strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

PJESA E TETËMBËDHJETË - DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

  • Neni 178
  • 1. Ligjet dhe aktet e tjera normative të miratuara para datës së hyrjes në fuqi të kësaj Kushtetute do të zbatohen derisa nuk janë shfuqizuar.
    2. Këshilli i Ministrave i paraqet Kuvendit projektligjet e nevojshme për vënien në zbatim të kësaj Kushtetute.

  • Neni 179
  • 1. Mandati i organeve kushtetuese që do të ekzistojnë me hyrjen në fuqi të kësaj Kushtetute mbaron me afatet e parashikuara në ligjin nr.7491, datë 29.4.1991 'Për dispozitat kryesore kushtetuese', me ndryshimet dhe plotësimet përkatëse.
    2. Anëtarët e Gjykatës së Kasacionit vazhdojnë veprimtarinë e tyre si anëtarë të Gjykatës së Lartë, sipas mandatit të mëparshëm.
    3. Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë të zgjedhur nga radhët e prokurorëve zëvendësohen me anëtarë të rinj të zgjedhur nga mbledhja e përgjithshme e gjyqtarëve.
    4. Organet e pushtetit vendor vazhdojnë veprimtarinë deri në mbarim të mandatit të tyre.
    ________
    Interpretuar me Vendim të Gjykatës Kushtetuese, nr..8, datë 3.3.2000, shih fq.76 si dhe me Vendim të Gjykatës Kushtetuese, nr.37, datë 23.6.2000, shih fq.78

  • Neni 180
  • 1. Marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë para hyrjes në fuqi të kësaj Kushtetute konsiderohen të ratifikuara sipas kësaj Kushtetute.
    2. Këshilli i Ministrave i paraqet Gjykatës Kushtetuese marrëveshjet ndërkombëtare, të cilat përmbajnë dispozita që vijnë në kundërshtim me këtë Kushtetutë.

  • Neni 181
  • 1. Kuvendi, brenda dy deri tre vjetëve nga hyrja në fuqi e kësaj Kushtetute, nxjerr ligje për rregullimin e drejtë të çështjeve të ndryshme që lidhen me shpronësimet dhe konfiskimet e kryera para miratimit të kësaj Kushtetute, duke u udhëhequr nga kriteret e nenit 41.
    2. Ligjet dhe aktet e tjera normative të miratuara para datës së hyrjes në fuqi të kësaj Kushtetute dhe që kanë të bëjnë me shpronësimet dhe konfiskimet, do të zbatohen kur nuk vijnë në kundërshtim me të.

  • Neni 182
  • Ligji nr.7491, datë 29.4.1991 'Për dispozitat kryesore kushtetuese', si dhe ligjet e tjera kushtetuese shfuqizohen ditën e hyrjes në fuqi të kësaj Kushtetute.

  • Neni 183
  • Kjo Kushtetutë hyn në fuqi me shpalljen nga Presidenti i Republikës. Miratuar me ligjin nr.8417, datë 21.10.1998