strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

III. NDËRMARRJE SHTETËRORE (TRANSFORMIMI NË SHOQËRI, TREGTARE)

  • VENDIM Nr.194, datë 20.3.1998 - PËR KRITERET E PËRCAKTIMIT TË KAPITALIT THEMELTAR TË SHOQËRIVE SHTETËRORE QË DO TË KRIJOHEN NGA SHDËRRIMI I NDËRMARRJEVE SHTETËRORE NË SHOQËRI TREGTARE
  • Në zbatim të nenit 11 të ligjit nr.7926, datë 20.4.1995 “Për transformimin e ndërmarrjeve në shoqëri tregtare”, me propozimin e Ministrisë së Ekonomisë Publike dhe Privatizimit, Këshilli i Ministrave

    VENDOSI:

    1. Përcaktimi i kapitalit themeltar të shoqërive shtetërore që do të krijohen nga transformimi i ndërmarrjeve shtetërore pas datës 31.1.1998 do të bëhet duke u mbështetur në gjendjen e pasurisë së ndërmarrjes në mbyllje të ushtrimit financiar vjetor.

    2. Kapitalit themeltar të ndërmarrjes shtetërore, në datën e transformimit në shoqëri tregtare, do t’i bashkohen :
    a) shuma e rezervës së zhvillimit;
    b) shuma e rezervës së shpërblimit suplementar që mbetet pas heqjes së pjesës së caktuar ose të dhënë punonjësve për ushtrimin e fondit financiar të mbyllur.
    c) shuma e rezervës për ndihma të menjëhershme që tejkalon 5% të fondit të pagave për periudhën që mbetet deri në mbylljen e ushtrimit;
    d) shuma e rezervave të tjera, me përjashtim të rezervave për ndërtimin e banesave për punonjësit, kur këto gjenden në ndërtim e sipër;
    e) shuma që përfaqëson 85% të diferencave nga rivlerësimi të përcaktuar sipas pikës 5 të këtij vendimi;
    f) vlera e truallit sipas aktvlerësimit të lëshuar nga seksioni i financës dhe urbanistikës të bashkisë a këshillit të rrethit;
    g) kapitalit themeltar të ndërmarrjes shtetërore, në datën e transformimit në shoqëri, do t’i zbriten humbjet e pësuara deri në këtë datë, si dhe shpenzimet për t’u shpërndarë në disa ushtrime që nuk janë të mbuluara nga një provizion, dhe shpenzimet për asistencë.

    3. Kërkesat debitore dhe detyrimet kreditore ndërmjet ndërmarrjeve shtetërore me njëratjetrën do të inventarizohen dhe do të paraqiten në bilancin e riformuar të shoqërisë shtetërore që do të krijohet nga transformimi i ndërmarrjes.
    Ndërmarrjet shtetërore ose shoqëritë shtetërore mund të kryejnë kompensimin e detyrimeve të ndërsjella ndërmjet tyre.
    Ministri i Ekonomisë Publike dhe Privatizimit mund të urdhërojë një ndërmarrje a shoqëri shtetërore të heqë dorë nga kërkimi i detyrimit mbi një ndërmarrje ose shoqëri shtetërore tjetër, kur një gjë e tillë nuk sjell për kreditorin pakësimin e kapitalit nën kufijtë e përcaktuar nga ligji nr.7638, datë 19.11.1992 “Për shoqëritë tregtare”.

    4. Kërkesat debitore të ndërmarrjes mbi buxhetin e shtetit dhe mbi institucionet e tjera buxhetore, qendrore dhe lokale, si dhe detyrimet kreditore të ndërmarrjes ndaj këtyre të fundit, do të inventarizohen veçmas dhe do të paraqiten më vete në bilancin e riformuar të shoqërisë që do të krijohet nga transformimi i ndërmarrjes. Sistemimi i këtyre kërkesave dhe detyrimeve mund të bëhet vetëm me ligj të veçantë.

    5. Vlera kontabël e mbetur e aktiveve të qëndrueshme të trupëzuara aktuale të rivlerësohen sipas kritereve të caktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave nr.192, datë 20.3.1998 “Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore që privatizohet dhe procedura e shitjes”.

    6. Elementet e pasurisë pa vlerë, përdorimi ose të zhvlerësuara të trajtohen, në nxjerrjen e tyre jashtë përdorimit ose në uljen e vlerës, në pajtim me vendimin e Këshillit të Ministrave nr.170, datë 3.4.1993. Ulja e vlerës do të kryhet nga komisioni i vlerësimit dhe me pjesëmarrjen e dy a më shumë ekspertëve të fushave përkatëse, në varësi nga natyra e elementeve të pasurisë.

    7. Bilanci i çeljes së shoqërisë së krijuar nga transformimi i ndërmarrjes shtetërore do të jetë bilanci i reformuar.

    8. Përcaktimi i kapitalit të shoqërive shtetërore do të bëhet nga një komision i ngritur pranë çdo ndërmarrjeje me urdhër të titullarit të saj.

    9. Bilanci i çeljes së shoqërisë do të verifikohet dhe vërtetohet nga një ekspert kontabël i autorizuar, i zgjedhur sipas listës së dërguar nga Instituti i Ekspertëve Kontabël, të autorizuar dhe miratuar nga Ministri i Ekonomisë Publike dhe Privatizimit.

    10. Madhësia e kapitalit themeltar të nevojshëm për shoqëritë që krijohen nga transformimi i ndërmarrjeve shtetërore, vendoset nga Ministri i Ekonomisë Publike dhe Privatizimit.
    Ministri i Ekonomisë Publike dhe Privatizimit ka të drejtë të caktojë (kur ndërmarrja ka gjendje të shëndoshë financiare) një shumë kapitali më të vogël se shuma që del nga llogaritjet e bëra sipas këtij vendimi dhe të urdhërojë tërheqjen e diferencës në një llogari të posaçme të fondit rezervë të Ministrisë së Ekonomisë Publike dhe Privatizimit.

    11. Ministria e Ekonomisë Publike dhe Privatizimit të hartojë udhëzimin përkatës për zbatimin e këtij vendimi.

    12. Vendimi i Këshillit të Ministrave nr.311, datë 12.6.1995 “Për kriteret e përcaktimit të kapitalit themeltar të shoqërive shtetërore që do të krijohen nga shndërrimi i ndërmarrjeve shtetërore në shoqëri tregtare” dhe vendimi i Këshillit të Ministrave nr.85, datë 2.2.1996 “Për një ndryshim në vendimin e Këshillit të Ministrave nr.311, datë 12.6.1995”, shfuqizohen.

    Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

    KRYEMINISTRI Fatos Nano

    Botuar në Fletoren Zyrtare nr.Ekstra VII, faqe 20

  • VENDIM Nr.553, datë 28.8.1998 - PËR REGJISTRIMIN E PASURIVE TË PALUAJTSHME TË SHOQËRIVE TREGTARE, TË KRIJUARA NGA TRANSFORMIMI I NDËRMARRJEVE SHTETËRORE
  • Në mbështetje të nenit 2 të ligjit nr.8237, datë 1.9.1997 “Për disa ndryshime në ligjin nr.7926, datë 20.4.1995 “Për transformimin e ndërmarrjeve shtetërore në shoqëri tregtare”, ndryshuar me dekretin nr.1195, datë 14.8.1995, ligjin nr.8099, datë 28.3.1996, dekretin nr.1631, datë 1.11.1996”, me propozimin e Ministrisë së Ekonomisë Publike dhe të Privatizimit, Këshilli i Ministrave

    VENDOSI:

    1. Pasuritë e paluajtshme, pronë shtetërore, të vendosura si kontribut në natyrë në kapital themeltar të shoqërive tregtare, të krijuara nga transformimi i ndërmarrjeve shtetërore, në bazë të ligjit nr.7926, datë 20.4.1995 “Për transformimin e ndërmarrjeve shtetërore në shoqëri tregtare”, të regjistrohen në regjistrin e pasurive të paluajtshme si pasuri e këtyre shoqërive.

    2. Regjistrimi i pasurive të paluajtshme të bëhet në bazë të urdhrit të Ministrit të Ekonomisë Publike dhe të Privatizimit. Ky urdhër, si rregull, duhet të përmbajë të dhënat për vlerën, kufijtë, sipërfaqen dhe vendndodhjen e pasurisë së paluajtshme, për të cilën kërkohet regjistrimi.

    3. Bashkëlidhur urdhrit të lartpërmendur, të paraqiten për regjistrim në regjistrin e pasurive të paluajtshme, vendimi i gjykatës për regjistrimin në regjistrin tregtar, bashkë me aktet me të cilat krijohet shoqëria tregtare, si dhe planrilevimi i pasurisë së paluajtshme për të cilën kërkohet regjistrimi.

    4. Kur një shoqëri tregtare disponon pasuri të paluajtshme në zona të ndryshme të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, regjistrimi i tyre bëhet pranë zyrës së regjistrimit të pasurisë së paluajtshme, për të cilën kërkohet regjistrimi.

    Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

    KRYEMINISTRI Fatos Nano
    Botuar në Fletoren Zyrtare nr.Ekstra XII, faqe 9

  • VENDIM Nr.642, datë 11.10.2005 - PËR KËSHILLAT MBIKËQYRËS TË SHOQËRIVE ANONIME SHTETËRORE
  • Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8 e 18 të ligjit nr.7926, datë 20.4.1995 “Për transformimin e ndërmarrjeve shtetërore në shoqëri tregtare”, të ndryshuar, me propozimin e Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave

    VENDOSI:

    1. Numri i anëtarëve të këshillave mbikëqyrës të shoqërive anonime shtetërore, që krijohen nga transformimi i ndërmarrjeve shtetërore, të jetë:
    a) Për shoqëritë jostrategjike, të vogla e të mesme, tre anëtarë;
    b) Për shoqëritë e sektorëve strategjikë, me rëndësi të veçantë, deri në gjashtë anëtarë.

    2. Anëtarët e këtyre këshillave propozohen si më poshtë:
    - 2/3 e numrit nga kandidaturat e propozurara nga ministritë e linjës administrative ose organet e qeverisjes vendore;
    - 1/3 e numrit nga kandidaturat e propozuara nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.

    3. Anëtarët e këshillave mbikëqyrës miratohen nga Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, dhe i njëjti person nuk mund të marrë pjesë në më shumë se 2 këshilla mbikëqyrës.

    4. Në përbërje të këshillave mbikëqyrës të shoqërive anonime mund të përzgjidhen:
    a) nëpunës të institucioneve shtetërore, kur legjislacioni në fuqi nuk pengon pjesëmarrjen e tyre në funksione të tjera;
    b) specialistë të institucioneve kërkimore e shkencore, të universiteteve, me vjetërsi në punë jo më pak se 5 vjet, dhe personat që gëzojnë autoritet profesional në fusha të caktuara.
    Njëri nga anëtarët e këshillit mbikëqyrës duhet të jetë specialist në fushën e ekonomisë dhe të financës.

    5. Nuk mund të emërohen anëtarë të këshillave mbikëqyrës punonjës të organeve qendrore a vendore, që kryejnë funksione kontroll-revizioni, punonjës të emëruar në drejtoritë e shoqërive tregtare ose drejtorë të ndërmarrjeve shtetërore të patransformuara në shoqëri tregtare, si dhe kushdo tjetër, që ka konflikt interesash në kuptim të ligjit nr.9367, datë 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”.

    6. Anëtarët e këshillit mbikëqyrës përfitojnë shpërblim për pjesëmarrje në këshillat mbikëqyrës si më poshtë vijon:
    a) Në shoqëritë anonime shtetërore strategjike, për kryetarin, në masën 30 për qind të pagës mujore të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, ndërsa për anëtarët e tjerë të këshillit mbikëqyrës, 20 për qind të kësaj page.
    b) Në shoqëritë anonime shtetërore jostrategjike kombëtare, për kryetarin, në masën 30 për qind e pagës mujore të drejtorit të Drejtorisë së Administrimit të Pronës Publike në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe për anëtarët e tjerë të këshillit mbikëqyrës, 20 për qind të kësaj page.
    c) Në shoqëritë anonime shtetërore jostrategjike vendore, për kryetarin, në masën 30 për qind të pagës mujore të sekretarit të përgjithshëm të prefekturës dhe për anëtarët e tjerë të këshillit mbikëqyrës, 20 për qind të kësaj page.
    ç) Për shoqëritë anonime shtetërore, që e kanë dhënë pasurinë tërësisht me qira apo emfiteozë, kryetari i këshillit mbikëqyrës shpërblehet në masën 7 për qind dhe anëtarët e tjerë të këshillit mbikëqyrës, në masën 5 për qind, sipas përcaktimeve të mësipërme.
    Kur personi merr pjesë në një këshill të dytë mbikëqyrës, ai merr një shpërblim të dytë në masën 75 për qind të shumës së përcaktuar në pikën 6 të këtij vendimi.
    Në funksion të realizimit të detyrave të ngarkuara nga këshilli mbikëqyrës, anëtarit i rimbursohet vlera e shpenzimeve të kryera.

    7. Shpërblimi i anëtarëve të këshillit mbikëqyrës është mujor dhe jepet nga mbledhja e parë e këshillit. Efektet përballohen nga vetë shoqëria anonime.
    Në mbledhjen e tij të parë, këshilli mbikëqyrës cakton sekretarin dhe masën e shpërblimit të tij.

    8. Këshilli mbikëqyrës mblidhet jo më pak se katër herë në vit dhe i raporton, për veprimtarinë ekonomike e financiare të shoqërisë, ministrit të linjës dhe Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, me cilësinë e përfaqësuesit të pronës shtetërore, jo më pak se 4 herë në vit.

    9. Vendimi nr.289, datë 24.4.2003 i Këshillit të Ministrave “Për kriteret dhe përbërjen e këshillave mbikëqyrës të shoqërive anonime shtetërore”, i ndryshuar, si dhe aktet e tjera nënligjore që bien në kundërshtim me këtë vendim, shfuqizohen.

    10. Ngarkohet Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për zbatimin e këtij vendimi.

    Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

    KRYEMINISTRI Sali Berisha

    Botuar në Fletoren Zyrtare nr.73, faqe 2482