strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU II - DEPUTETËT

  • Neni 68
  • 1. Kandidatët për deputetë mund të paraqiten vetëm nga partitë politike, nga koalicionet e partive, si dhe nga zgjedhësit.
    2. Rregullat për caktimin e kandidatëve për deputetë, për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve, si dhe përcaktimi i zonave zgjedhore dhe kushtet e vlefshmërisë së zgjedhjeve rregullohen nga ligji për zgjedhjet.

  • Neni 69
  • 1. Nuk mund të kandidojnë e as të zgjidhen deputetë, pa hequr dorë nga detyra:
    a) gjyqtarët, prokurorët;
    b) ushtarakët e shërbimit aktiv;
    c) punonjësit e policisë dhe të sigurimit kombëtar;
    ç) përfaqësuesit diplomatikë;
    d) kryetarët e bashkive dhe të komunave, si dhe prefektët në vendet ku kryejnë detyrat e tyre;
    dh) kryetarët dhe anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve;
    e) Presidenti i Republikës dhe funksionarët e lartë të administratës shtetërore të parashikuar nga ligji.
    2. Mandati i fituar në kundërshtim me paragrafin 1 të këtij neni është i pavlefshëm.

  • Neni 70
  • 1. Deputetët përfaqësojnë popullin dhe nuk lidhen me asnjë mandat detyrues.
    2. Deputetët nuk mund të ushtrojnë njëkohësisht asnjë detyrë tjetër shtetërore, përveç asaj të anëtarit të Këshillit të Ministrave. Rastet e tjera të papajtueshmërisë caktohen me ligj.
    3. Deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre.
    4. Për çdo shkelje të paragrafit 3 të këtij neni, me mocion të kryetarit të Kuvendit ose të një së dhjetës së anëtarëve të tij, Kuvendi vendos për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila konstaton papajtueshmërinë.

  • Neni 71
  • 1. Mandati i deputetit fillon ditën që ai shpallet i zgjedhur nga komisioni përkatës i zgjedhjeve.
    2. Mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm, sipas rastit:
    a) kur ai nuk bën betimin;
    b) kur heq dorë nga mandati;
    c) kur vërtetohet një nga kushtet e pazgjedhshmërisë ose papajtueshmërisë të parashikuara në nenet 69, 70 paragrafët 2 dhe 3;
    ç) kur mbaron mandati i Kuvendit;
    d) kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend;
    dh) kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.

  • Neni 72
  • Para fillimit të ushtrimit të mandatit deputetët bëjnë betimin në Kuvend.

  • Neni 73
  • 1. Deputeti nuk mban përgjegjësi për mendimet e shprehura në Kuvend dhe për votat e dhëna prej tij. Kjo dispozitë nuk zbatohet në rastin e shpifjes.
    2. Deputeti nuk mund të ndiqet penalisht pa autorizimin e Kuvendit. Autorizimi kërkohet edhe në rastin kur ai do të arrestohet.
    3. Deputeti mund të ndalohet ose të arrestohet pa autorizim kur kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi të rëndë. Në këto raste, Prokurori i Përgjithshëm njofton menjëherë Kuvendin, i cili, kur konstaton se nuk ka vend për procedim, vendos për heqjen e masës.
    4. Për rastet e parashikuara në paragrafët 2 dhe 3 të këtij neni, Kuvendi vendos me votim të fshehtë.
    _______
    Interpretuar me Vendim të Gjykatës Kushtetuese, nr.39, datë 23.6.2000, shih fq.83