Neni 53 - Paraqitja e llogarive

1. Në përfundim të detyrës, administratori i falimentimit ka detyrim t’i paraqesë llogaritë në mbledhjen e kreditorëve.

2. Përpara zhvillimit të mbledhjes së kreditorëve, seksioni tregtar i gjykatës së rrethit verifikon llogaritë përfundimtare, të përgatitura nga administratori i falimentimit, së bashku me dokumentacionin mbështetës, shoqëruar me një koment-vërejtje që tregon verifikimin e llogarive.

3. Në rastet kur është caktuar një komitet kreditorësh, llogarive përfundimtare të përgatitura nga administratori i falimentimit i bashkëlidhen edhe komentet e këtij komiteti, për përgatitjen e të cilave gjykata cakton edhe një afat kohor.

4. Periudha ndërmjet paraqitjes së dokumentacionit, sipas këtij neni dhe datës së mbajtjes së mbledhjes së kreditorëve duhet të jetë jo më e vogël se 10 ditë.

5. Mbledhja e kreditorëve mund t’i ngarkojë administratorit të falimentimit të paraqesë llogari ndërmjetëse, në data të caktuara, gjatë zbatimit të procedurës së falimentimit, duke zbatuar, sipas rastit, rregullat e parashikuara në këtë nen.