Neni 31 - Regjistri i Pasurive të Paluajtshme

1. Vendimi për hapjen e procedurës së falimentimit regjistrohet në Regjistrin e Pasurive të Paluajtshme, duke bërë shënimet përkatëse:
a) mbi çdo pasuri të paluajtshme, ku debitori është regjistruar si pronar;
b) mbi të drejtat e tjera të regjistruara të debitorit mbi pasuri të paluajtshme ose të drejta të tjera të regjistruara.

2. Nëse seksioni tregtar i gjykatës së rrethit ka dijeni për pasuri të paluajtshme, ku debitori është pronar ose gëzon të drejta të tjera të regjistrueshme, ai duhet të kërkojë, kryesisht, regjistrimin në Regjistrin e Pasurive të Paluajtshme. Edhe administratori i falimentimit mund të kërkojë regjistrim në Regjistrin e Pasurive të Paluajtshme.

3. Në qoftë se administratori i falimentimit tjetërson ose heq dorë nga pronësia mbi pasuri të paluajtshme ose nga të drejta të tjera të regjistruara të debitorit, mbi të cilat janë kryer veprimet e parashikuara në pikat 1 dhe 2 të këtij neni, seksioni tregtar i gjykatës së rrethit ose administratori i përkohshëm i falimentimit i kërkon autoritetit përkatës përmbushjen e procedurave përkatëse në Regjistrin e Pasurive të Paluajtshme.

4. Procedurat e parashikuara në këtë nen zbatohen, sipas rastit, edhe për regjistrimin e vendimit të hapjes së procedurës së falimentimit dhe vendosjen e shënimeve përkatëse në regjistrat e tjerë, të mbajtur, sipas ligjit, nga autoritete të tjera publike, të ngarkuara me regjistrimin e pronësisë ose të të drejtave të tjera të debitorit mbi sende që bëjnë pjesë në masën e falimentimit.