Neni 253 - Refuzimi për shkarkimin nga detyrimi i mbetur

1. Vendimi nuk pranon shkarkimin nga detyrimi i mbetur kur mospranimi është kërkuar nga një kreditor i falimentimit në mbledhjen përfundimtare dhe kur:
a) debitori është dënuar me vendim të formës së prerë për një vepër penale, sipas dispozitave të Kodit Penal;
b) debitori, në tri vitet e fundit para kërkesës për fillimin e procedurës së falimentimit ose pas paraqitjes së kësaj kërkese, me qëllim ose për shkak të pakujdesisë ka dhënë deklaratë, me shkrim, false ose të paplotë, për gjendjen e tij ekonomike, me anë të së cilës debitori ka zbatuar për një kredi, për grante nga fonde publike ose ka shmangur pagesa në favor të fondeve publike;
c) debitori është shkarkuar nga detyrimet e mbetura në dhjetë vitet e fundit përpara kërkesës për hapjen e procedurës së falimentimit ose pas kërkesës, ose nëse kjo kërkesë është hedhur poshtë sipas neneve 259 ose 260 të këtij ligji;
ç) debitori, në vitin e fundit përpara kërkesës për hapjen e procedurës së falimentimit ose pas kësaj kërkese, me qëllim ose nga pakujdesia, ka penguar ripagimin e kreditorëve të falimentimit, duke krijuar detyrime të panevojshme, duke shpërdoruar pasuritë ose duke vonuar hapjen e procedurës së falimentimit ose të perspektivës për përmirësimin e gjendjes së tij ekonomike;
d) gjatë procedurës së falimentimit, debitori me qëllim ose nga pakujdesia ka shkelur detyrimin për të dhënë të dhëna ose për të bashkëpunuar;
dh) debitori ka dhënë deklarata false ose të paplota, me qëllim ose nga pakujdesia, në listat e detyrueshme për t’u paraqitur për pasurinë dhe të ardhurat e tij, të kreditorëve të tij dhe të pretendimeve të ngritura ndaj tij.

2. Kërkesa e kreditorit për mospranim shoqërohet me një letërshpjeguese të shkaqeve për të cilat nuk duhet pranuar shkarkimi nga detyrimi i mbetur.