LIGJ Nr.7926, datë 20.4.1995 - PËR TRANSFORMIMIN E NDËRMARRJEVE SHTETËRORE NË SHOQËRI TREGTARE

(Ndryshuar me dekretin nr.1195, datë 14.8.1995, me ligjin nr.8067, datë 15.2.1996, nr.8099, datë 28.3.1996, me dekretin nr.1615, datë 20.9.1996, me dekretin nr.1631, datë 1.11.1996, me ligjin nr.8237, datë 1.9.1997, nr.8333, datë 23.4.1998, nr.8482, datë 10.5.1999, nr.8885, datë 22.4.2002)

(I përditësuar)
Në mbështetje të nenit 16 të ligjit nr.7491, datë 29.4.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese”, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI POPULLOR I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

  • Neni 1
  • Qëllimi i këtij ligji është transformimi i ndërmarrjeve shtetërore në shoqëri tregtare.

  • Neni 2
  • Për efekt të këtij ligji, me termat vijuese:
    a) “Ndërmarrje shtetërore”, që më poshtë do të quhen “ndërmarrje”, kuptohen gjithë personat juridikë publikë të themeluar sipas ligjit nr.7582, datë 13.7.1993 “Për ndërmarrjet shtetërore”.
    b) “Shoqëri shtetërore”, që më poshtë do të quhen “shoqëri”, kuptohen gjithë personat juridikë publikë, të cilët do të krijohen si pasojë e transformimit të ndërmarrjeve shtetërore dhe që do të funksionojnë në përputhje me dispozitat e ligjit nr.7638, datë 19.11.1992 “Për shoqëritë tregtare”.

  • Neni 3
  • Të gjitha ndërmarrjet shtetërore do të transformohen në shoqëri anonime ose shoqëri me përgjegjësi të kufizuar dhe do të funksionojnë në përputhje me dispozitat e ligjit nr.7638, datë 19.11.1992 “Për shoqëritë tregtare”, përveç rasteve kur në këtë ligj parashikohet ndryshe.
    Çdo ndërmarrje mund të transformohet në një ose disa shoqëri anonime ose me përgjegjësi të kufizuar.
    Shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar do të krijonë këshill mbikëqyrës.

  • Neni 4
  • (Ndryshuar me dekretin nr.1615, datë 20.9.1996 neni 1)

    (Ndryshuar me dekretin nr.1631, datë 1.11.1996, neni 1)

    (Ndryshuar me ligjin nr.8237, datë 1.9.1997, neni 2)

    (Shtuar paragrafi i dytë me ligjin nr.8482, datë 10.5.1999, neni 1)

    Ministria e Ekonomisë është përfaqësuese e pronarit për pronën shtetërore.
    Këshilli i Ministrave mund t’ia kalojë këtë të drejtë edhe organeve të qeverisjes vendore.
    Ministria e Ekonomisë, përveç të drejtave që rrjedhin nga të qenët përfaqësues i pronarit shtetëror, kryen transformimin e ndërmarrjeve shtetërore në shoqëri tregtare dhe privatizimin e tyre, drejton punën për hartimin e akteve të themelimit të shoqërive që krijohen nga transformimi i ndërmarrjeve, nënshkruan kapitalin themeltar dhe autorizon regjistrimin e tyre.
    Ministritë, departamentet, drejtoritë a institucionet e tjera që varen drejtpërdrejt nga Këshilli i Ministrave, si dhe organet përkatëse të pushtetit lokal, përgjigjen për administrimin e pronës shtetërore që kanë në varësi.
    Prona shtetërore në shoqëritë me kapital të përbashkët administrohet nga organi që ka bërë nënshkrimin e pjesës shtetërore të kapitalit, ose, kur kjo nuk është kryer, administrohet nga dikasteri a organi i pushtetit lokal, nga i cili ka pasur varësinë në momentin e nënshkrimit të kontratës.

    Transferimi i së drejtës së ortakut shtetëror në këto shoqëri (si kapitali i pjesës shtetërore etj.) bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi, sipas kritereve të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave".

  • Neni 5
  • (Shfuqizuar me dekretin nr.1631, datë 1.11.1996, neni 2)

  • Neni 6
  • (Shtuar paragrafi i dytë me ligjin nr.8099, datë 28.3.1996, neni 1)

    (Ndryshuar me dekretin nr.1615, datë 20.9.1996 neni 2)

    (Ndryshuar me dekretin nr.1631, datë 1.11.1996, neni 3)

    Ministria e Privatizimeve drejton punën për hartimin e akteve të themelimit të shoqërive që krijohen nga transformimi i ndërmarrjeve dhe autorizon regjistrimin e tyre.

  • Neni 7
  • (Ndryshuar paragrafi i parë nr.8067, datë 15.2.1996, neni 1)

    (Ndryshuar me dekretin nr.1615, datë 20.9.1996 neni 3)

    (Ndryshuar me dekretin nr.1631, datë 1.11.1996, neni 4)

    Ministri i Privatizimeve ka të drejtë të marrë masa disiplinore deri në largimin nga detyra për çdo drejtues të ndërmarrjes shtetërore, i cili ka penguar transformimin dhe regjistrimin e ndërmarrjes shtetërore në shoqëri tregtare.

  • Neni 8
  • (Shtesë në paragrafin e dytë me dekretin ne.1195, datë 14.8.1995, neni 1)

    (Ndryshuar paragrafi i fundit nr.8067, datë 15.2.1996, neni 1)

    (Shtuar paragraf me ligjin nr.8099, datë 28.3.1996, neni 1)

    (Ndryshuar me dekretin nr.1615, datë 20.9.1996 neni 4)

    (Ndryshuar me dekretin nr.1631, datë 1.11.1996, neni 5)

    (Ndryshuar me ligjin nr.8237, datë 1.9.1997, neni 3)

    (Ndryshuar pjesërisht me ligjin nr.8333, datë 23.4.1998, neni 1)

    (Ndryshuar me ligjin nr.8885, datë 22.4.2002 neni 2)

    Organet drejtuese të shoqërive anonime janë:
    - Këshilli mbikëqyrës - Drejtoria Këshilli mbikëqyrës përbëhet nga 3-9 anëtarë, të cilët nuk janë të punësuar në shoqëri.
    Anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës emërohen nga Ministri i Ekonomisë, por 2/3 e anëtarëve të Këshillit propozohen nga ministritë dhe institucionet përkatëse që varen drejtpërdrejt nga Këshilli i Ministrave, si dhe organet përkatëse të pushtetit vendor”.
    Drejtoria emërohet dhe shkarkohet nga këshilli mbikëqyrës, kur për të bien dakord jo më pak se 2/3 e tij.
    Shpërblimi i veçantë për pjesëmarrje në këshillin mbikëqyrës dhe shpërblimet e jashtëzakonshme për shërbimet a detyrat që u besohen anëtarëve të këshillit, rregullohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
    Neni 109 i ligjit nr.7638, datë 19.11.1992 "Për shoqëritë tregtare" nuk zbatohet për aq kohë sa shteti do të jetë aksionar i vetëm".

  • Neni 9
  • Shoqëria që krijohet si pasojë e transformimit të ndërmarrjes, merr përsipër të gjitha detyrimet që ndërmarrja ka pasur përpara transformimit dhe përgjigjet ndaj të tretëve me pasurinë e saj.
    Të gjitha kontratat e lidhura me të tretët nga ndërmarrja përpara transformimit mbeten në fuqi edhe për shoqërinë që krijohet.

  • Neni 10
  • (Shfuqizim në paragrafin e parë me ligjin nr.8333, datë 23.4.1998, neni 2)

    Me hyrjen në fuqi të këtij ligji dhe për sa kohë që shteti do të jetë i vetmi aksionar ose ortak i shoqërive, organet drejtuese të ndërmarrjeve a shoqërive nuk kanë të drejtë të autorizojnë ose të kryejnë shitje të pasurive të paluajtshme dhe të makinerive e pajisjeve, të marrin hua dhe kredi, si dhe të krijojnë shoqëri të përbashkëta.
    Kjo dispozitë nuk zbatohet për ndërmarrjet që janë parashikuar në paragrafin e dytë të nenit 3 të ligjit nr.7512, datë 10.8.1991 “Për sanksionimin dhe mbrojtjen e pronës private, të nismës së lirë, të veprimtarive private të pavarura dhe privatizimit”.

  • Neni 11
  • Këshilli i Ministrave miraton statusin tip, aktet e tjera tip të themelimit si dhe kriteret e vlerësimit të kapitalit themeltar të shoqërive që do të krijohen si pasojë e transformimit të ndërmarrjeve.

  • Neni 12
  • Shpenzimet për procesin e transformimit të ndërmarrjeve në shoqëri, si dhe regjistrimi i tyre sipas dispozitave në fuqi, përballohen nga vetë ndërmarrja.

  • Neni 13
  • Neni 191 dhe pika 4 e nenit 297 të ligjit nr.7638, datë 19.11.1992 “Për shoqëritë tregare”, nuk zbatohen për shoqëritë shtetërore.

  • Neni 14
  • Nenet 94 dhe 95 të ligjit nr.7638, datë 19.11.1992 “Për shoqëritë tregtare” shfuqizohen.

  • Neni 15
  • Ligji nr.7582, datë 13.7.1992 “Për ndërmarrjet shtetërore”, do të ketë fuqi për sa kohë që ndërmarrjet nuk janë transformuar në shoqëri, me përjashtim të rasteve kur në këtë ligj është parashikuar ndryshe.

  • Neni 16
  • Ky ligj nuk zbatohet për bankat shtetërore të nivelit të dytë dhe për institutet e sigurimeve shtetërore.

  • Neni 17
  • Të gjitha ndërmarrjet ekonomike me kapital tërësisht shtetëror që do të krijohen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, do të themelohen e regjistrohen si shoqëri.

  • Neni 18
  • Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet përkatëse për zbatimin e këtij ligji.
    Dispozitë e shtuar dekretin nr.1631, datë1.11.1996 i miratuar me ligjin nr.8158, datë 7.11.1996.
    Prona shtetërore që ka filluar procesin e privatizimit para hyrjes në fuqi të këtij dekreti vazhdon privatizimin pa ripërsëritur etapat e privatizimit që i ka kryer sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi në atë kohë.
    Për shoqëritë tregtare të regjistruara në gjykatë në bazë të ligjit nr.7638, datë 19.11.1992 “Për shoqëritë tregtare”, përfaqësues i pronarit për aksionet dhe pjesët e kapitalit shtetëror do të jetë Ministria e Ekonomisë, sipas përcaktimit të nenit 1.

  • Neni 19
  • Ky ligj hyn në fuqi më 15 maj 1995.

    Shpallur me dekretin nr.1090, datë 4.5.1995 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë,

    Sali Berisha Botuar në Fletoren Zyrtare nr.11, faqe 458