Neni 153 - Fondet e mbajtura për të ripaguar kreditorët me të drejtë ripagimi të veçantë

1. Një kreditor me të drejtë ripagimi të veçantë duhet t’i provojë administratorit të falimentimit, në mënyrë bindëse, jo më vonë se afati i parashikuar në pikën 1 të nenit 152 të këtij ligji, se për çfarë shume ka hequr dorë nga e drejta e ripagimit të veçantë ose për çfarë shume nuk është shlyer ripagimi i veçantë. Në qoftë se kreditori nuk ia vërteton këto fakte administratorit, në mënyrë bindëse në kohën e duhur, pretendimi nuk merret parasysh gjatë shpërndarjes.

2. Kreditori quhet se ka përmbushur detyrimin e përmendur në pikën 1 të këtij neni për të marrë pjesën në shpërndarjen e parë, nëse ai i provon administratorit të falimentimit, në mënyrë bindëse dhe jo më vonë se periudha kohore e përcaktuar, që shitja e sendit që i nënshtrohet të drejtës së ripagimit të veçantë ka filluar dhe cila pjesë e shumës së pretendimit të tij mbetet e pashlyer. Në këtë rast, pjesa që i përgjigjet pretendimit të tij mbahet gjatë shpërndarjes. Në qoftë se kushtet e pikës 1 të këtij neni nuk janë plotësuar, pjesa e rezervuar zhbllokohet në shpërndarjen përfundimtare dhe lejohet të përdoret gjatë kësaj shpërndarjeje.

3. Në qoftë se të drejtën e disponimit të sendit, që i nënshtrohet së drejtës për ripagim të veçantë e ka vetëm administratori i falimentimit, pikat 1 dhe 2 të këtij neni nuk zbatohen. Gjatë shpërndarjes së parë, administratori që nuk ka shitur ende sendin duhet të vlerësojë çfarë humbje ka pësuar kreditori dhe të mbajë pjesën që shërben për të shlyer këtë shumë.