Neni 295/a - Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete

(Shtuar me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 26)

Zbulimi ndaj të tretëve i të dhënave ose ndihma për të zbuluar të dhënat, të cilat ligji i përcakton si sekret, nga ana e një funksionari publik ose e një personi të ngarkuar me një shërbim publik, në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës ose duke abuzuar me cilësitë e veta, përbën vepër penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet.
Zbulimi ndaj të tretëve i të dhënave, të cilat përbëjnë sekret tregtar industrial ose profesional, nga ana e personave publikë, që kanë detyrë ruajtjen e tyre, përbën vepër penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
Zbulimi i akteve sekrete ose i të dhënave, që përmbajnë aktet sekrete, nga prokurori ose oficeri i policisë gjyqësore, si dhe mosrespektimi i detyrimeve të përcaktuara në nenin 103 të Kodit të Procedurës Penale, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.
Zbulimi i akteve sekrete ose i të dhënave të përmbajtura në aktet sekrete nga persona të tjerë, që kanë dijeni për të dhëna për procedimin penal e që janë paralajmëruar nga prokurori ose oficeri i policisë gjyqësore për moszbulimin e tyre, dënohet me burgim deri në tre vjet.
Zbulimi i të dhënave sekrete, që kanë lidhje me identitetin, procesin e bashkëpunimit, të mbrojtjes ose për vendndodhjen e dëshmitarëve e të bashkëpunëtorëve të drejtësisë, të cilët përfitojnë mbrojtje të veçantë, sipas ligjeve në fuqi, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga dy deri në gjashtë vjet.
Zbulimi i sekretit që ka sjellë si pasojë vdekjen, plagosjen e rëndë ose ka rrezikuar seriozisht jetën apo shëndetin e dëshmitarëve ose të bashkëpunëtorëve të drejtësisë, të familjarëve të tyre apo të punonjësve të policisë, të ngarkuar me mbrojtjen e tyre, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga tre deri në tetë vjet.