Neni 9 - Shpallja publike

1. Shpalljet publike të vendimeve dhe akteve për fillimin dhe përfundimin e procedurës së falimentimit bëhen me publikimin e tyre në organet e informacionit të caktuar për njoftimet zyrtare të gjykatës.
Organet e informacionit dhe tarifa për publikimin e njoftimeve zyrtare caktohen nga Këshilli i Ministrave.

2. Kur çmohet nga seksioni tregtar i gjykatës së rrethit, publikimi i akteve të procedurës së falimentimit mund të bëhet edhe i pjesshëm ose i shkurtuar.

3. Akti i publikuar duhet të përmbajë të dhënat e debitorit dhe, në mënyrë të veçantë, adresën dhe degën e shoqërisë ose të veprimtarisë së tij.

4. Seksioni tregtar i gjykatës së rrethit mund të urdhërojë publikime të tjera, madje dhe të përsëritura, të njoftimeve.

5. Shpallja publike, sipas dispozitave të këtij ligji, merret si njoftim i të gjithë pjesëmarrësve në procedurën e falimentimit edhe sikur dispozita të veçanta të këtij ligji të kërkojnë njoftim të veçantë.