strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

SEKSIONI II - Vepra penale kundër veprimtarisë shtëtërore të kryera nga punonjësit shtetërorë ose në shërbim publik

  • Neni 248 - Shpërdorimi i detyrës
  • (Ndryshuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 21;
    ndryshuar me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 21)

    Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga treqind mijë deri në një milion lekë.

  • Neni 249 - Kryerja e funksionit pas dhënies fund të tij
  • Vazhdimi i ushtrimit të funksionit shtetëror apo të shërbimit publik nga ana e personit që është vënë në dijeni të vendimit apo rrethanës që u ka dhënë fund ushtrimit të tyre, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

  • Neni 250 - Kryerja e veprimeve arbitrare
  • Kryerja e veprimeve ose dhënia e urdhrave arbitrare, nga ana e punonjësit që kryen një funksion shtetëror ose një shërbim publik gjatë ushtrimit të detyrës së tij, të cilat prekin lirinë e shtetasve, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në shtatë vjet.

  • Neni 251 - Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme
  • Mosmarrja e masave ose moskërkimi pranë personit kompetent, që të ndërpritet gjendja e paligjshmërisë si rezultat i një veprimi arbitrar, që ka prekur lirinë e shtetasit, nga ana e personit të ngarkuar me një funksion shtetëror ose në shërbim publik, që vjen në dijeni të asaj gjendjeje për shkak të funksionit apo shërbimit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

  • Neni 252 - Mbajtja në burg pa vendim
  • Mbajtja në burg, pa vendim të organit kompetent ose tej afatit të caktuar në vendim apo në ligj, prej personit të ngarkuar me detyrën e administratorit të burgut, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

  • Neni 253 - Shkelja e barazisë së shtetasve
  • Kryerja për shkak të detyrës e në ushtrim të saj, nga ana e punonjësit me funksion shtetëror apo në shërbim publik, të dallimeve mbi bazë origjine, seksi, gjendjes shëndetësore, bindjeve fetare, politike, të veprimtarisë sindikale ose për shkak të përkatësisë në një etni, komb, racë apo fe të caktuar, që konsiston në krijimin e privilegjeve të padrejta ose në refuzimin e një të drejte ose përfitimi që buron nga ligji, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

  • Neni 254 - Shkelja e paprekshmërisë së banesës
  • Hyrja në banesë, pa pëlqimin e personit që banon në të, prej punonjësit të ngarkuar me një funksion shtetëror apo në shërbim publik gjatë ushtrimit të detyrës së tij, veç rasteve kur lejohet nga ligji, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

  • Neni 255 - Pengimi dhe shkelja e fshehtësisë së korrespondencës
  • Dhënia e urdhërave ose kryerja e veprimeve për asgjësimin, leximin dhe përhapjen e korrespondencës postare ose që prish, vështirëson, vë nën kontroll ose përgjon korrespondencën telefonike apo të çdo mjeti tjetër të komunikimit, nga ana e punonjësit të ngarkuar me funksion shtetëror ose në shërbim publik e në ushtrim të tyre, veç rasteve kur lejohet nga ligji, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

  • Neni 256 - Shpërdorimi i kontributeve të dhëna nga shteti
  • Shpërdorimi i kontributeve, subvencioneve ose financimeve të dhëna nga shteti ose institucione shtetërore, për t’u përdorur në vepra dhe veprimtari me interes publik, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

  • Neni 257 - Përfitimi i paligjshëm i interesave
  • Mbajtja, ruajtja ose marrja e drejtëpërdrejtë ose e tërthortë, nga persona me funksione shtetërore apo shërbim publik, i një interesi të çfarëdoshëm në një ndërmarrje ose operacion, në të cilat në momentin e kryerjes së veprimit ka pasur detyrën e mbikqyrjes, administrimit ose likuidimit, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në katër vjet.

  • Neni 257/a - Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë
  • (Shtuar me ligjin nr.9030, datë 13.3.2003, neni 1;
    ndryshuar paragrafi i dytë me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 22)

    Refuzimi për deklarimin ose mosdeklarimi i pasurisë së personave të zgjedhur ose nëpunësve publikë sipas ligjit, kur më parë janë marrë masa administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në 6 muaj.
    Fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.

  • Neni 258 - Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike
  • Kryerja nga personi i ngarkuar me funksione shtetërore apo në shërbim publik i veprimeve në kundërshtim me ligjet që rregullojnë lirinë e pjesëmarrjes dhe barazinë e shtetasve në tendera dhe ankande publike, për të krijuar avantazhe ose privilegje të padrejta për të tretët, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

  • Neni 259 - Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike
  • (Ndryshuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 22)

    Kërkimi ose marrja, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt ose i një premtimi të tillë, për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte a premtimi që vjen nga përfitimi i parregullt, nga personi që ushtron funksione publike, për të kryer ose mos kryer një veprim, që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohet me burgim nga dy deri në tetë vjet dhe me gjobë nga pesëqind mijë deri në tre milionë lekë.

  • Neni 260 - Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë
  • (Ndryshuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 23)

    Kërkimi ose marrja, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt apo i një premtimi të tillë, për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte a premtimi që vjen nga përfitimi i parregullt, nga funksionari i lartë shtetëror ose i zgjedhuri vendor, për të kryer ose mos kryer një veprim që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohet me burgim nga katër deri në dymbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga një milion deri në pesë milionë lekë.