Neni 35 - Kreditorët e siguruar

1. Kreditorët, që nëpërmjet një veprimi juridik, kanë vendosur barrë siguruese mbi sendin ose në bazë të ligjit kanë fituar një të drejtë mbi sende të masës së falimentimit, si mjet sigurimi për pretendimet e tyre, kanë të drejtë të realizojnë shlyerjen e detyrimit nga kolaterali, në përputhje me dispozitat e zbatueshme jashtë procedurës së falimentimit, por duke iu nënshtruar përjashtimeve të pikës 2 të këtij neni dhe neneve 133 e në vazhdim të këtij ligji.

2. Në procedurën e falimentimit nuk mund të ngrihen pretendime për pengun ligjor të pronarit ose qiradhënësit për pagesë qiraje ose qiraje financiare, që mbulon një periudhë deri në dymbëdhjetë muaj, para hapjes së procedurës së falimentimit, si dhe për çdo lloj dëmshpërblimi që duhet paguar, për shkak se administratori i falimentimit ka zgjidhur këtë kontratë qiraje.