Neni 26 - Vendimi për hapjen e procedurave të falimentimit

1. Seksioni tregtar i gjykatës së rrethit vendos hapjen e procedurës së falimentimit kur çmon se janë shkaqet dhe kushtet e tjera të parashikuara në këtë ligj për hapjen e procedurës së falimentimit.

2. Vendimi për hapjen e procedurës së falimentimit përmban :
a) emrin, mbiemrin dhe vendbanimin e debitorit në rastin e personave, ose emrin, llojin e veprimtarisë dhe selinë në rastin e personit juridik;
b) emrin, mbiemrin dhe adresën e administratorit të falimentimit;
c) orën e saktë kur është hapur procedura e falimentimit;
ç) të dhënat e parashikuara në nenet 27 dhe 29 të këtij ligji.

3. Nëse vendimi nuk përcakton orën e saktë të hapjes së procedurës së falimentimit, atëherë si orë e saktë e hapjes së kësaj procedure merret ora dymbëdhjetë e ditës së shpalljes së vendimit.

4. Së bashku me hapjen e procedurës së falimentimit, seksioni tregtar i gjykatës së rrethit vendos emërimin e administratorit të falimentimit.

5. Rregullat e parashikuara në në këtë nen nuk përjashtojnë zbatimin e detyrimeve të parashikuara në nenet 233 dhe 276 të këtij ligji.