KREU I - LIGJI PENAL USHTARAK DHE ZBATIMI I TIJ

  • Neni 1 - Ligji penal ushtarak dhe ndarja e veprave penale
  • Ligji penal ushtarak përcakton veprat penale ushtarake, si dhe dënimet dhe masat e tjera që merren ndaj subjekteve që i kryejnë ato.
    Veprat penale ushtarake ndahen në krime ushtarake dhe në kundërvajtje penale ushtarake. Dallimi i tyre bëhet në çdo rast në dispozitat e pjesës së posaçme të këtij Kodi.

  • Neni 1/a - Bazat e legjislacionit penal ushtarak
  • (Shtuar me ligjin nr. 8919, datë 4.7.2002)

    Kodi Penal Ushtarak bazohet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në parimet e përgjithshme të së drejtës penale ushtarake ndërkombëtare, në marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikura nga shteti shqiptar dhe në ligje të tjera.
    Legjislacioni penal ushtarak përbëhet nga dispozitat e këtij Kodi dhe ligje të tjera që parashikojnë vepra penale ushtarake.

  • Neni 1/b - Detyrat e legjislacionit penal ushtarak
  • (Shtuar me ligjin nr. 8919, datë 4.7.2002)

    Legjislacioni penal ushtarak ka për detyrë të mbrojë pavarësinë e shtetit dhe tërësinë e territorit të tij, rendin kushtetues, të drejtat dhe liritë e shtetasve, rendin ushtarak të Forcave të Armatosura, pronën, autoritetin dhe disiplinën ushtarake, nga vepra penale ushtarake dhe parandalimin e tyre, si dhe të sigurojë pjesëmarrjen e shtetasve shqiptarë në mbrojtjen e Republikës së Shqipërisë.

  • Neni 2 - Zbatimi i ligjit penal ushtarak
  • Shtetasit shqiptarë që kryejnë një vepër penale në fushën e mbrojtjes përgjigjen sipas Kodit Penal Ushtarak.
    Për shtetasin shqiptar që kryen një vepër penale ushtarake në bashkëpunim me një ushtarak shqiptar do të zbatohet Kodi Penal Ushtarak i Republikës së Shqipërisë.

  • Neni 3 - Barazia e shteteve aleate
  • (Shtuar me ligjin nr. 9819, datë 4.7.2002)

    Legjislacioni penal ushtarak zbatohet edhe kur veprat penale ushtarake janë kryer në dëm të një shteti të huaj aleat ose partner me shtetin shqiptar.

  • Neni 4 - Zbatimi i ligjit penal në hapësirë
  • Ligji penal ushtarak është i zbatueshëm edhe për ushtarakun shqiptar që kryen një vepër penale jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, kur vepra është njëkohësisht e dënueshme dhe derisa nuk është dhënë për të një vendim përfundimtar nga një gjykatë e huaj.

  • Neni 5 - Zbatimi i ligjit penal ushtarak për vepra penale ushtarake të kryera nga shtetas të huaj ose pa shtetësi
  • Shtetasi i huaj ose pa shtetësi që kryen një vepër penale në fushën e mbrojtjes përgjigjet sipas ligjit penal ushtarak.
    Shtetasi i huaj ose pa shtetësi që në bashkëpunim me ushtarakë shqiptarë kryen një vepër penale ushtarake brenda ose jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, përgjigjet në bazë të ligjit penal ushtarak të Republikës së Shqipërisë.