strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU III - SHMANGIA NGA SHËRBIMI USHTARAK

  • Neni 33 - Dezertimi
  • (Ndryshuar paragrafi I me ligjin nr. 8919, datë 4.7.2002)

    Largimi nga reparti ose vendi i shërbimit i ushtarakëve aktivë, me qëllim shmangieje përgjithmonë nga shërbimi ushtarak, si dhe mosparaqitja e tyre me të njëjtin qëllim në repartin ose vendin e shërbimit me rastin e emërimit, transferimit, kthimit nga misioni, nga spitali ose nga leja, dënohet me burgim deri në pesë vjet.
    Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte ose në gjendje të jashtëzakonshme dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet dhe, kur ka sjellë pasoja të rënda, me burgim jo më pak se dhjetë vjet.

  • Neni 34 - Dezertimi i kuadrit komandues
  • (Ndryshuar paragrafi I me ligjin nr. 8919, datë 4.7.2002;
    ndryshuar me ligjin nr.9722, datë 30.4.2007 neni 5)

    Dezertimi i personave të kuadrit komandues dënohet me burgim deri në dhjetë vjet.
    Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte ose në gjendje të jashtëzakonshme dënohet me burgim jo më pak se pesë vjet dhe, kur ka sjellë pasoja të rënda, jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet, ose me burgim të përjetshëm.

  • Neni 35 - Largimi pa leje
  • Largimi pa leje i ushtarakut nga reparti ose vendi i shërbimit për një kohë për më shumë se pesë ditë ose më shumë se një herë, për një kohë më tepër se njëzetekatër orë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me ulje në gradë, me gjobë ose me burgim deri në një vit.
    Po kjo vepër e kryer nga oficerët dhe nënoficerët e shërbimit aktiv për një kohë për më shumë se shtatë ditë ose më shumë se një herë, për një kohë më tepër se njëzetekatër orë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me ulje në gradë, me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në dy vjet.
    Kur këto vepra kryhen në gjendje lufte ose në gjendje të jashtëzakonshme dënohen me burgim nga dy deri në dhjetë vjet.

  • Neni 36 - Mosparaqitja në repart ose në vendin e shërbimit
  • (Ndryshuar paragrafi I me ligjin nr.8919, datë 4.7.2002)

    Mosparaqitja e ushtarëve aktivë dhe nënoficerëve të shërbimit të detyruar ushtarak pa shkaqe të arsyeshme në repart ose në vendin e shërbimit me rastin e emërimit, transferimit, kthimit nga misioni, nga spitali ose leja, për një kohë më tepër se pesë ditë ose më shumë se një herë për një kohë më tepër se njëzet e katër orë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit.
    Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte apo në gjendje të jashtëzakonshme dënohet me burgim nga dy deri në dhjetë vjet.

  • Neni 37 - Mosparaqitja e oficerëve dhe nënoficerëve aktivë
  • Mosparaqitja e oficerëve dhe nënoficerëve të shërbimit aktiv në repart ose në vendin e shërbimit pa shkaqe të arsyeshme me rastin e emërimit, transferimit, kthimit nga misioni ose detyra, nga spitali ose nga leja për një kohë për më tepër se shtatë ditë ose më shumë se një herë për një kohë më tepër se njëzet e katër orë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me ulje në gradë, me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në dy vjet.
    Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte ose gjendje të jashtëzakonshme dënohet me burgim nga dy deri në dhjetë vjet.

  • Neni 38 - Largimi pa leje i të thirrurve për stërvitje
  • (Ndryshuar paragrafi I me ligjin nr. 8919, datë 4.7.2002)

    Largimi pa leje nga reparti i ushtarakëve të thirrur në stërvitje ushtarake, prova gatishmërie ose mobilizimi, më shumë se një herë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me ulje në gradë ose me gjobë.
    Po kjo vepër e kryer me përsëritje, në gjendje lufte ose gjendje të jashtëzakonshme, dënohet me burgim deri në tre vjet.

  • Neni 39 - Mosparaqitja e të thirrurve në stërvitje
  • Mosparaqitja e ushtarakëve të thirrur në stërvitje në kohën e caktuar në repart ose në vendin e shërbimit pa shkaqe të arsyeshme, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me ulje në gradë ose gjobë.
    Po kjo vepër e kryer me përsëritje, në gjendje lufte ose në gjendje të jashtëzakonshme, dënohet me burgim deri në tre vjet.

  • Neni 40 - Shmangie të tjera nga shërbimi ushtarak
  • Shmangia nga shërbimi ushtarak ose nga kryerja e detyrave të caktuara të shërbimit ushtarak, duke u shtirë i sëmurë, duke dëmtuar shëndetin, duke falsifikuar dokumente ose me ndonjë mënyrë tjetër të ngjashme, kur shmangia ka zgjatur deri në një muaj, dënohet me burgim deri në dy vjet.
    Po këto vepra të kryera në gjendje lufte ose gjendje të jashtëzakonshme, kur shmangia ka zgjatur deri në një muaj, dënohen me burgim nga dy deri në shtatë vjet.
    Shmangia me mënyrat e mësipërme, kur ka zgjatur mbi një muaj, dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet.
    Këto vepra të kryera në gjendje lufte ose gjendje të jashtëzakonshme, kur shmangia zgjat mbi një muaj, dënohen me burgim jo më pak se pesë vjet.

  • Neni 41 - Shkelja e rregullave të shërbimit të rojes
  • (Ndryshuar paragrafi I me ligjin nr. 8919, datë 4.7.2002)

    Fjetja në shërbim, largimi nga vendi i shërbimit, përdorimi i pijeve alkoolike ose drogës gjatë shërbimit, shkelja e rregullave të sigurimit teknik të armëve në përdorim ose shkelja e urdhrave ose instruksioneve të veçanta që lidhen me objektin në ruajtje ose me natyrën e shërbimit, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me ulje në gradë, nxjerrje në lirim ose burgim deri në dy vjet.
    Shkelja e rregullave të shërbimit të rojes kur kanë sjellë pasoja të rënda dënohet me burgim nga dy deri në tetë vjet.
    Shkeljet e rregullave të shërbimit të rojes të kryera në gjendje lufte ose gjendje të jashtëzakonshme dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet dhe, kur ka sjellë pasoja të rënda, jo më pak se dhjetë vjet.

  • Neni 42 - Shkelja e rregullave të shërbimit të rojes në objekte të rëndësishme
  • Shkelja e rregullave të shërbimit të rojes, pranë depove të armëve, të municioneve e lëndëve plasëse ose në objekte që kanë rëndësi veçanërisht të madhe shtetërore ose ushtarake, të njohura si të tilla në akte të veçanta, dënohen me nxjerrje në lirim ose burgim deri në tre vjet.
    Kur nga kjo vepër kanë ardhur pasoja të rënda dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.
    Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte ose gjendje të jashtëzakonshme dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet dhe, kur ka sjellë pasoja të rënda, jo më pak se dhjetë vjet.

  • Neni 43 - Shkelja e rregullave të shërbimit të rojes në kufi
  • Shkelja e rregullave të shërbimit të rojes në kufi dënohet me burgim deri në dy vjet.
    Kur nga këto vepra kanë ardhur pasoja të rënda dënohet me burgim nga dy deri në tetë vjet.
    Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte ose në gjendje të jashtëzakonshme dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet dhe, kur ka sjellë pasoja të rënda, me burgim jo më pak se dhjetë vjet.

  • Neni 44 - Shkelja e rregullave të shoqërimit
  • Shkelja e rregullave të shoqërimit nga cilido i ngarkuar me këtë detyrë përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me ulje në gradë, me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në dy vjet.
    Kur nga kjo vepër kanë ardhur pasoja të rënda dënohet me burgim nga dy deri në tetë vjet.
    Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte ose gjendje të jashtëzakonshme dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet dhe, kur kanë ardhur pasoja të rënda, jo më pak se dhjetë vjet.

  • Neni 45 - Moscaktimi i rojeve
  • (Ndryshuar paragrafi I, shtuar paragrafi II me ligjin nr. 8919, datë 4.7.2002)

    Moscaktimi ose mosnxjerrja e rojeve ose personave për shërbim ose shoqërim, pa shkaqe të arsyeshme përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me ulje në gradë, me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në një vit.
    Kur nga kjo vepër kanë ardhur pasoja të rënda, dënohet me burgim nga dy deri në tetë vjet.
    Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte ose gjendje të jashtëzakonshme dënohet me burgim deri në dhjetë vjet dhe, kur ka sjellë pasoja veçanërisht të rënda, me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet.

  • Neni 46 - Moszbatimi i urdhrit
  • (Ndryshuar paragrafi I me ligjin nr. 8919, datë 4.7.2002)

    Mosbindja ose moszbatimi i urdhrave nga cilido që është i detyruar t’i zbatojë e respektojë ato, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me ulje në gradë, me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në dy vjet.
    Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte apo në gjendje të jashtëzakonshme dënohet me burgim deri në dhjetë vjet.

  • Neni 47 - Moszbatimi i urdhrit nga kuadri komandues
  • (Ndryshuar me ligjin nr.9722, datë 30.4.2007 neni 5)

    Moszbatimi i urdhrit i kryer prej një personi të kuadrit komandues dënohet me nxjerrje në lirim ose me burgim deri në tre vjet.
    Kur nga kjo vepër janë shkaktuar pasoja të rënda dënohet me burgim nga dy deri në tetë vjet.
    Po kjo vepër, e kryer në gjendje lufte ose gjendje të jashtëzakonshme, dënohet me burgim jo më pak se dhjetë vjet dhe, kur ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet, ose me burgim të përjetshëm.

  • Neni 48 - Lëvizja e trupave pa të drejtë
  • Komandanti që pa autorizim, urdhër, mision të veçantë ose shkak tjetër të ligjshëm urdhëron lëvizjen e trupave ose mjeteve tokësore, detare apo ajrore, kryen kundërvajtje penale dhe dënohet me ulje në gradë, me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në dy vjet.

  • Neni 49 - Ulja e dinjitetit ushtarak
  • (Ndryshuar me ligjin nr. 8919, datë 4.7.2002)

    Kryerja e veprimeve që ulin dinjitetin e Forcave të Armatosura ose institucioneve të tjera ku bëjnë pjesë, si në shërbim ashtu dhe jashtë shërbimit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me ulje në gradë, me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në dy vjet.