Neni 219 - Pretendimet e kundërshtueshme. Pretendimet me zëvendësim

1. Nëse një pretendim është kundërshtuar në mbledhjen e verifikimit ose shuma e pretendimit zëvendësues të ngritur nga kreditori i falimentimit me të drejtë ripagimi të veçantë nuk është verifikuar ende, nuk vërtetohet rasti i mospërmbushjes së detyrimit në zbatim të planit të riorganizimit në përputhje me pikën 1 të nenit 218 të këtij ligji, me kusht që debitori të marrë parasysh pretendimin derisa të bëhet verifikimi i shumës së kërkuar në masën që i përgjigjet vendimit të seksionit tregtar të gjykatës së rrethit mbi të drejtën e votës së këtij kreditori për votimin për planin e riorganizimit. Në qoftë se gjykata nuk merr vendim për të drejtën e votimit, me kërkesë të debitorit ose të kreditorit, ajo merr një vendim të mëvonshëm për shumën e pretendimit, që debitori duhet të marrë parasysh në periudhën e kushteve të përkohshme.

2. Në qoftë se ky verifikim përfundimtar tregon se debitori ka paguar në mënyrë të pamjaftueshme, atëherë paguhet shuma e prapambetur. Quhet mospërmbushje e zbatimit të planit në masë të ndjeshme vetëm rasti kur debitori nuk paguan shumën e prapambetur, megjithëse kreditori ka njoftuar me shkrim dhe i ka lejuar një afat prej jo më pak se dy javësh.

3. Në qoftë se përcaktimi përfundimtar tregon se debitori ka mbipaguar, ai mund të kërkojë kthimin e shumës së mbipaguar vetëm për sasinë që tejkalon shumën e pamaturuar të pretendimit të kreditorit sipas planit të riorganizimit.