strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU X - Vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve

  • Neni 325 - Pengimi i subjekteve për zgjedhjet në organet përfaqësuese
  • Pengimi me dhunë apo me çdo mënyrë tjetër i subjekteve elektorale për të zhvilluar rregullisht aktivitetin e tyre në përputhje me ligjin gjatë fushatës së zgjedhjeve, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

  • Neni 326 - Falsifikimi i dokumenteve dhe rezultateve të zgjedhjeve
  • Paraqitja në dokumentet e zgjedhjeve të të dhënave, rrethanave, shifrave që dihen se janë të pasakta, përpilimi i dokumenteve falso ose zëvendësimi i të saktave me të rreme, i bërë nga personat e ngarkuar me përpilimin, vlerësimin, nxjerrjen e rezultateve apo ruajtjen e dokumenteve, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

  • Neni 327 - Shkelja e fshehtësisë së votimit
  • Shkelja e fshehtësisë së votimit nga ana e personave të ngarkuar me zgjedhjet, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

  • Neni 328 - Dhënia e shpërblimeve dhe premtimeve
  • Ofrimi ose dhënia e të hollave, bërja e premtimeve për vende pune ose favorizime të tjera në cilëndo formë, me qëllim që të marrë firmën për paraqitjen e kandidatit, për të votuar pro ose kundër një kandidati apo për të marrë pjesë ose jo në votime, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj.
    Pranimi i të hollave, premtimeve dhe favorizimeve të tjera për të kryer veprimet e mësipërme, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë.

  • Neni 329 - Kanosja e zgjedhësit
  • Kanosja që i bëhet zgjedhësit për të votuar pro ose kundër një kandidati si edhe për të marrë pjesë ose jo në votime, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

  • Neni 330 - Kanosja e kandidatëve
  • Kanosja si edhe çdo veprim tjetër i paligjshëm që i bëhet kandidatit me qëllim që të tërheqë kandidaturën ose që të pengohet për të ushtruar çdo aktivitet të lejuar me ligj gjatë fushatës elektorale, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

  • Neni 331 - Shkelja e të drejtës së zgjedhjes
  • Mospërfshirja me dashje në listat e zgjedhësve e personave që e kanë të drejtën e zgjedhjes ose regjistrimi me dashje në to i personave që nuk e kanë këtë të drejtë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

  • Neni 332 - Shpërdorimi i autoritetit ushtarak
  • Shpërdorimi i autoriteiti ushtarak nga oficeri ose kuadri ushtarak për të influencuar në votim tek ushtarakët e tjerë që ka në varësi, me dhënie urdhërash, këshilla apo me çfarëdo lloj propagande, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.