Neni 59

1. Shteti, brenda kompetencave kushtetuese dhe mjeteve që disponon, si dhe në plotësim të nismës dhe të përgjegjësisë private, synon:
a) punësimin në kushte të përshtatshme të të gjithë personave të aftë për punë;
b) plotësimin e nevojave të shtetasve për strehim;
c) standardin më të lartë shëndetësor, fizik e mendor, të mundshëm;
ç) arsimimin dhe kualifikimin sipas aftësive të fëmijëve dhe të të rinjve, si dhe të personave të pazënë me punë;
d) një mjedis të shëndetshëm dhe ekologjikisht të përshtatshëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm;
dh) shfrytëzimin racional të pyjeve, ujërave, kullotave dhe burimeve të tjera natyrore mbi bazën e parimit të zhvillimit të qëndrueshëm;
e) përkujdesjen dhe ndihmën për të moshuarit, jetimët dhe invalidët;
ë) zhvillimin e sportit dhe të veprimtarive ripërtëritëse;
f) riaftësimin shëndetësor, edukimin e specializuar dhe integrimin në shoqëri të të paaftëve, si dhe përmirësimin në vazhdimësi të kushteve të tyre të jetesës;
g) mbrojtjen e trashëgimisë kombëtare, kulturore dhe kujdesin e veçantë për gjuhën shqipe.
2. Përmbushja e objektivave socialë nuk mund të kërkohet drejtpërdrejt në gjykatë. Ligji përcakton kushtet dhe masën në të cilat mund të kërkohet realizimi i këtyre objektivave.