strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU II - KRIME USHTARAKE KUNDËR SIGURIMIT KOMBËTAR

  • Neni 25 - Dorëzimi i forcave ushtarake dhe i mjeteve të luftimit armikut
  • (Ndryshuar me ligjin nr. 8919, datë 4.7.2002;
    ndryshuar me ligjin nr.9722, datë 30.4.2007 neni 3)

    Dorëzimi tek armiku, nga kuadri komandues, pa ndonjë domosdoshmëri ushtarake, i forcave ushtarake, mjeteve, armatimit, municionit ose teknikës, që i janë besuar, dënohet me burgim nga pesë vjet deri në njëzet e pesë vjet.
    Kur nga kjo vepër janë shkaktuar pasoja të rënda në njerëz ose në teknikë, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet.
    Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte ose në gjendje të jashtëzakonshme, dënohet me burgim jo më pak se njëzet vjet, ose me burgim të përjetshëm.

  • Neni 26 - Dhënia e informatave sekrete
  • (Ndryshuar paragrafi I, II; shtuar paragrafi III me ligjin nr.8919, datë 4.7.2002;
    ndryshuar me ligjin nr.9722, datë 30.4.2007 neni 4)

    Ushtaraku që i jep armikut të gjithë ose një pjesë të situatës së Forcave të Armatosura, planin e një operacioni, lëvizjet, fushimet, pozicionet, sinjalet e çdo lloji, gjendjen e furnizimit a të municionit, vendfurnizimet, karburantet, ushqimet ose paratë apo i lë në dorë dokumente ose të dhëna të tjera me karakter sekret, dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.
    Po kjo vepër e kryer për operacione ose mjete e teknikë të rëndësishme luftarake, si dhe kur nga dhënia e informatave janë shkaktuar pasoja të rënda, dënohet me burgim nga dhjetë deri në njëzet vjet.
    Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte ose në gjendje të jashtëzakonshme, dënohet me burgim jo më pak se njëzet vjet ose me burgim të përjetshëm.

  • Neni 27 - Zhdukja e akteve që lidhen me sigurimin kombëtar
  • Ushtaraku, që për të dëmtuar sigurimin kombëtar zhduk, shkatërron, falsifikon, rrëmben apo fut në dorë dokumente ose akte të karakterit sekret shtetëror, dënohet me burgim jo më pak se dhjetë vjet.

  • Neni 28 - Dhënia e ndihmës armikut
  • (Ndryshuar me ligjin nr.9722, datë 30.4.2007 neni 1)

    Ushtaraku që në kushtet e luftës ose gjendjes së jashtëzakonshme ndihmon armikun me armë, municion, mjete e pajisje të tjera, me para ose çdo gjë tjetër ose strehon apo mbron armikun, dënohet me burgim jo më pak se pesë vjet ose burgim të përjetshëm.

  • Neni 29 - Veprime të ulta para armikut
  • Ushtaraku që në prezencë apo përpara momentit të shfaqjes së armikut:

    1. largohet;
    2. dorëzon pozicionin, materialet ushtarake;
    3. për shkak të moszbatimit të rregullave apo mosbindjes rrezikon sigurinë e postit, vendit e materialeve ushtarake;
    4. flak armën apo municionin;
    5. është fajtor për manovrime të ngathta;
    6. braktis vendin e caktuar;
    7. shkakton alarme false në njësinë apo vendin që është nën kontrollin e Forcave të Armatosura;
    8. me qëllim nuk kryen veprimet e mundshme për të kapur, shkatërruar, çarmatosur trupat armike;
    9. nuk u jep ndihmën e duhur forcave tona apo aleatëve tanë;
    10. nuk bën të gjitha përpjekjet e duhura për të fshehur apo asgjësuar të gjithë dokumentacionin me karakter sekret kur kapet nga armiku, dënohet me burgim jo më pak se dhjetë vjet.

  • Neni 30 - Shpërdorimi i mandatit
  • Cilido që caktohet nga shteti shqiptar të diskutojë me shtete e fuqi të huaja probleme shtetërore dhe nuk i qëndron besnik mandatit, duke i shkaktuar pasoja interesave kombëtare, dënohet me burgim jo më pak se pesë vjet.

  • Neni 31 - Ndihma spiunëve
  • Ushtaraku që jep apo gjen strehim ose ndihmon në forma të ndryshme një spiun apo agjent të armikut, dënohet me burgim deri në pesë vjet.
    Ushtaraku që i jep informacione me karakter sekret, spiunëve, dënohet me burgim jo më pak se pesë vjet.
    Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte ose gjendje të jashtëzakonshme dënohet me burgim jo më pak se dhjetë vjet.

  • Neni 32 - Rebelimi
  • Ushtaraku që kërkon të uzurpojë ose të mos përfillë autoritetin, të protestojë në bashkëpunim dhe me pjesëtarë të tjerë të Forcave të Armatosura, të mos u bindet urdhrave me qëllim që të mos respektohet Kushtetuta, ligji dhe rregulli në Forcat e Armatosura, të krijojë me të tjerë revolta e dhunë apo çdo formë tjetër çrregullimi, dënohet me burgim jo më pak se pesë vjet.
    Cilido që nuk vepron për të ndaluar apo shtypur rebelimin që kryhet apo është në përgatitje për t’u kryer, dënohet me burgim jo më pak se pesë vjet.
    Veprat e sipërme të kryera në gjendje lufte ose gjendje të jashtëzakonshme dënohen me burgim jo më pak se dhjetë vjet.