strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU III - Procedura e arbitrazhit

  • Neni 415 - Fillimi i veprimtarisë së gjykatës së arbitrazhit
  • Gjykata e arbitrazhit e fillon veprimtarinë e saj procedurale nga çasti kur është krijuar, përveç kur në marrëveshje janë caktuar gjithë arbitrat. Në këtë rast, quhet se e fillon veprimtarinë kur njëra prej palëve ngarkon arbitrin ose arbitrat me kryerjen e misionit të tyre.

  • Neni 416 - Përcaktimi i procedurës së punës
  • Palët mund të përcaktojnë vetë procedurën e punës të gjykatës së arbitrazhit, duke pranuar rregullat e vendosura për gjykatat ose duke iu referuar rregullave procedurale të një organizmi arbitrazhi të zgjedhur prej tyre.
    Nëse një rregullim i tillë nuk është bërë nga palët, gjykata e arbitrazhit i cakton vetë ato, qoftë edhe duke iu referuar një rregulloreje të një organizmi arbitrazhi.
    Pavarësisht nga sa u parashtrua në dy paragrafët e mësipërm, gjykata e arbitrazhit është e detyruar të respektojë parimet drejtuese të procesit, të garantojë barazinë ndërmjet palëve dhe të drejtën e tyre për t’u dëgjuar në një procedurë kontradiktore.

  • Neni 417
  • Gjykata e arbitrazhit, kryesisht ose me kërkesën e palëve, vendos për kompetencën e vet, duke përfshirë edhe vlefshmërinë e marrëveshjes së arbitrazhit. Kur ajo pranon me vendim se marrëveshja e arbitrazhit është e pavlefshme, quhet se ajo e ka përfunduar misionin e saj.

  • Neni 418 - Marrja e masave për sigurimin e padisë
  • Gjykata e arbitrazhit, me kërkesën e njërës prej palëve mund të vendosë marrjen e masave për sigurimin e padisë, përveç kur ka marrëveshje të kundërt ndërmjet palëve. Nëse palët nuk kanë vendosur rregulla për një qëllim të tillë, gjykata e arbitrazhit zbaton rregullat e parashikuara në këtë Kod për sigurimin e padisë.
    Nëse pala tjetër nuk zbaton vullnetarisht këto masa, gjykata e arbitrazhit i drejtohet gjykatës kompetente, e cila vendos sipas rregullave të caktuara në këtë Kod.

  • Neni 419 - Vendi i zhvillimit të arbitrazhit
  • Palët mund të caktojnë në marrëveshjen e arbitrazhit vendin se ku do të zhvillohet procedura e arbitrazhit. Në mungesë të marrëveshjes, vendin e cakton gjykata e arbitrazhit. Nëse edhe kjo nuk mund të marrë një vendim të tillë, atëherë vendi se ku do të zhvillohet procedura e arbitrazhit do të jetë vendbanimi ose qendra e palës së paditur.

  • Neni 420 - Lejimi dhe marrja e provave
  • Palët mund të paraqitin si provë dokumentet me shkresë që atyre u duken të rëndësishme për zgjidhjen e mosmarrëveshjes ose t’u referohen dokumenteve dhe mjeteve të tjera provuese.
    Ato mund të shtojnë ose të pakësojnë objektin e padisë ose të ndryshojnë shkakun ligjor të saj deri në përfundimin e hetimit gjyqësor.
    Kjo dispozitë nuk zbatohet kur palët në marrëveshjen e arbitrazhit ose në mungesë të saj, gjykata e arbitrazhit në rregulloren e pranuar prej saj, ka parashikuar ndryshe. Megjithëkëtë marrëveshja nuk duhet të prekë parimet e marrjes së lirë të provave.

  • Neni 421
  • (Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 126)

    Gjykata e arbitrazhit vepron vetë për marrjen e provave të nevojshme. Në rast se ndeshen vështirësi në marrjen e tyre, siç mund të jetë refuzimi për t’u paraqitur në gjykatën e arbitrazhit, për të paraqitur një provë shkresore ose për të marrë të dhëna nga një institucion shtetëror a privat, këto i kërkohen gjykatës së shkallës së parë, e cila vepron sipas rregullave të përcaktuara në këtë Kod për gjykatat.

  • Neni 422 - Gjykimi në mungesë
  • Kur paditësi ose i padituri nuk janë paraqitur në ditën e orën e caktuar të seancës gjyqësore pa ndonjë shkak të përligjur, gjykata e arbitrazhit zhvillon gjykimin në mungesë. Mosparaqitja e një pale nuk duhet të konsiderohet si pohim i pretendimeve të palës tjetër.

  • Neni 423 - Zëvendësimi i arbitrit
  • Arbitri i emëruar duhet të ndjekë misionin e ngarkuar deri në përfundimin e tij. Ai nuk mund të abstenojë ose të heqë dorë nga gjykimi i mosmarrëveshjes, përveçse për motive të parashikuara nga neni 408 i këtij Kodi. Në një rast të tillë zëvendësimi i tij bëhet sipas rregullave të parashikuara në këtë Kod.

  • Neni 424 - Hartimi i akteve procedurale
  • Aktet dhe procesverbalet që kryhen gjatë procedurës së arbitrazhit, hartohen bashkarisht nga të gjithë arbitrat, përveç kur në marrëveshjen e arbitrazhit palët kanë pranuar që këto veprime të kryhen nga njëri prej tyre.

  • Neni 425 - Marrja fund e gjykimit të arbitrazhit
  • Në rast se palët nuk kanë parashikuar ndryshe në marrëveshje, një gjykim arbitrazhi merr fund kur:
    a) arbitri revokohet, vdes, i dalin pengesa në plotësimin e misionit të ngarkuar ose i ka humbur plotësisht të gjitha të drejtat civile;
    b) me abstenimin ose heqjen dorë nga misioni i arbitrit, kur është rasti i parashikuar nga neni 423 i këtij Kodi;
    c) me mbarimin përfundimisht të afatit të arbitrazhit.

  • Neni 426 - Mbyllja e hetimit gjyqësor
  • Pasi të jenë marrë provat e nevojshme dhe të jetë mbyllur hetimi gjyqësor, arbitri cakton datën në të cilën do të diskutohet mosmarrëveshja dhe do të merret vendimi përkatës. Pas kësaj date nuk mund të paraqiten prova e të parashtrohen kërkesa, përveç kur gjykata e arbitrazhit vlerëson ndryshe.

  • Neni 427 - Ligji i zbatueshëm
  • (Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 65)

    Gjykata e arbitrazhit zbaton legjislacionin shqiptar.