VENDIM Nr.197, datë 13.4.2007 - PËR KUSHTET DHE KRITERET E PËRCAKTIMIT TË MASËS SË SHPËRBLIMIT DHE TË RIMBURSIMIT TË SHPENZIMEVE TË ADMINISTRATORIT TË FALIMENTIMIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 52 të ligjit nr.8901, datë 23.5.2002
“Për falimentimin”, me propozimin e Ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

1. Shpërblimi i administratorit të falimentimit përcaktohet nga gjykata, në përputhje me nenet 50 e 51 të ligjit nr.8901, datë 23.5.2002 “Për falimentimin”.

2. Në përcaktimin e shpërblimit sipas pikës 1 të këtij vendimi, gjykata merr parasysh punën e kryer, rezultatet e arritura, rëndësinë e falimentimit dhe kujdesin e treguar nga administratori i falimentimit, në përmbushjen e detyrave të tij.

3. Shpërblimi i administratorit të falimentimit përbëhet nga pagimi një përqindjeje të shumës së aktivit të grumbulluar (masa e falimentimit në përfundim të procedurës së falimentimit), sipas këtyre kufijve:

a) nga 12 për qind në 14 për qind, kur aktivi nuk është më shumë se 1 000 000 (një milion) lekë;

b) nga 10 për qind në 12 për qind, kur aktivi është mbi 1 000 000 (një milion) deri në 3 000 000 (tre milionë) lekë;

c) nga 8.50 për qind në 9.50 për qind, kur aktivi është mbi 3 000 000 (tre milionë) deri në 5 000 000 (pesë milionë) lekë;

ç) nga 7 për qind në 8 për qind, kur aktivi është mbi 5 000 000 (pesë milionë) deri në 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë;

d) nga 5.5 për qind në 6.5 për qind, kur aktivi është mbi 10 000 000 (dhjetë milionë) deri në 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) lekë;

dh) nga 4 për qind në 5 për qind, kur aktivi është mbi 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) deri në 100 000 000 (njëqind milionë) lekë;

e) deri në 1.80 për qind, kur aktivi është mbi 100 000 000 (njëqind milionë) deri në 200 000 000 (dyqind milionë) lekë;

h) deri në 0.90 për qind, kur tejkalon 200 000 000 (dyqind milionë) lekë.

4. Administratorit të falimentimit i paguhet, gjithashtu, mbi shumën e pasivit të falimentimit, një shpërblim shtesë nga 0,15 deri në 0,75 për qind për shumën deri në 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë dhe nga 0.05 deri në 0.37 për qind për shumën mbi 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë.

5. Në rast të pushimit të veprimtarisë së administratorit, para përfundimit të procedurës së falimentimit, përfiton shpërblim në raport me punën e kryer.

6. Kur gjykata autorizon vazhdimin e veprimtarisë ekonomike, nëpërmjet riorganizimit, administratorit i jepet, përveç shpërblimit sipas pikave 3 e 4 të këtij vendimi edhe një shpërblim shtesë, prej 0.25 për qind të shumës së fitimit bruto dhe prej 0.50 për qind mbi të ardhurat bruto, të arritura gjatë ushtrimit të kësaj veprimtarie.

7. Në çdo rast, shpërblimi i administratorit të falimentimit nuk mund të jetë më pak se 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë.

8. Administratorit të falimentimit i rimbursohen shpenzimet e bëra, të provuara me dokumente dhe të autorizuara nga gjykata.

9. Shpërblimi i administratorit përballohet nga masa e falimentimit. Me vendim të gjykatës, shuma e shpërblimit dhe rimbursimi i shpenzimeve, në përputhje me këtë vendim, mund t’i parapaguhen administratorit të falimentimit.

10. Administratori i përkohshëm i falimentimit, i caktuar nga gjykata, në përputhje me nenin 22 të ligjit nr.8901, datë 23.5.2002 “Për falimentimin”, shpërblehet me një shumë fikse prej 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekësh në muaj, e cila përballohet nga masa e falimentimit.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

KRYEMINISTRI Sali Berisha
Botuar në Fletoren Zyrtare nr.50, faqe 1323