strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU VI - KRIME KUNDËR JETËS DHE SHËNDETIT TË USHTARAKUT

  • Neni 77 - Vrasja me dashje
  • (Ndryshuar me ligjin nr. 8919, datë 4.7.2002;
    ndryshuar me ligjin nr.9722, datë 30.4.2007 , neni 4)

    Vrasja me dashje e kryer nga eprori ndaj vartësit, nga vartësi ndaj eprorit ose ndërmjet tyre, për motive që lidhen me detyrën, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.
    Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte ose në gjendje të jashtëzakonshme, dënohet me burgim jo më pak se 20 vjet ose me burgim të përjetshëm.

  • Neni 78 - Vrasja nga pakujdesia
  • Shkelja e rregulloreve ushtarake që kanë sjellë si pasojë vdekjen e një personi nga pakujdesia dënohet me burgim nga dy deri në tetë vjet.

  • Neni 79 - Plagosja e rëndë me dashje
  • (Ndryshuar me ligjin nr. 8919, datë 4.7.2002)

    Plagosja e rëndë me dashje e kryer nga eprori ndaj vartësit ose e vartësit ndaj eprorit ose ndërmjet tyre, për motive që lidhen me detyrën, dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.
    Po kjo vepër, kur është kryer më shumë se një herë, kundër disa personave ose kur ka sjellë si pasojë vdekjen, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet.
    Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte ose në gjendje të jashtëzakonshme dënohet me burgim nga dhjetë deri në njëzet vjet.

  • Neni 80 - Plagosje e rëndë nga pakujdesia
  • Shkelja e rregulloreve ushtarake që kanë sjellë si pasojë plagosjen e rëndë nga pakujdesia të një ose më shumë personave përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me ulje në gradë, me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në dy vjet.

  • Neni 81 - Plagosja e lehtë me dashje
  • (Ndryshuar me ligjin nr. 8919, datë 4.7.2002)

    Plagosja e lehtë me dashje e kryer nga eprori ndaj vartësit ose e vartësit ndaj eprorit ose ndërmjet tyre, për motive që lidhen me detyrën, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me ulje në gradë, me gjobë, me nxjerrje në lirim ose me burgim deri në dy vjet.
    Po kjo vepër, kur është kryer më shumë se një herë ose kundër dy ose më shumë personave, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet.
    Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte ose në gjendje të jashtëzakonshme dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet.

  • Neni 82 - Plagosja nga pakujdesia
  • Shkelja e rregulloreve ushtarake që ka sjellë si pasojë plagosjen e lehtë nga pakujdesia të një ose më shumë personave përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me ulje në gradë, me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në gjashtë muaj.

  • Neni 82/a - Kanosja
  • (Shtuar me ligjin nr.8919, datë 4.7.2002)

    Kanosja serioze për vrasje ose për plagosje të rëndë e kryer nga eprori ndaj vartësit, nga vartësi ndaj eprorit ose ndërmjet tyre, për motive që lidhen me detyrën, dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.
    Po kjo vepër e kryer në kohë lufte ose në gjendje të jashtëzakonshme dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet.

  • Neni 82/b - Shkaktimi i vetëvrasjes
  • (Shtuar me ligjin nr. 8919, datë 4.7.2002)

    Shkaktimi i vetëvrasjes ose i tentativës së vetëvrasjes të vartësit, si rrjedhojë e trajtimit ose e sjelljes së keqe sistematike nga eprorët, kuadri ose personeli komandues, dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet.