Neni 271 - Pranimi i planit të shlyerjes së detyrimeve

1. Në qoftë se asnjë kreditor nuk ka paraqitur vërejtje ndaj planit të shlyerjes së detyrimeve ose në qoftë se pranimi zëvendësohet, sipas nenit 272 të këtij ligji, plani i shlyerjes së detyrimeve vlerësohet i pranuar. Seksioni tregtar i gjykatës së rrethit e përcakton këtë në vendim. Plani i shlyerjes së detyrimeve ka fuqinë dhe pasojat e një titulli ekzekutiv, sipas nenit 510 të Kodit të Procedurës Civile. Një kopje e planit të shlyerjes së detyrimeve dhe e vendimit, sipas fjalisë së parë, u dorëzohet kreditorëve dhe debitorit.

2. Kërkesa për hapjen e procedurës së falimentimit dhe e lëshimit të urdhrit për shkarkimin nga detyrimi i mbetur vlerësohet e tërhequr.

3. Nëse në listën e debitorit nuk figurojnë pretendimet dhe kur ato nuk janë përmendur gjatë përgatitjes së planit të shlyerjes së detyrimeve të mbetura, kreditorët mund të kërkojnë përmbushjen e detyrimit prej debitorit. Kjo dispozitë nuk zbatohet kur kreditori nuk ka plotësuar, brenda afatit të caktuar, të dhënat për pretendimin e tij në listën e pretendimeve që i është dërguar nga gjykata, sipas pikës 1 të nenit 270 të këtij ligji, edhe pse pretendimi mund të kishte lindur përpara mbarimit të afatit. Në këtë rast pretendimi bëhet i pavlefshëm.