Neni 83 - Kontrolli i postës së debitorit

1. Nëse është e nevojshme për të hetuar ose parandaluar veprimet e debitorit, që dëmtojnë kreditorët, seksioni tregtar i gjykatës së rrethit, me kërkesë të administratorit të falimentimit ose, kryesisht, me vendim të arsyetuar, urdhëron që administratori të kontrollojë të gjithë ose një pjesë të korrespondencës së debitorit. Para shpalljes së këtij vendimi, seksioni tregtar i gjykatës së rrethit kërkon dhe dëgjon debitorin, me përjashtim të rastit kur, për shkak të rrethanave të veçanta, një gjë e tillë rrezikon qëllimin e urdhërimit. Nëse debitori nuk dëgjohet paraprakisht, vendimi i seksionit tregtar të gjykatës së rrethit duhet të shpjegojë arsyet për mospërmbushjen e këtij veprimi dhe seanca e dëgjimit të debitorit duhet të mbahet pa vonesë.

2. Administratori mund të hapë korrespondencën e debitorit. Korrespondenca, që nuk ka të bëjë me masën e falimentimit, i dorëzohet menjëherë debitorit. Debitori mund të inspektojë dërgesat e tjera postare.

3. Debitori mund të bëjë ankim të veçantë kundër vendimit për kontroll të korrespondencës së vet. Seksioni tregtar i gjykatës së rrethit pezullon zbatimin e vendimit për kontrollin e korrespondencës së debitorit pasi dëgjon më parë administratorin e falimentimit, në rast se nuk ekziston më shkaku për ushtrimin e këtij kontrolli.