)

    Furnizimi i autorit të një krimi me ushqime, me mjete të tjera për jetesë ose sigurimi i një banese, vendqëndrimi ose me çdo mënyrë tjetër me qëllim që t’i shpëtojë kërkimit, kapjes ose arrestimit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.
    Po kjo vepër kur kryhet në lidhje me veprat penale, të parashikuara në nenet 73, 74, 75, 79, 219, 220, 221, 230, 230/a, 230/b, 231, 232,
    232/a, 234/a, 234/b, 284/a, 333 e 333/a të këtij Kodi, dënohet me burgim nga dy deri në shtatë vjet.
    Përjashtohen nga përgjegjësia penale të paralindurit dhe të paslindurit, vëllezërit dhe motrat, bashkëshorti, adoptuesit dhe të adoptuarit.

  • Neni 303 - Fshehja ose asgjësimi i kufomës
  • Fshehja ose asgjësimi i kufomës së një personi, viktimë e vrasjes apo të veprave të tjera të dhunshme, e bërë me qëllim për të ndihmuar autorin e krimit që t’i shpëtojë kërkimit, kapjes dhe arrestimit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

  • Neni 304 - Detyrimi për të kallzuar provën
  • Mosparaqitja menjëherë për të kallzuar ose dëshmuar para organeve të prokurorisë, gjykatës apo organeve të rendit, për provën e njohur që e bën të pafajshëm një person tjetër që akuzohet ose është dënuar për një vepër penale, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.
    Përjashtohen nga detyrimi për kallzim autori i veprës penale, si dhe personat që vijnë në dijeni të provës për shkak të detyrës apo profesionit dhe janë të detyruar të mos kallzojnë e dëshmojnë për të.

  • Neni 305 - Kallzimi i rremë
  • Kallzimi për kryerjen e një krimi që dihet se nuk është kryer ose për kryerjen e një krimi nga një person që dihet se nuk e ka kryer atë, si edhe, krijimi i provave të rreme me qëllim që të bëhen ndjekje penale, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

  • Neni 305/a - Deklaratat e rreme përpara prokurorit
  • (Shtuar me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 29)

    Kushdo që, gjatë hetimeve apo procedimeve penale, i pyetur nga një prokuror që të japë informacionin e duhur lidhur me hetimin, jep të dhëna, me gojë ose me shkrim, që ai e di se janë, tërësisht ose pjesërisht, të rreme apo fsheh fakte ose prova, dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit.
    Dispozitat e këtij neni nuk janë të zbatueshme në rast se akti është kryer në çdo fazë të procedimit penal nga një person i dyshuar ose i pandehur për veprën penale ose nga dikush, që duhej të ishte përjashtuar nga kërkesa për informacion apo për të dëshmuar, për çdo arsye të ligjshme, ose që nuk ishte paralajmëruar për të drejtën për të mos dëshmuar apo për t’iu përgjigjur pyetjeve.

  • Neni 305/b - Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore
  • (Shtuar me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 29)

    Kushdo që, gjatë hetimit, i pyetur nga një oficer i policisë gjyqësore që të japë informacionin e duhur, jep të dhëna, me gojë ose me shkrim, që ai i di se janë, tërësisht ose pjesërisht, të rreme apo fsheh fakte ose prova, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj.
    Dispozitat e këtij neni nuk janë të zbatueshme në rast se akti është kryer në çdo fazë të procedimit penal nga një person i dyshuar ose i pandehur për veprën penale ose nga dikush, që duhej të ishte përjashtuar nga kërkesa për informacion apo për të dëshmuar, për çdo arsye të ligjshme, ose që nuk ishte paralajmëruar për të drejtën për të mos dëshmuar apo për t’iu përgjigjur pyetjeve.

  • Neni 306 - Dëshmia e rreme
  • (Ndryshuar paragrafi II me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 75;
    shtuar paragrafi III me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 26;
    ndryshuar paragrafi III me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 30)

    Dëshmia e rreme e bërë përpara gjykatës përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.
    Kur dëshmia e rreme bëhet me qëllim fitimi apo çdo interes tjetër të dhënë apo të premtuar, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.
    Po kjo vepër kur kryhet në lidhje me veprat penale të parashikuara në nenet 234/a, 234/b, 284/a 333 e 333/a të këtij Kodi, dënohet me burgim nga dy deri në gjashtë vjet.

  • Neni 307 - Refuzimi për të dëshmuar
  • (Ndryshuar paragrafi II, shtuar paragrafi i fundit me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 31)

    Refuzimi për t’iu përgjigjur pyetjeve rreth dijenisë për kryerjen e një vepre penale apo të autorit të saj, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.
    Kur refuzimi për të dëshmuar bëhet me qëllim fitimi apo çdo interes tjetër të dhënë apo të premtuar, dënohet me burgim nga një deri në katër vjet.
    Dispozitat e këtij neni nuk janë të zbatueshme në rast se akti është kryer në çdo fazë të procedimit penal nga një person i dyshuar ose i pandehur për veprën penale ose nga dikush, që duhej të ishte përjashtuar nga kërkesa për informacion apo për të dëshmuar, për çdo arsye të ligjshme, ose që nuk ishte paralajmëruar për të drejtën për të mos dëshmuar apo për t’iu përgjigjur pyetjeve.

  • Neni 308 - Përkthimi i rremë
  • Shtrembërimi me dashje i përmbajtjes së një dokumenti apo shkrimi të dhënë për përkthim nga organet e ndjekjes penale apo gjykata ose përkthimi i rremë përpara tyre, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.
    Kur përkthimi i rremë bëhet me qëllim fitimi apo çdo interes tjetër të dhënë apo të premtuar, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

  • Neni 309 - Ekspertimi i rremë
  • Dhënia me dashje e rezultateve të rreme në raportet e ekspertimit të bëra me shkrim apo me gojë përpara organeve të ndjekjes penale ose gjykatës, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.
    Kur ekspertimi i rremë bëhet me qëllim fitimi apo çdo interes tjetër të dhënë apo të premtuar, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

  • Neni 310 - Mosparaqitja e dëshmitarit, ekspertit apo përkthyesit
  • Mosparaqitja e dëshmitarit, ekspertit apo përkthyesit, pa shkaqe të arsyeshme ose mospranimi prej tyre për të kryer detyrat e caktuara nga organi i ndjekjes penale ose gjykata, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj.

  • Neni 311 - Kanosja për të mos kallzuar
  • (Ndryshuar me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 32)

    Kanosja, që i bëhet të dëmtuarit nga vepra penale, me qëllim që të mos kallëzojë, të ankohet apo të tërheqë kallëzimin ose ankimin e bërë, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga një deri në katër vjet.

  • Neni 312 - Korrupsioni aktiv i dëshmitarit, i ekspertit ose përkthyesit
  • (Ndryshuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 27)

    Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt, për vete ose për persona të tretë, dëshmitarit, ekspertit ose përkthyesit, për të siguruar deklarime ose dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë ose për të refuzuar kryerjen e detyrimeve të tyre përpara organeve të ndjekjes penale dhe gjykatës, dënohen me burgim deri në katër vjet dhe me gjobë nga pesëqind mijë deri në dy milionë lekë.

  • Neni 312/a - Kanosja për deklarime a dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë
  • (Shtuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 28;
    ndryshuar me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 33)

    Kanosja ose vepra të tjera dhune, që i bëhen personit për të siguruar deklarime a dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë ose për të refuzuar kryerjen e detyrave të tyre përpara organeve të ndjekjes penale dhe gjykatës dënohet me burgim nga një deri në katër vjet.

  • Neni 313 - Fillimi i paligjshëm i ndjekjes penale
  • Fillimi i paligjshëm i ndjekjes penale nga prokurori kundër një personi që dihet se është i pafajshëm dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

  • Neni 313/a - Zhdukja ose humbja e fashikullit
  • (Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 77)

    Zhdukja ose humbja me çdo mënyrë e fashikullit të hetimit ose të gjykimit, si dhe heqja prej tyre e dokumenteve, shkresave ose të dhënave të tjera që ndodhen të bashkuara me to, kur ka sjellë pasoja të rënda në dëm të interesave të shtetasve ose të shtetit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

  • Neni 313/b - Ndalimi i dhënies dhe i shpalljes së të dhënave në kundërshtim me ligjin
  • (Shtuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 29)

    1. Bërja publike, edhe në organe të medias, në kundërshtim me ligjin e të dhënave me karakter të klasifikuar dhe konfidencial, që rrezikojnë jetën, integritetin fizik ose lirinë e personave të mbrojtur, sipas ligjit nr.9205, datë 15.3.2004 “Për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe të bashkëpunëtorëve të drejtësisë”, përbën vepër penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet dhe, kur nga kryerja e kësaj vepre kanë ardhur pasoja të rënda për shëndetin e tyre, me burgim nga 6 muaj deri në tre vjet.

    2. Kur kjo vepër kryhet nga njëri prej personave që kanë përgjegjësinë për të ruajtur karakterin e klasifikuar dhe konfidencial të të dhënave, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet dhe, kur nga kryerja e kësaj vepre kanë ardhur pasoja të rënda për shëndetin e tyre, me burgim nga dy deri në pesë vjet.

    3. Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.

  • Neni 314 - Përdorimi i dhunës gjatë hetimeve
  • Përdorimi i dhunës nga personi i ngarkuar me zhvillimin e hetimeve për ta detyruar shtetasin të bëjë deklaratë, të dëshmojë ose të pohojë pafajësinë e tij a të një tjetri, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet.

  • Neni 315 - Dhënia e një vendimi të padrejtë - (shfuqizuar)
  • (Shfuqizuar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr.11, datë 2.4.2008)

  • Neni 316 - Kundërshtimi dhe goditja e gjyqtarit
  • Kundërshtimi me dhunë, goditjet dhe vepra të tjera dhune që i bëhen gjyqtarit apo anëtarëve të trupit gjykues, prokurorit, avokatit, ekspertëve, çdo arbitri të caktuar për një çështje, për ta penguar në kryerjen e detyrës apo për shkak të saj, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në shtatë vjet.

  • Neni 317 - Kanosja e gjyqtarit
  • Kanosja që i bëhet gjyqtarit apo anëtarëve të trupit gjykues, prokurorit, avokatit ose çdo arbitri të caktuar për një çështje për shkak të veprimtarisë së tyre, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

  • Neni 318 - Fyerja e gjyqtarit
  • Fyerja e gjyqtarit apo anëtarëve të trupit gjykues, prokurorit, avokatit ose çdo arbitri të caktuar për një çështje për shkak të veprimtarisë së tyre, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

  • Neni 319 - Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë
  • (Ndryshuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 30)

    Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt, për vete ose për persona të tjerë, gjyqtarit, prokurorit ose çdo punonjësi tjetër të organeve të drejtësisë, për të kryer ose mos kryer një veprim, që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohen me burgim nga një vit deri në katër vjet dhe me gjobë nga katërqind mijë deri në dy milionë lekë.

  • Neni 319/a - Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë
  • (Shtuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 31)

    Kërkimi ose marrja, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt ose i një premtimi të tillë, për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte a premtimi, që vjen nga përfitimi i parregullt, nga gjyqtari, prokurori ose funksionarë të tjerë të organeve të drejtësisë, për të kryer ose mos kryer një veprim që lidhet me detyrën e funksionin e tij, dënohen me burgim nga tre deri në dhjetë vjet dhe me gjobë nga tetëqind mijë deri në katër milionë lekë.

  • Neni 320 - Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës
  • Fshehja, tjetërsimi, konsumimi, dëmtimi apo shkatërrimi i sendeve për të cilat është marrë një vendim prej gjykatës, ose kryerja e veprimeve të tjera të bëra me qëllim që të mos ekzekutohet ose të pengohet ekzekutimi i vendimit gjyqësor, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

  • Neni 320/a - Mosekzekutimi pa shkaqe të përligjura i vendimit të gjykatës
  • (Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 78)

    Mosekzekutimi pa shkaqe të përligjura i një vendimi penal ose civil të gjykatës, nga punonjësi i ngarkuar me ekzekutimin e vendimeve, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.
    Kur kjo vepër kryhet me qëllim fitimi ose çdo interes tjetër të dhënë ose të premtuar, si dhe për të favorizuar persona që kanë interes për mosekzekutimin e vendimit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

  • Neni 321 - Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës
  • Kryerja e veprimeve në kundërshtim me vendimin e gjykatës në lidhje me detyrimet e lindura nga dënimet plotësuese të dhëna prej saj, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

  • Neni 322 - Prishja e vulave dhe shenjave
  • Prishja me dashje e vulave dhe shenjave të tjera të vendosura mbi sende të ndryshme nga organet e ndjekjes penale dhe gjyqësore, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj.

  • Neni 323 - Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit
  • Largimi i të ndaluarit, arrestuarit apo të dënuarit me burgim nga vendi i qëndrimit të detyrueshëm ose gjatë transportimit të tij nga një vend në tjetrin, dënohet me burgim gjer në pesë vjet.
    Kur vepra penale kryhet me dhunë ose me përdorim të armëve, substancave zjarrvënëse, eksplozive dhe helmuese dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

  • Neni 324 - Dhënia ndihmë një të burgosuri për largim
  • Dhënia e këshillave, informatave, mjeteve, të ndaluarit, të arrestuarit apo të burgosurit, me qëllim për t’u larguar nga vendi i qëndrimit të detyruar, dënohet me burgim gjer në tre vjet.
    Kur dhënia ndihmë bëhet nga i ngarkuari me ruajtjen, mbikqyrjen apo transportimin, ose që për shkak të funksionit ka të drejtë të hyjë në institucione burgimi apo të ketë lidhje me të ndaluar, arrestuar apo të burgosur, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.