Neni 313/b - Ndalimi i dhënies dhe i shpalljes së të dhënave në kundërshtim me ligjin

(Shtuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 29)

1. Bërja publike, edhe në organe të medias, në kundërshtim me ligjin e të dhënave me karakter të klasifikuar dhe konfidencial, që rrezikojnë jetën, integritetin fizik ose lirinë e personave të mbrojtur, sipas ligjit nr.9205, datë 15.3.2004 “Për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe të bashkëpunëtorëve të drejtësisë”, përbën vepër penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet dhe, kur nga kryerja e kësaj vepre kanë ardhur pasoja të rënda për shëndetin e tyre, me burgim nga 6 muaj deri në tre vjet.

2. Kur kjo vepër kryhet nga njëri prej personave që kanë përgjegjësinë për të ruajtur karakterin e klasifikuar dhe konfidencial të të dhënave, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet dhe, kur nga kryerja e kësaj vepre kanë ardhur pasoja të rënda për shëndetin e tyre, me burgim nga dy deri në pesë vjet.

3. Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.