strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

SEKSIONI III - Vepra penale kundër rendit dhe sigurisë publike

  • Neni 261 - Pengimi në ushtrimin e të drejtës për t’u shprehur, grumbulluar apo manifestuar
  • Kryerja e veprimeve për të penguar sh tetasit për të ushtruar lirinë e shprehjes së mendimit, të grumbullimit apo manifestimit, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj. Kur veprimet shoqërohen me përdorimin e dhunës fizike, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

  • Neni 262 - Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme
  • (Shtuar paragrafi III me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 59)

    Organizimi i grumbullimeve dhe i manifestimeve të personave në sheshe dhe vende të kalimit publik, pa marrë më parë lejen nga organi kompetent sipas dispozitave të veçanta apo kur nga organizatorët shkelen kushtet e parashtruara në kërkesën për dhënie të lejes, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.
    Pjesëmarrja në një grumbullim apo manifestim të paligjshëm edhe pas paralajmërimit të bërë për shpërndarje, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj.
    Po kjo vepër, e kryer më shumë se një herë ose kur ka sjellë pasoja të rënda, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

  • Neni 263 - Organizimi i grumbullimeve dhe manifestimeve të paligjshme me pjesëmarrje të personave të armatosur
  • Organizimi i grumbullimeve dhe manifestimeve të paligjshme me pjesëmarrje të personave të armatosur dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.
    Pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme e personave të armatosur përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

  • Neni 264 - Detyrimi për të marrë pjesë ose jo në grevë
  • Detyrimi i punonjësit që kundër vullnetit të marrë apo të mos marrë pjesë në grevë ose krijimi i pengesave dhe vështirësive për të vazhduar punën kur punonjësi dëshiron të punojë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj.

  • Neni 265 - Nxitja e urrejtjes ose grindjeve ndërmjet kombësive, racave dhe feve
  • Nxitja e urrejtjes dhe e grindjeve raciale, nacionale ose fetare, si dhe përgatitja, përhapja ose ruajtja me qëllim përhapjeje e shkrimeve me përmbajtje të tillë, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet.

  • Neni 266 - Thirrja për urrejtje nacionale
  • Vënia në rrezik e paqes publike duke bërë thirrje për urrejtje kundër pjesëve të popullsisë, duke i fyer ose shpifur për to, duke kërkuar përdorimin e dhunës ose të veprimeve arbitrare kundër tyre, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

  • Neni 267 - Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik
  • Përhapja e informatave apo njoftimeve të rreme, me fjalë, me shkrim apo me çdo mënyrë tjetër, me qëllim që të ngjallë një gjendje pasigurie dhe paniku te njerëzit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

  • Neni 268 - Poshtërimi i Republikës dhe i simboleve të saj
  • Poshtërimi, botërisht ose nëpërmjet botimeve apo shpërndarjes së shkrimeve, i Republikës së Shqipërisë dhe rendit kushtetues, i flamurit, i stemës, i himnit kombëtar, i dëshmorëve të kombit ose heqja, dëmtimi, prishja, bërja e padallueshme apo e papërdorshme e flamurit apo stemës së Republikës të Shqipërisë të ekspozuara nga institucionet zyrtare, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

  • Neni 269 - Pengimi me dhunë i veprimtarisë së partive politike
  • Pengimi me dhunë i veprimtarisë së ligjshme të partive, organizatave apo shoqatave politike përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

  • Neni 270 - Rebelimi i të burgosurve
  • Përdorimi i dhunës, nga ana e të burgosurve ndaj punonjësit që kryen një detyrë shtetërore apo në shërbim publik, që bëhet për ta penguar në ushtrimin e detyrës apo të shërbimit ose për shkak të veprimtarisë, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.
    Kur dhuna ushtrohet nga një grup personash ose shoqërohet me trazira e çrregullime apo me kërcënime e frikësime, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet.

  • Neni 271 - Disinformimi i ekipeve të urgjencës
  • Disinformimi me dashje i ekipeve të urgjencës për të prishur gatishmërinë e tyre, e bërë me çdo mjet lajmërimi e thirrjeje, përbën
    kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

  • Neni 272 - Njoftimi i rremë në organet e rendit
  • Njoftimi i rremë i bërë në organet e rendit, për kryerjen e një vepre penale, për t’i vënë ato në gjendje gatishmërie dhe alarmi, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

  • Neni 273 - Largimi nga vendi i aksidentit
  • Largimi nga vendi i aksidentit, i drejtuesit të automjetit apo të çdo mjeti të motorizuar, për t’u shmangur nga përgjegjësia penale, civile apo administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

  • Neni 274 - Prishja e qetësisë publike
  • Hedhja e gurëve apo sendeve të tjera në banesën e shtetasit, krijimi i zhurmave shqetësuese si, me anë të shkrepjes së armëve apo plasjeve të ndryshme, të përdorimit jashtë rregullave të sirenave të automjeteve, apo çdo lloj tjetër sjelljeje të papëlqyeshme, në rrugë, sheshe e vende publike, që cenojnë dukshëm qetësinë e moralin apo tregon mospërfillje të hapët për mjedisin, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

  • Neni 275 - Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike
  • Thirrjet telefonike keqdashëse që bëhen me qëllim për të prishur qetësinë e tjetrit, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

  • Neni 276 - Përdorimi pa të drejtë i emblemës së Kryqit të Kuq
  • Përdorimi pa të drejtë i emblemës së Kryqit të Kuq ose Gjysëm Hënës së Kuqe, kur ka sjellë pasoja të rënda materiale, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.
    Kur nga vepra penale ka ndodhur vdekja apo dëmtimi i rëndë i shëndetit të njerëzve, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet.

  • Neni 277 - Vetëgjyqësia
  • Ushtrimi i një të drejte prej personit që i përket ose që kujton se i përket dhe që nuk njihet nga tjetri pa iu drejtuar organit kompetent shtetëror, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj.

  • Neni 278 - Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit
  • (Shtuar paragrafi I dhe II me ligjin nr.8279, datë 15.1.1998, neni 2;
    ndryshuar paragrafi I, II dhe III, si dhe shtuar paragrafi IV me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 60)

    Prodhimi i armëve dhe i municionit luftarak, i bombave apo minave, lëndëve plasëse pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.
    Mbajtja e armëve, bombave apo minave, lëndëve plasëse pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohen me gjobë ose me burgim deri në shtatë vjet.
    Mbajtja e municionit luftarak pa leje të organeve kompetente shtetërore, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.
    Kur vepra kryhet në sasira të mëdha në bashkëpunim, më shumë se një herë ose ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

  • Neni 278/a - Trafikimi i armëve dhe i municionit
  • (Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 61)

    Importimi, eksportimi, tranzitimi dhe tregtimi, në kundërshtim me ligjin, i armëve dhe municionit luftarak, me qëllim fitimi material ose çdo përfitim tjetër, dënohet me burgim nga shtatë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.
    Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë ose sjell pasoja të rënda, dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.

  • Neni 279 - Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta
  • Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja e armëve të ftohta pa leje të organeve kompetente, si shpatat, bajonetat, thikat dhe mjete të tjera të përgatitura e të destinuara posaçërisht për sulm kundër personave ose për vetëmbrojtje, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

  • Neni 280 - Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive
  • Prodhimi, mbajtja, shitja ose blerja e armëve të gjuetisë ose sportive, si dhe e municioneve të tyre, pa leje të organeve kompetente shtetërore, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

  • Neni 281 - Shkelja e rregullave mbi lëndët helmuese
  • Shkelja e rregullave të caktuara për mbajtjen, prodhimin, përdorimin, ruajtjen, transportimin dhe shitjen e lëndëve helmuese me efekt të fortë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.
    Kur nga vepra penale ka ndodhur vdekja apo dëmtimi i rëndë i shëndetit të njerëzve ose kanë ardhur pasoja të rënda materiale, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet.

  • Neni 282 - Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive
  • Shkelja e rregullave të caktuara për mbajtjen, prodhimin, përdorimin, ruajtjen, transportimin dhe shitjen e lëndëve plasëse, djegëse apo radioaktive, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.
    Kur nga vepra penale ka ndodhur vdekja apo dëmtimi i rëndë i shëndetit të njerëzve ose kanë ardhur pasoja të rënda materiale, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet.

  • Neni 282/a - Trafikimi i lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive
  • (Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 62)

    Importimi, eksportimi, tranzitimi dhe tregtimi, në kundërshtim me ligjin i lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive, me qëllim fitimi material ose çdo përfitim tjetër, dënohet me burgim nga shtatë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.
    Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë ose sjell pasoja të rënda, dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.

  • Neni 282/b - Stërvitja për prodhimin dhe përdorimin e paligjshëm të armëve e lëndëve të tjera të rrezikshme
  • (Shtuar me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 23)

    Përgatitja, stërvitja dhe dhënia e udhëzimeve, në çdo formë, edhe në mënyrë anonime apo në rrugë elektronike, në kundërshtim me ligjin, për prodhimin ose përdorimin e lëndëve eksplozive, të armëve të zjarrit dhe municioneve luftarake, të armëve të tjera dhe lëndëve kimike, bakteriologjike, bërthamore apo të çdo natyre tjetër, të dëmshme dhe të rrezikshme për njerëzit dhe pasurinë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohen me burgim nga dy deri në shtatë vjet.

  • Neni 283 - Prodhimi dhe shitja e narkotikëve
  • (Ndryshuar paragrafi I, shtuar paragrafi II me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 63)

    Shitja, ofrimi për shitje, dhënia ose marrja në çdo formë, shpërndarja, tregtimi, transportimi, dërgimi, dorëzimi, si dhe mbajtja, përveç rastit të përdorimit vetjak dhe në doza të vogla, të substancave narkotike dhe psikotrope, si edhe i farërave të bimëve narkotike, në kundërshtim me ligjin ose në kapërcim të përmbajtjes së tyre, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.
    Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga shtatë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.
    Organizimi, drejtimi apo financimi i kësaj veprimtarie, dënohen me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.

  • Neni 283/a - Trafikimi i narkotikëve
  • (Shtuar me ligjin nr.8279, 15.1.1998, neni 2;
    Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 64)

    Importimi, eksportimi, tranzitimi dhe tregtimi, në kundërshtim me ligjin, i substancave narkotike ose psikotrope, si edhe i farërave të bimëve narkotike, dënohet me burgim nga shtatë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.
    Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.
    Organizimi, drejtimi ose financimi i kësaj veprimtarie dënohen me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet.

  • Neni 283/b - Krijimi i lehtësirave për marrjen dhe përdorimin e drogës
  • (Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 65)

    Krijimi nga ana e personave, që për shkak të detyrës administrojnë substanca narkotike ose psikotrope, i lehtësirave për marrjen dhe përdorimin e këtyre substancave, në kundërshtim me dispozitat ligjore përkatëse, dënohet nga tre gjer në shtatë vjet.

  • Neni 284 - Kultivimi i bimëve narkotike
  • (Ndryshuar paragrafi I dhe III, shtuar paragrafi II me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 66)

    Kultivimi i bimëve, që shërbejnë ose dihet se shërbejnë për prodhimin dhe nxjerrjen e lëndëve narkotike dhe psikotrope, pa leje dhe autorizim sipas ligjit, dënohet me burgim nga tre gjer në shtatë vjet.
    Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.
    Organizmi, drejtimi apo financimi i kësaj veprimtarie, dënohen me burgim nga shtatë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

  • Neni 284/a - Organizimi dhe drejtimi i organizatave kriminale
  • (Shtuar me ligjin nr.8279, datë 15.1.1998, neni 2)

    Organizimi, drejtimi dhe financimi i organizatave kriminale me qëllim kultivimin, prodhimin, fabrikimin ose trafikun e paligjshëm të narkotikëve dënohet me burgim nga 10 deri në 20 vjet.
    Krijimi i kushteve apo lehtësirave për veprimtari të tilla nga persona me funksione shtetërore, dënohet me burgim nga 5 deri në 15 vjet.

  • Neni 284/b - Ndihma në zbulimin e krimeve
  • (Shtuar me ligjin nr.8279 datë 15.1.1998, neni 2)

    Personi i arrestuar ose i dënuar për njërën nga veprat penale që kanë lidhje me trafikun e narkotikëve, armëve, klandestinëve, prostitucionit ose për vepra penale të kryera nga organizata kriminale, që bashkëpunon dhe ndihmon organet e ndjekjes penale në luftën kundër tyre ose, sipas rastit, në zbulimin e personave të tjerë që kryejnë krime të tilla, nuk mund të dënohet më tepër se gjysma e dënimit të parashikuar për veprën e kryer prej tij. Në raste të veçanta, kur konkurojnë edhe rrethana lehtësuese në favor të tij, ky person mund të përjashtohet nga dënimi.

  • Neni 284/c - Prodhimi dhe fabrikimi i lëndëve narkotike dhe psikotrope
  • (Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 67)

    Prodhimi, fabrikimi, nxjerrja, rafinimi, përgatitja pa licencë ose në kapërcim të përmbajtjes së tij i lëndëve narkotike dhe psikotrope, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.
    Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga shtatë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.
    Organizimi, drejtimi ose financimi i kësaj veprimtarie dënohen me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.

  • Neni 284/ç - Prodhimi, tregtimi dhe përdorimi i paligjshëm i prekursorëve
  • (Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 67)

    Prodhimi, importimi, eksportimi, tranzitimi, tregtimi dhe mbajtja, në kundërshtim me dispozitat përkatëse ligjore, i prekursorëve të treguar me ligj në tabelat përkatëse, dënohet me burgim gjer në pesë vjet.
    Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se njëherë, dënohet me burgim nga tre gjer në shtatë vjet.
    Organizimi, drejtimi ose financimi i kësaj veprimtarie dënohen me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

  • Neni 285 - Mbajtja, prodhimi dhe transportimi i substancave kimike
  • (Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 68)

    Prodhimi, mbajtja, transportimi ose shpërndarja e substancave kimike bazë ose e substancave të tjera të çfarëdollojshme, e pajisjeve, e materialeve, në rast se dihet që ato përdoren ose do të përdoren për prodhimin ose trafikimin e paligjshëm të substancave narkotike a psikotrope, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet.

  • Neni 285/a - Përshtatja e lokalit për përdorim droge
  • (Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 69)

    Përshtatja ose lejimi për përshtatjen e lokalit, banesës, mjeteve motorike dhe të çdo mjeti tjetër publik ose privat për grumbullimin e personave me qëllim që ata të konsumojnë substanca narkotike ose psikotrope, dënohet me burgim gjer në pesë vjet.

  • Neni 285/b - Hedhja ose braktisja e shiringave
  • (Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 69)

    Hedhja ose braktisja e shiringave, në vende publike ose të hapura për publikun, si dhe në mjedise private të përdorimit të përbashkët të shiringave ose instrumenteve të rrezikshëm, të përdorura për marrjen e substancave narkotike ose psikotrope, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

  • Neni 286 - Nxitja për përdorimin e drogës
  • (Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 70)

    Nxitja e të tjerëve për përdorimin e lëndëve narkotike dhe psikotrope ose dhënia në përdorim ose injektimi i tyre te të tjerët, pa dijeninë dhe pëlqimin e tyre, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.
    Kur nxitja apo injektimi i detyruar bëhet ndaj fëmijëve apo në institucione penale, shkollore, sportive apo të çdo veprimtarie tjetër shoqërore dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet.

  • Neni 286/a - Përdorimi i paligjshëm i teknologjise së lartë
  • (Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 71)

    Prodhimi dhe përdorimi i sistemeve telematike, mjeteve dhe pajisjeve të teknologjisë së lartë, në rastet e veprave penale të parashikuara në nenet 283 gjer në 286/a të këtij Kodi ose për të mundësur ose lehtësuar konsumimin e lëndëve narkotike dhe psikotrope ose për të transmetuar a përhapur njoftime publicitare për stimulimin e përdorimit të tyre, dënohet me burgim gjer në pesë vjet.

  • Neni 287 - Pastrimi i produkteve të veprës penale
  • (Ndryshuar me ligjin nr.9086, datë 19.6.2003, neni 8; shtuar shkronja “dh” me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 24; ndryshuar shkronja “a” e pikës 1, shfuqizuar shkronja “ç” me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 24)

    1. Pastrimi i produkteve të veprës penale i kryer nëpërmjet:
    a) këmbimit ose transferimit të pasurisë, që dihet se është produkt i veprës penale, për fshehjen, mbulimin e origjinës së pasurisë ose dhënien e ndihmës, për të shmangur pasojat juridike, që lidhen me kryerjen e veprës penale;
    b) fshehjes ose mbulimit të natyrës, burimit, vendndodhjes, vendosjes, zhvendosjes së pronësisë ose të të drejtave të tjera, që lidhen me pasurinë që është produkt i veprës penale;
    c) kryerjes së veprimeve financiare dhe transanksioneve të copëzuara për shmangien nga raportimi, sipas ligjit për pastrimin e parave;
    ç) shfuqizuar;
    d) këshillimit, nxitjes ose thirrjes publike për kryerjen e secilës prej veprave të përcaktuara më sipër;
    dh) përdorimit dhe investimit në veprimtari ekonomike ose financiare të parave ose sendeve, që janë produkte të veprave penale, dënohen me burgim nga tre deri në dhjetë vjet dhe me gjobë nga 500 mijë lekë deri në 5 milionë lekë.

    2. Kur kjo vepër kryhet gjatë ushtrimit të një veprimtarie profesionale, në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga 800 mijë lekë deri në 8 milionë lekë, ndërsa kur ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga 3 milionë lekë deri në 10 milionë lekë.

    3. Dispozitat e këtij neni zbatohen edhe në rastet kur personi, që ka kryer veprën prej së cilës burojnë produktet e veprës penale, nuk mund të merret i pandehur, nuk mund të dënohet, ekziston një shkak që e shuan veprën penale ose mungon njëri nga kushtet e procedimit penal për një vepër të tillë.

  • Neni 287/a - Çelja e llogarive anonime
  • (Ndryshuar me ligjin nr.9086, datë 19.6.2003, neni 9)

    Çelja e depozitave ose e llogarive bankare, anonime ose me emra fiktivë, dënohet me burgim deri në tre vjet dhe me gjobë nga 200 mijë lekë deri në 2 milionë lekë.

  • Neni 287/b - Përvetësimi i parave ose mallrave të vjedhura
  • (Shtuar me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 25)

    Kushdo që blen, merr, fsheh apo, në një mënyrë tjetër, përvetëson për vete ose një palë të tretë, apo ndihmon në blerjen, marrjen, fshehjen ose përdorimin e parave apo mallrave të tjera, duke ditur se një person tjetër ka përfituar këto para apo mallra, si pasojë e kryerjes së një vepre penale, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet dhe me gjobë deri në njëqind mijë lekë.
    Papërgjegjshmëria e personit ose pengesa për të ndjekur penalisht personin për veprën penale në fjalë nuk përjashtojnë përgjegjësinë personit, që kreu veprën penale të përvetësimit të parave ose mallrave të vjedhura, sipas këtij neni.

  • Neni 288 - Prodhimi dhe shitja e ushqimeve dhe e lëndëve të tjera të rrezikshme për shëndetin
  • Prodhimi, importimi, ruajtja dhe shitja e ushqimeve, pijeve dhe lëndëve të tjera, e barnave të rrezikshme ose të dëmshme për jetën e shëndetin, si dhe futja në prodhim e kimikateve, materialeve dhe lëndëve shtesë në prodhimin e përpunimin e artikujve ushqimorë e të pijeve, kur nga këto vepra ka ardhur vdekja ose dëmtimi i rëndë i shëndetit të personit, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet.
    Kur nga vepra është shkaktuar vdekja ose dëmtimi i rëndë i shëndetit të disa personave, dënohet me burgim jo më pak se pesë vjet.

  • Neni 288/a - Prodhimi i kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave industrialë dhe ushqimorë
  • (Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 73)

    Prodhimi i kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave industrialë dhe ushqimorë përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.
    Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim, më shumë se një herë ose ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet.

  • Neni 289 - Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë
  • Shkaktimi i vdekjes ose dëmtimi i rëndë i shëndetit të personit ardhur si pasojë e mosrespektimit të rregullave që kanë të bëjnë me punën, prodhimin, shërbimin, të përcaktuara në ligj, në aktet e Këshillit të Ministrave apo në rregulloret përkatëse të sigurimit teknik, të disiplinës teknike, të mbrojtjes në punë, të higjenës dhe sigurimit nga zjarri prej personave të ngarkuar me respektimin e rregullave dhe marrjen e masave në zbatim të tyre, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet.
    Kur nga vepra penale është shkaktuar vdekja ose dëmtimi i rëndë i shëndetit të disa personave, dënohet me burgim jo më pak se pesë vjet.

  • Neni 290 - Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor
  • Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor, kur ka shkaktuar vdekjen, plagosjen e rëndë të një personi ose plagosjen e lehtë të disa personave, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet.
    Kur nga vepra penale është shkaktuar vdekja ose plagosja e rëndë e disa personave, dënohet me burgim jo më pak se pesë vjet.

  • Neni 291 - Drejtimi i automjeteve në gjendje të dehur apo pa dëshmi
  • Drejtimi i automjeteve apo mjeteve të tjera të motorizuara ne gjendje të dehur apo pa dëshminë përkatëse të aftësisë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj.

  • Neni 292 - Shkelja e disiplinës së punës në transport
  • Shkelja e disiplinës së punës në transportin hekurudhor, ujor ose ajror prej punonjësve të këtij transporti, që ka shkaktuar vdekjen ose dëmtimin e rëndë të shëndetit të personit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet.
    Kur nga vepra penale është shkaktuar vdekja ose dëmtimi i rëndë i shëndetit të disa personave, dënohet me burgim jo më pak se pesë vjet.

  • Neni 293 - Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit
  • Vënia e pengesave dhe ndalimi me çdo mjet e mënyrë i qarkullimit të mjeteve të transportit automobilistik, hekurudhor, ujor e ajror, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

  • Neni 293/a - Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike
  • (Shtuar me ligjin nr.10 023, datë 27.11.2008, neni 23)

    Përgjimi i paligjshëm me mjete teknike i transmetimeve jopublike, i të dhënave kompjuterike nga/ose brenda një sistemi kompjuterik, përfshirë emetimet elektromagnetike nga një sistem kompjuterik, që mbart të dhëna të tilla kompjuterike, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet.
    Kur kjo vepër kryhet nga/ose brenda sistemeve kompjuterike ushtarake, të sigurisë kombëtare, të rendit publik, të mbrojtjes civile apo në çdo sistem tjetër kompjuterik, me rëndësi publike, dënohet me burgim nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet.

  • Neni 293/b - Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike
  • (Shtuar me ligjin nr.10 023, datë 27.11.2008, neni 23)

    Dëmtimi, shtrembërimi, ndryshimi, fshirja apo suprimimi i paautorizuar i të dhënave kompjuterike dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.
    Kur kjo vepër kryhet në të dhënat kompjuterike ushtarake, të sigurisë kombëtare, të rendit publik, të mbrojtjes civile, të shëndetësisë apo në çdo të dhënë tjetër kompjuterike, me rëndësi publike, dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.

  • Neni 293/ç - Keqpërdorimi i pajisjeve
  • (Shtuar me ligjin nr.10 023, datë 27.11.2008, neni 23)

    Prodhimi, mbajtja, shitja, dhënia në përdorim, shpërndarja apo çdo veprim tjetër, për vënien në dispozicion të një pajisjeje, ku përfshihen edhe një program kompjuterik, një fjalëkalim kompjuterik, një kod hyrjeje apo një e dhënë e tillë e ngjashme, të cilat janë krijuar ose përshtatur për hyrjen në një sistem kompjuterik ose në një pjesë të tij, me qëllim kryerjen e veprave penale, të parashikuara në nenet 192/b, 293/a, 293/b e 293/c të këtij Kodi, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet.

  • Neni 293/c - Ndërhyrja në sistemet kompjuterike
  • (Shtuar me ligjin nr.10 023, datë 27.11.2008, neni 23)

    Krijimi i pengesave serioze dhe të paautorizuara për të cenuar funksionimin e një sistemi kompjuterik, nëpërmjet futjes, dëmtimit, shtrembërimit, ndryshimit, fshirjes apo suprimimit të të dhënave, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet.
    Kur kjo vepër kryhet në sistemet kompjuterike ushtarake, të sigurisë kombëtare, të rendit publik, të mbrojtjes civile, të shëndetësisë apo në çdo sistem tjetër kompjuterik, me rëndësi publike, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet.