strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU III - DËNIMET

  • Neni 7 - Dënime kryesore
  • (Ndryshuar me ligjin nr.9722, datë 30.4.2007 neni 1)

    Për ushtarakët që kanë kryer krime jepen këto dënime kryesore:

    1. me burgim të përjetshëm;
    2. me burgim;
    3. lirim nga ushtria;
    4. me gjobë.

    Për ushtarakët që kanë kryer kundërvajtje penale jepen këto dënime kryesore:

    1. me burgim;
    2. lirim nga ushtria;
    3. me gjobë;
    4. me ulje në gradë.

  • Neni 8 - Dënime plotësuese
  • (Shtuar pika 7, 8 me ligjin nr.8919, datë 4.7.2002)

    Për ushtarakët që kanë kryer krime ose kundërvajtje penale, bashkë me dënimin kryesor mund të jepen edhe një ose disa nga këto dënime plotësuese:

    1. ndalimi i të drejtës për të ushtruar një detyrë shtetërore;
    2. konfiskimi i mjeteve të kryerjes së veprës penale dhe përfitimeve prej saj;
    3. ndalimi për të drejtuar automjetin;
    4. heqja e dekoratave, titujve të nderit;
    5. lirimi nga ushtria për ushtarakët e shërbimit të përhershëm aktiv;
    6. shtytja e afatit të gradimit deri në tre vjet;
    7. nxjerrja jashtë territorit ose dëbimi i individëve të huaj subjekte të këtij Kodi nga Shqipëria.
    8. detyrimi për publikimin e vendimit gjyqësor.

    Gjykata, në raste të veçanta, kur dhënia e dënimeve kryesore çmohet e papërshtatshme dhe kur ligji parashikon dënim me burgim
    deri në tre vjet ose dënime të tjera më të lehta për veprën e kryer, mund të mjaftohet vetëm me caktimin e dënimit plotësues.

  • Neni 8/a - Dënimi me burgim të përjetshëm
  • (Shtuar me ligjin nr.8919, datë 4.7.2002;
    shfuqizuar paragrafi i dytë me ligjin nr.9722, datë 30.4.2007 neni 2)

    Dënimi me burgim të përjetshëm jepet për kryerjen e një krimi të rëndë.
    Dënimi me burgim të përjetshëm nuk mund të jepet ndaj personave që, në kohën e kryerjes së krimit, nuk kanë mbushur moshën tetëmbëdhjetë vjeç, si dhe për gratë.

  • Neni 9 - Dënimi me burgim dhe me gjobë
  • Dënimi me burgim për krime ushtarake jepet për një kohë nga pesë ditë deri në njëzetepesë vjet, ndërsa për kundërvajtjet penale ushtarake për një kohë nga pesë ditë deri në dy vjet.
    Dënimi me gjobë jepet për personat që kryejnë krim ose kundërvajtje penale ushtarake.
    Për krimet ushtarake gjoba jepet nga pesë mijë deri në një milion lekë.
    Për kundërvajtjet penale gjoba jepet nga tre mijë deri në njëqind mijë lekë.
    Për ushtarët e shërbimit të detyrueshëm gjoba jepet nga një mijë deri në pesëdhjetë mijë lekë.

  • Neni 10 - Mënyra e vuajtjes së dënimit me burgim të përjetshëm dhe me burgim
  • Ushtarakët e vuajnë dënimin me burgim të përjetshëm dhe me burgim në vende të veçanta nga të dënuarit civil.

  • Neni 11 - Lirimi nga ushtria
  • Lirimi nga ushtria mund të jepet ndaj ushtarakëve të shërbimit aktiv të përhershëm që kryejnë krime ose kundërvajtje penale ushtarake.
    Për krimet kjo masë është e përhershme, ndërsa për kundërvajtjet penale një vit.

  • Neni 12 - Dënimi me ulje në gradë
  • Dënimi me ulje në gradë është ulje deri në dy gradë i ushtarakut që kryen kundërvajtje penale.

  • Neni 13 - Zbatimi i dispozitave të pjesës së përgjithshme të Kodit Penal (civil)
  • Për personat që kryejnë vepra penale ushtarake, do të zbatohen edhe rregullat e pjesës së përgjithshme të Kodit Penal (civil) që nuk parashikohen në këtë Kod.

  • Neni 14 - Zbatimi i dispozitave të pjesës së posaçme të Kodit Penal (civil) për ushtarakët
  • Kur ushtaraku kryen një vepër penale që nuk parashikohet në këtë Kod, do të përgjigjet në bazë të dispozitave të Kodit Penal
    (civil).