strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU III - PROCEDURË FALIMENTIMI E THJESHTUAR

  • Neni 274 - Fillimi i punës për hapjen e procedurës së falimentimit
  • Në qoftë se plani i shlyerjes së detyrimeve kundërshtohet dhe këto kundërshtime nuk zëvendohen nga një miratim i gjykatës, sipas nenit 272 të këtij ligji, procedura për hapjen e procedurës së falimentimit fillon përsëri, kryesisht.

  • Neni 275 - Thjeshtimet e përgjithshme të procedurës
  • 1. Kur hapet procedura e falimentimit në kundërshtim me nenin 28 të këtij ligji, caktohet vetëm një mbledhje verifikimi.

    2. Në qoftë se rrethanat pasurore të debitorit janë të qarta dhe numri i kreditorëve ose masa e detyrimeve është e vogël, seksioni tregtar i gjykatës së rrethit mund të urdhërojë që procedura ose një pjesë e saj të bëhen me shkrim. Gjykata mund të anulojë ose të ndryshojë këtë urdhër në çdo kohë.

    3. Dispozitat për planin e riorganizimit, sipas neneve 180 deri në 230 të këtij ligji, dhe për vetadministrimin, sipas neneve 233 deri në 248 të këtij ligji, nuk zbatohen.

  • Neni 276 - Kujdestari
  • 1. Detyrat e administratorit të falimentimit i kalojnë kujdestarit të zgjedhur, sipas nenit 255 të këtij ligji. Kujdestari caktohet në fillim të procedurës së falimentimit. Nenet 43 deri në 47 të këtij ligji zbatohen sipas rastit.

    2. Kujdestari nuk ka të drejtën e shfrytëzimit të sendeve të vëna peng ose të caktuara si sende për të drejtë ripagimi të veçantë. Të drejtat e kreditorëve të siguruar mbeten të paprekura.

  • Neni 277 - Shpërndarja e thjeshtuar
  • 1. Me kërkesë të kujdestarit, seksioni tregtar i gjykatës së rrethit urdhëron heqjen dorë krejtësisht ose pjesërisht nga likuidimi i masës së falimentimit. Në këtë rast ajo udhëzon debitorin t’i paguajë kujdestarit një shumë shtesë, brenda një afati që e cakton gjykata, shumë e cila i përgjigjet vlerës së pasurive që do t’u shpërndahej kreditorëve të procedurës së falimentimit. Ky urdhër nuk zbatohet kur shlyerja e masës së falimentimit duket tepër e nevojshme, veçanërisht në dobi të kreditorëve.

    2. Para marrjes së vendimit dëgjohen kreditorët e falimentimit.

    3. Vendimi për kërkesën e debitorit për shkarkimin nga detyrimi i mbetur, sipas neneve 252 deri në 254 të këtij ligji, nuk merret deri në mbarimin e afatit të përcaktuar, sipas fjalisë së dytë të pikës 1 të këtij neni. Me kërkesë të njërit prej kreditorëve të falimentimit, gjykata hedh poshtë shkarkimin nga detyrimi i mbetur kur nuk është paguar shuma që duhej paguar, sipas fjalisë së dytë të pikës 1 të këtij neni, edhe pas përfundimit të një afati tjetër prej dy javësh të caktuar nga gjykata, i cili i referohet mundësisë së mosdhënies së shkarkimit nga detyrimi i mbetur. Para marrjes së vendimit dëgjohet debitori.