KREU I

  • Neni 278 - Përfshirja në procedurën e falimentimit
  • 1. Procedura e falimentimit e hapur në territorin e Republikës së Shqipërisë, mbulon gjithë pasuritë e debitorit në çdo shtet që ato ndodhen.

    2. Nëse debitori nuk ka seli ose vendbanim në territorin e Republikës së Shqipërisë, por ka një degë të veprimtarisë së vet në këtë territor ose ushtron aty një tjetër veprimtari ekonomike, mund të hapet një procedurë falimentimi (procedurë e veçantë), e cila mbulon vetëm pasuritë e debitorit të cilat ndodhen në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe në të cilat marrin pjesë vetëm ata kreditorë falimentimi, pretendimet e të cilëve lindin për këtë veprimtari, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, ose vendbanimi i të cilëve është në territorin e Republikës së Shqipërisë.

  • Neni 279 - Njohja e një procedure të huaj falimentimi
  • 1. Një procedurë falimentimi e hapur në një shtet të huaj njihet në Shqipëri nëse:
    a) debitori ka vendbanim ose seli në këtë shtet;
    b) procedura e falimentimit nuk cenon parimet themelore të legjislacionit shqiptar dhe sidomos dispozitat kushtetuese.

  • Neni 280 - Pasojat e njohjes
  • 1. Pasojat e hapjes së procedurës së falimentimit diktohen nga e drejta e shtetit të huaj, përveç rasteve kur:
    a) nuk është pezulluar padia e ngritur në territorin e Republikës së Shqipërisë;
    b) nuk cenohen të drejtat e pronësisë mbi pasuri të luajtshme e të paluajtshme në territorin e Republikës së Shqipërisë;
    c) kontratat për pasuri të paluajtshme brenda Shqipërisë ose çdo kontratë punësimi i nënshtrohet vetëm së drejtës shqiptare.

    2. Vendimet e një gjykate të huaj ose të një përfaqësuesi të huaj, për shmangie të veprimeve ligjore, njihen në territorin e Republikës së Shqipërisë vetëm nëse këto veprime ligjore janë shmangie edhe sipas ligjit shqiptar.

  • Neni 281 - Procedurat dytësore
  • 1. Njohja e një procedure të huaj falimentimi nuk parandalon hapjen e një procedure të veçantë, si procedurë dytësore e procedurës kryesore, në territorin e Republikës së Shqipërisë, sipas pikës 2 të nenit 278 të këtij ligji.

    2. Përveç debitorit dhe kreditorëve, administratori ose përfaqësues të tjerë të emëruar të pasurive të debitorit në procedurën e huaj të falimentimit kanë të drejtën të paraqesin kërkesë për hapjen e procedurës dytësore.

    3. Procedura dytësore hapet pa qenë nevoja të tregohet shkaku, sipas nenit 13 të këtij ligji.

  • Neni 282 - Bashkëpunimi
  • 1. Kur hapen dhe zhvillohen, njëkohësisht, procedura e huaj dhe procedura sipas këtij ligji për të njëjtin debitor, gjykata dhe administratori bashkëpunojnë në shkallën më të lartë me gjykatën e huaj ose përfaqësuesit e huaj.

    2. Seksioni tregtar i gjykatës së rrethit ka të drejtë të komunikojë drejtpërdrejt ose të kërkojë të dhëna ose asistencë nga gjykata e huaj ose përfaqësuesit e huaj.

  • Neni 283
  • Ligji nr.8017, datë 25.10.1995 “Për procedurat e falimentimit”, shfuqizohet.

  • Neni 284
  • Ky ligj hyn në fuqi më 1 tetor 2002.

    Ligj nr.8901, datë 23.5.2002 shpallur me dekretin nr.3383, datë 26.6.2002 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Rexhep Meidani

    Botuar në Fletoren Zyrtare 31, faqe 955