strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU IV - VEPRA PENALE KUNDËR AUTORITETIT USHTARAK

  • Neni 50 - Shtrëngimi për të shkelur detyrat
  • (Ndryshuar paragrafi I me ligjin nr. 8919, datë 4.7.2002;
    ndryshuar me ligjin nr.9722, datë 30.4.2007 neni 5)

    Kundërshtimi që i bëhet cilitdo personi të personelit të shërbimit, kur është duke kryer detyrat e shërbimit ushtarak ose shërbime të tjera, si dhe shtrëngimi i tij për t’i shkelur ato, dënohen me burgim deri në pesë vjet.
    Kur kjo vepër është kryer me dhunë apo ka sjellë pasoja të rënda dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.
    Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte apo në gjendje të jashtëzakonshme dënohet me burgim jo më pak se pesë vjet dhe, kur ka sjellë pasoja të rënda, me burgim jo më pak se dhjetë vjet, ose me burgim të përjetshëm.

  • Neni 51 - Goditja ose kundërshtimi i eprorit
  • (Ndryshuar paragrafi I,
    shtuar paragrafi II me ligjin nr.8919, datë 4.7.2002)

    Kundërshtimi i eprorit të tij oficer, gjatë kohës që është në detyrë ose për shkak të saj, ose sjelljet ndaj tij me përbuzje ose pa respekt, me fjalë ose veprime, dënohen me nxjerrje në lirim ose me burgim deri në tre vjet.
    Po kjo vepër e kryer në bashkëpunim, me dhunë fizike ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga dy deri në shtatë vjet.
    Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte apo gjendje të jashtëzakonshme dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.

  • Neni 52 - Goditja ose kundërshtimi i nënoficerit
  • (Ndryshuar me ligjin nr.8919, datë 4.7.2002)

    Kundërshtimi i eprorit të tij nënoficer, gjatë kohës që është në detyrë ose për shkak të saj, ose sjelljet ndaj tij me përbuzje ose pa respekt, me fjalë ose veprime, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me ulje në gradë, me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në një vit.
    Po kjo vepër e kryer në bashkëpunim, me dhunë fizike ose më shumë se një herë, dënohet me burgim deri në pesë vjet.

  • Neni 53 - Kundërshtimi i policisë ushtarake
  • (Ndryshuar paragrafi II me ligjin nr.8919, datë 4.7.2002)

    Kundërshtimi që i bëhet punonjësit të policisë ushtarake për ta penguar në kryerjen e detyrës së tij sipas ligjit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me ulje në gradë, me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në një vit.
    Po kjo vepër e kryer në bashkëpunim, me dhunë fizike ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga dy deri në shtatë vjet.

  • Neni 54 - Mosrespekti ndaj oficerit epror
  • (Ndryshuar me ligjin nr.8919, datë 4.7.2002)

    Cilido që sillet pa respekt, me fjalë a veprime kundrejt cilitdo oficer epror, kryen kundërvajtje penale dhe dënohet me ulje në gradë, me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në gjashtë muaj.