SEKSIONI I - Vepra penale kundër veprimtarisë shtetërore të kryera nga shtetasit

  • Neni 235 - Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik
  • (Ndryshuar paragrafi II me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 54)

    Kundërshtimi që i bëhet një punonjësi që kryen një detyrë shtetërore apo një shërbim publik, me qëllim për ta penguar atë për të kryer detyrën apo shërbimin sipas ligjit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj.
    Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose duke ushtruar dhunë fizike ose më shumë se një herë, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

  • Neni 236 - Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik
  • (Ndryshuar paragrafi i II me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 55;
    ndryshuar paragrafi i dytë me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 20)

    Kundërshtimi që i bëhet punonjësit të policisë së rendit publik, me qëllim për ta penguar atë për të kryer detyrën sipas ligjit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.
    Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose duke ushtruar dhunë fizike ose më shumë se një herë, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në shtatë vjet.

  • Neni 237 - Goditjet për shkak të detyrës
  • Goditjet ose vepra të tjera dhune që i bëhen punonjësit që kryen një detyrë shtetërore apo një shërbim publik, për shkak të veprimtarisë së tij shtetërore apo të shërbimit, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

  • Neni 238 - Kanosja për shkak të detyrës
  • Kanosja serioze për vrasje apo për plagosje të rëndë, që i bëhet punonjësit që kryen një detyrë shtetërore apo një shërbim publik, për shkak
    të veprimtarisë së tij shtetërore ose të shërbimit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

  • Neni 239 - Fyerja për shkak të detyrës
  • (Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 56)

    Fyerja e qëllimshme që i bëhet punonjësit që kryen një detyrë shtetërore apo një shërbim publik, për shkak të veprimtarisë së tij shtetërore ose të shërbimit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.
    Po kjo vepër, kur kryhet botërisht ose në dëm të disa personave ose më shumë se një herë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

  • Neni 240 - Shpifja për shkak të detyrës
  • (Ndryshuar paragrafi II me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 57)

    Shpifja e qëllimshme që i bëhet punonjësit që kryen një detyrë shtetërore apo një shërbim publik për shkak të veprimtarisë së tij shtetërore ose të shërbimit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.
    Po kjo vepër, kur kryhet botërisht ose në dëm të disa personave ose më shumë se një herë, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

  • Neni 241 - Shpifja ndaj Presidentit të Republikës
  • Shpifja e qëllimshme ndaj Presidentit të Republikës dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

  • Neni 242 - Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik
  • Mosbindja ndaj urdhrave të ligjshme të punonjësit të policisë së rendit publik përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj.

  • Neni 243 - Goditjet ndaj pjesëtarëve të familjes së personit që kryen një detyrë shtetërore
  • Goditjet ose vepra të tjera dhune që i bëhen pjesëtarit të familjes së një personi që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik, për të penguar në kryerjen e detyrës apo të shërbimit ose për shkak të kësaj veprimtarie, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

  • Neni 244 - Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike
  • (Ndryshuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 18)

    Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt, personit që ushtron funksionin publik, për vete ose për persona të tjerë për të kryer ose mos kryer një veprim, që lidhet me detyrën ose funksionin e tij, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet dhe me gjobë nga treqind mijë deri në një milion lekë.

  • Neni 245 - Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë
  • (Ndryshuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 19)

    Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt, funksionarëve të lartë shtetërorë ose të të zgjedhurve vendorë, për vete ose për persona të tjerë për të kryer ose mos kryer një veprim, që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohen me burgim nga një deri në pesë vjet dhe me gjobë nga pesëqind mijë deri në dy milionë lekë.

  • Neni 245/1 - Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike
  • (Shtuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 20)

    Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt, për vete ose për persona të tjerë, personit që premton ose siguron se është në gjendje të ushtrojë ndikim të paligjshëm në kryerjen e detyrës dhe marrjen e vendimeve nga personat që ushtrojnë funksione publike, shqiptarë ose të huaj, pavarësisht nëse është realizuar ushtrimi i ndikimit ose kanë ardhur apo jo pasojat e dëshiruara, përbëjnë vepër penale dhe dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në dy vjet dhe me gjobë nga treqind mijë deri në një milion lekë.
    Kërkimi, marrja ose pranimi, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt, për veten e tij ose për persona të tjerë, duke premtuar ose siguruar aftësinë për të ushtruar ndikim të paligjshëm në kryerjen e detyrës nga persona që ushtrojnë funksione publike, shqiptarë ose të huaj, pavarësisht nëse është kryer ushtrimi i ndikimit ose kanë ardhur apo jo pasojat e dëshiruara, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet dhe me gjobë nga pesëqind mijë deri në dy milionë lekë.

  • Neni 245/2 - Përjashtimi nga vuajtja e dënimit
  • (Shtuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 20)

    Personi, që ka premtuar ose ka dhënë shpërblim ose përfitime të tjera, sipas neneve 164/1, 244, 245, 312, 319 dhe 328 të këtij Kodi, mund të përfitojë përjashtim nga dënimi ose ulje të tij, sipas rregullave të parashikuara në nenin 28 të këtij Kodi, nëse bën kallëzim dhe jep ndihmesë në procedimin penal të këtyre veprave.
    Në dhënien e vendimit, gjykata mban parasysh edhe kohën kur është bërë kallëzimi, ardhjen ose jo të pasojave të veprës.

  • Neni 246 - Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore
  • Përvetësimi i një titulli apo detyre shtetërore i shoqëruar me kryerjen e veprimeve që i takojnë mbajtësit të titullit apo të detyrës, përbën kundërvajtje penale dhë dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.
    Kur vepra kryhet me qëllim fitimi apo ka prekur lirinë, dinjitetin apo të drejta të tjera themelore të shtetasit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

  • Neni 247 - Mbajtja pa të drejtë e uniformës
  • Mbajtja pa të drejtë e uniformës, e një dokumenti ose e një shenje dalluese, që tregojnë cilësinë e një punonjësi që kryen një detyrë shtetërore apo një shërbim publik, shoqëruar me veprime të paligjshme, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer
    në dy vjet.
    Kur vepra kryhet me qëllim fitimi ose ka prekur lirinë, dinjitetin apo të drejta të tjera themelore të shtetasit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.