SEKSIONI I - Krime kundër pavarësisë dhe integritetit

  • Neni 208 - Dorëzimi i territorit
  • (Ndryshuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001, neni 79)

    Dorëzimi plotësisht apo pjesërisht i territorit një shteti apo fuqie të huaj, me qëllim për të cenuar pavarësinë dhe integritetin e vendit, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.

  • Neni 209 - Dorëzimi i forcave të armatosura
  • (Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 79)

    Dorëzimi plotësisht apo pjesërisht i forcave të armatosura apo materialeve mbrojtëse ose furnizimi me armë e municion i një shteti apo fuqie të huaj, me qëllim për të cenuar pavarësinë dhe integritetin e vendit, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.

  • Neni 210 - Marrëveshja për dorëzim territori
  • Marrëveshja e bërë me fuqi apo shtete të huaja për dorëzim pjesërisht ose tërësisht të territorit apo të forcave të armatosura e materialeve mbrojtëse, me qëllim për të cenuar integritetin e vendit, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.

  • Neni 211 - Provokimi i luftës
  • Kryerja e veprimeve që synojnë të provokojnë luftë apo të vënë Republikën e Shqipërisë përpara rrezikut të ndërhyrjes nga fuqi të huaja, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet.

  • Neni 212 - Marrëveshja për ndërhyrje të armatosur
  • Marrëveshja e bërë me fuqi apo shtete të huaja për të shkaktuar ndërhyrje të armatosur kundër territorit të Republikës së Shqipërisë, dënohet me burgim nga dhjetë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

  • Neni 213 - Dhënia e informatave sekrete
  • Dhënia e informatave sekrete me karakter ushtarak apo të çdo lloji tjetër një fuqie të huaj për të cenuar pavarësinë e vendit, dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.

  • Neni 214 - Sigurimi i informatave
  • Sigurimi i informatave sekrete me karakter ushtarak apo të çdo lloji tjetër, me qëllim që t’i jepen një fuqie të huaj, për të cenuar pavarësinë e vendit, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet.

  • Neni 215 - Dëmtimi i objekteve mbrojtëse
  • Shkatërrimi apo dëmtimi i mjeteve, pajisjeve, aparaturave, armatimit, teknikës luftarake apo objekteve mbrojtëse ushtarake, me qëllim uljen e aftësisë mbrojtëse të vendit, dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

  • Neni 216 - Sigurimi i mjeteve për shkatërrimin e teknikës luftarake
  • Prodhimi apo mbajtja e mjeteve për të shkatërruar ose dëmtuar pajisjet, aparaturat, armatimin, mjetet e teknikës luftarake apo objektet mbrojtëse ushtarake, me qëllim uljen e aftësisë mbrojtëse të vendit, dënohet me burgim gjer në dhjetë vjet.

  • Neni 217 - Marrja e shpërblimeve
  • Marrja apo marrëveshja për të marrë shpërblim apo përfitime të tjera materiale, për të kryer në favor të shteteve apo fuqive të huaja një nga krimet e parashikuara në këtë seksion, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.

  • Neni 218 - Vënia në shërbim të shteteve të huaja
  • Vënia në shërbim të një shteti apo një fuqie të huaj të çdo shtetasi shqiptar, me qëllim kryerjen e veprave kundër pavarësisë dhe integritetit të Republikës së Shqipërisë, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet.