Neni 220 - Zbatimet e planit

1. Kreditorët e falimentimit, pretendimet e të cilëve janë verifikuar dhe janë të pakundërshtuara nga debitori, mund të kërkojnë ekzekutimin e pretendimeve ndaj debitorit në mbledhjen e verifikimit në të njëjtën mënyrë sikur të ishte një vendim i formës së prerë, në bazë të planit të miratuar të falimentimit. Pretendimi i pakundërshtuar barazohet me një pretendim të cilit i është hedhur poshtë kundërshtimi i ngritur. Neni 165 i këtij ligji zbatohet sipas rastit.

2. I njëjti rregull vlen edhe për ekzekutimin e detyrueshëm të debitorit ndaj një të treti, i cili garanton përmbushjen e detyrimeve sipas planit me anë të një deklarate me shkrim të dorëzuar në seksionin tregtar të gjykatës së rrethit pa rezervën e kundërshtimit.

3. Në qoftë se një kreditor pretendon të drejtën që i takon në rastin e moszbatimit të planit të falimentimit nga debitori në një masë të ndjeshme, kreditori, për të përdorur klauzolën e ekzekutimit për këto të drejta dhe me qëllim që të fillojë ekzekutimin, duhet t’i provojë gjykatës, në mënyrë bindëse, pjesën e papaguar dhe mbarimin e periudhës së njoftimit, por nuk duhet të provojë fakte të tjera për mospërmbushjen e detyrimit nga debitori.