Neni 31

Gjatë procesit penal kushdo ka të drejtë:
a) të vihet në dijeni menjëherë dhe hollësisht për akuzën që i bëhet, për të drejtat e tij, si dhe t'i krijohet mundësia për të njoftuar familjen ose të afërmit e tij;
b) të ketë kohën dhe lehtësitë e mjaftueshme për të përgatitur mbrojtjen e vet;
c) të ketë ndihmën pa pagesë të një përkthyesi, kur nuk flet ose nuk kupton gjuhën shqipe;
ç) të mbrohet vetë ose me ndihmën e një mbrojtësi ligjor të zgjedhur prej tij; të komunikojë lirisht dhe privatisht me të, si dhe t'i sigurohet mbrojtja falas, kur nuk ka mjete të mjaftueshme;
d) t'u bëjë pyetje dëshmitarëve të pranishëm dhe të kërkojë paraqitjen e dëshmitarëve, të ekspertëve dhe të personave të tjerë, të cilët mund të sqarojnë faktet.