strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

SEKSIONI IV - Vepra penale kundër sekretit dhe kufijve shtetërorë

  • Neni 294 - Tregtimi i sekretit shtetëror nga personi që i është besuar
  • Tregtimi, përhapja dhe informimi i fakteve, shifrave, përmbajtjes së dokumenteve apo materialeve që, sipas ligjit të njohur publikisht, përbëjnë sekret shtetëror, nga personi që i është besuar ose që ka mundur të vijë në dijeni për to për shkak të detyrës, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.
    Po kjo vepër, e bërë botërisht, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet.

  • Neni 295 - Tregtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit
  • Tregtimi, përhapja dhe informimi i fakteve, shifrave, përmbajtjes së dokumenteve apo materialeve që, sipas ligjit të njohur publikisht, përbëjnë sekret shtetëror, nga cilido që ka mundur të vijë në dijeni për to, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.
    Po kjo vepër, e bërë botërisht, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

  • Neni 295/a - Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete
  • (Shtuar me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 26)

    Zbulimi ndaj të tretëve i të dhënave ose ndihma për të zbuluar të dhënat, të cilat ligji i përcakton si sekret, nga ana e një funksionari publik ose e një personi të ngarkuar me një shërbim publik, në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës ose duke abuzuar me cilësitë e veta, përbën vepër penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet.
    Zbulimi ndaj të tretëve i të dhënave, të cilat përbëjnë sekret tregtar industrial ose profesional, nga ana e personave publikë, që kanë detyrë ruajtjen e tyre, përbën vepër penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
    Zbulimi i akteve sekrete ose i të dhënave, që përmbajnë aktet sekrete, nga prokurori ose oficeri i policisë gjyqësore, si dhe mosrespektimi i detyrimeve të përcaktuara në nenin 103 të Kodit të Procedurës Penale, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.
    Zbulimi i akteve sekrete ose i të dhënave të përmbajtura në aktet sekrete nga persona të tjerë, që kanë dijeni për të dhëna për procedimin penal e që janë paralajmëruar nga prokurori ose oficeri i policisë gjyqësore për moszbulimin e tyre, dënohet me burgim deri në tre vjet.
    Zbulimi i të dhënave sekrete, që kanë lidhje me identitetin, procesin e bashkëpunimit, të mbrojtjes ose për vendndodhjen e dëshmitarëve e të bashkëpunëtorëve të drejtësisë, të cilët përfitojnë mbrojtje të veçantë, sipas ligjeve në fuqi, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga dy deri në gjashtë vjet.
    Zbulimi i sekretit që ka sjellë si pasojë vdekjen, plagosjen e rëndë ose ka rrezikuar seriozisht jetën apo shëndetin e dëshmitarëve ose të bashkëpunëtorëve të drejtësisë, të familjarëve të tyre apo të punonjësve të policisë, të ngarkuar me mbrojtjen e tyre, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga tre deri në tetë vjet.

  • Neni 296 - Humbja e dokumenteve sekrete
  • Humbja e dokumenteve apo materialeve të tjera që, sipas ligjit të njohur publikisht, përbëjnë sekret shtetëror, nga personi që i janë besuar për ruajtje apo për përdorim, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

  • Neni 297 - Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror
  • (Shtuar me ligjin nr.8279, datë 15.1.1998, neni 2;
    ndryshuar me ligjin nr.9188, datë 12.2.2004, neni 8)

    Kalimi i paligjshëm i kufijve shtetërorë përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

  • Neni 298 - Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit
  • (Ndryshuar me ligjin nr.9188, datë 12.2.2004, neni 9;
    ndryshuar titulli dhe paragrafi i parë me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 27)

    Strehimi, shoqërimi, vënia në dispozicion ose përdorimi i mjeteve të lundrimit, të fluturimit ose i mjeteve të tjera të transportit apo çdo ndihmë tjetër, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit të Republikës së Shqipërisë ose për hyrjen e paligjshme të një personi në një shtet tjetër, pa qenë shtetas i tij ose që nuk ka leje qëndrimi në atë shtet, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga një deri në katër vjet dhe me gjobë nga tre milionë lekë deri në gjashtë milionë lekë.
    Kur ndihma jepet për qëllime fitimi, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga katër milionë deri në tetë milionë lekë.
    Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, apo ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet dhe me gjobë nga gjashtë milionë deri në tetë milionë lekë.
    Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen e të dëmtuarit, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm, si dhe me gjobë nga tetë milionë deri në dhjetë milionë lekë.
    Kur vepra penale kryhet nëpërmjet shfrytëzimit të funksionit shtetëror ose shërbimit publik, dënimi me burgim dhe gjoba shtohen me ¼ e dënimit të dhënë.

  • Neni 299 - Shkelja e rregullave mbi fluturimet
  • Shkelja e rregullave mbi fluturimet ndërkombëtare si, hyrja ose dalja nga territori i Republikës së Shqipërisë pa leje fluturimi, mosrespektimi i vijave të fluturimit, i vendeve të zbritjes, i korridoreve ajrore apo lartësisë të caktuar të fluturimit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.