strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

UDHËZIM Nr.22, datë 29.7.2008 - PËR CAKTIMIN E ADMINISTRATORËVE TË PËRKOHSHËM TË FALIMENTIMIT

Në mbështetje të nenit 102 pika 4 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të germës “b”, të nenit 16 të ligjit nr.8901, datë 23.5.2002 “Për falimentimin”, Ministri i Financave dhe Ministri i Drejtësisë,

UDHËZOJNË:

1. Asnjë person fizik nuk mund të ushtrojë profesionin e administratorit të përkohshëm të falimentimit në rast se nuk përmbush kriteret e përcaktuara në këtë udhëzim, dhe kriteret e përcaktuara në pikën 4 të nenit 16 të ligjit nr.8901, datë 23.5.2002.

2. Mund të ushtrojë profesionin e administratorit të përkohshëm të falimentimit, personi fizik që plotëson kriteret e mëposhtme:

a) të jetë shtetas shqiptar;
b) të ketë kryer studimet në shkencat ekonomike (ekonomi, financë, kontabilitet);
c) të jetë i licencuar si ekspert kontabël i autorizuar;
d) të ketë një eksperiencë pune si ekspert kontabël i autorizuar jo më pak se 5 vjet;
e) të mos jetë i dënuar për kryerjen e një vepre penale.

3. Gjykata, duhet të caktojë si administrator falimentimi vetëm ata persona fizikë që përmbushin kriteret e përcaktuara në këtë udhëzim dhe që janë të regjistruar në listën e ekspertëve të gjykatës.

4. Ky udhëzim zbatohet deri në momentin e plotësimit të numrit të mjaftueshëm të administratorëve të falimentimit sipas kritereve, për arsimin profesional dhe provimin e parashikuar në nenin 43 të ligjit “Për falimentimin”.

5. Personat e zgjedhur nga gjykata sipas këtij udhëzimi, edhe pas plotësimit të numrit të administratorëve të falimentit sipas pikës 4, vazhdojnë detyrën deri në përfundimin e procedurës së falimentimit.

Ky udhëzim hyn në fuqi pas publikimit në Fletoren Zyrtare.

MINISTRI I DREJTËSISË MINISTRI I FINANCAVE
Enkelejd Alibeaj Ridvan Bode

Botuar në Fletoren Zyrtare nr.129, faqe 5708