strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

VENDIM Nr.194, datë 20.3.1998 - PËR KRITERET E PËRCAKTIMIT TË KAPITALIT THEMELTAR TË SHOQËRIVE SHTETËRORE QË DO TË KRIJOHEN NGA SHDËRRIMI I NDËRMARRJEVE SHTETËRORE NË SHOQËRI TREGTARE

Në zbatim të nenit 11 të ligjit nr.7926, datë 20.4.1995 “Për transformimin e ndërmarrjeve në shoqëri tregtare”, me propozimin e Ministrisë së Ekonomisë Publike dhe Privatizimit, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

1. Përcaktimi i kapitalit themeltar të shoqërive shtetërore që do të krijohen nga transformimi i ndërmarrjeve shtetërore pas datës 31.1.1998 do të bëhet duke u mbështetur në gjendjen e pasurisë së ndërmarrjes në mbyllje të ushtrimit financiar vjetor.

2. Kapitalit themeltar të ndërmarrjes shtetërore, në datën e transformimit në shoqëri tregtare, do t’i bashkohen :
a) shuma e rezervës së zhvillimit;
b) shuma e rezervës së shpërblimit suplementar që mbetet pas heqjes së pjesës së caktuar ose të dhënë punonjësve për ushtrimin e fondit financiar të mbyllur.
c) shuma e rezervës për ndihma të menjëhershme që tejkalon 5% të fondit të pagave për periudhën që mbetet deri në mbylljen e ushtrimit;
d) shuma e rezervave të tjera, me përjashtim të rezervave për ndërtimin e banesave për punonjësit, kur këto gjenden në ndërtim e sipër;
e) shuma që përfaqëson 85% të diferencave nga rivlerësimi të përcaktuar sipas pikës 5 të këtij vendimi;
f) vlera e truallit sipas aktvlerësimit të lëshuar nga seksioni i financës dhe urbanistikës të bashkisë a këshillit të rrethit;
g) kapitalit themeltar të ndërmarrjes shtetërore, në datën e transformimit në shoqëri, do t’i zbriten humbjet e pësuara deri në këtë datë, si dhe shpenzimet për t’u shpërndarë në disa ushtrime që nuk janë të mbuluara nga një provizion, dhe shpenzimet për asistencë.

3. Kërkesat debitore dhe detyrimet kreditore ndërmjet ndërmarrjeve shtetërore me njëratjetrën do të inventarizohen dhe do të paraqiten në bilancin e riformuar të shoqërisë shtetërore që do të krijohet nga transformimi i ndërmarrjes.
Ndërmarrjet shtetërore ose shoqëritë shtetërore mund të kryejnë kompensimin e detyrimeve të ndërsjella ndërmjet tyre.
Ministri i Ekonomisë Publike dhe Privatizimit mund të urdhërojë një ndërmarrje a shoqëri shtetërore të heqë dorë nga kërkimi i detyrimit mbi një ndërmarrje ose shoqëri shtetërore tjetër, kur një gjë e tillë nuk sjell për kreditorin pakësimin e kapitalit nën kufijtë e përcaktuar nga ligji nr.7638, datë 19.11.1992 “Për shoqëritë tregtare”.

4. Kërkesat debitore të ndërmarrjes mbi buxhetin e shtetit dhe mbi institucionet e tjera buxhetore, qendrore dhe lokale, si dhe detyrimet kreditore të ndërmarrjes ndaj këtyre të fundit, do të inventarizohen veçmas dhe do të paraqiten më vete në bilancin e riformuar të shoqërisë që do të krijohet nga transformimi i ndërmarrjes. Sistemimi i këtyre kërkesave dhe detyrimeve mund të bëhet vetëm me ligj të veçantë.

5. Vlera kontabël e mbetur e aktiveve të qëndrueshme të trupëzuara aktuale të rivlerësohen sipas kritereve të caktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave nr.192, datë 20.3.1998 “Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore që privatizohet dhe procedura e shitjes”.

6. Elementet e pasurisë pa vlerë, përdorimi ose të zhvlerësuara të trajtohen, në nxjerrjen e tyre jashtë përdorimit ose në uljen e vlerës, në pajtim me vendimin e Këshillit të Ministrave nr.170, datë 3.4.1993. Ulja e vlerës do të kryhet nga komisioni i vlerësimit dhe me pjesëmarrjen e dy a më shumë ekspertëve të fushave përkatëse, në varësi nga natyra e elementeve të pasurisë.

7. Bilanci i çeljes së shoqërisë së krijuar nga transformimi i ndërmarrjes shtetërore do të jetë bilanci i reformuar.

8. Përcaktimi i kapitalit të shoqërive shtetërore do të bëhet nga një komision i ngritur pranë çdo ndërmarrjeje me urdhër të titullarit të saj.

9. Bilanci i çeljes së shoqërisë do të verifikohet dhe vërtetohet nga një ekspert kontabël i autorizuar, i zgjedhur sipas listës së dërguar nga Instituti i Ekspertëve Kontabël, të autorizuar dhe miratuar nga Ministri i Ekonomisë Publike dhe Privatizimit.

10. Madhësia e kapitalit themeltar të nevojshëm për shoqëritë që krijohen nga transformimi i ndërmarrjeve shtetërore, vendoset nga Ministri i Ekonomisë Publike dhe Privatizimit.
Ministri i Ekonomisë Publike dhe Privatizimit ka të drejtë të caktojë (kur ndërmarrja ka gjendje të shëndoshë financiare) një shumë kapitali më të vogël se shuma që del nga llogaritjet e bëra sipas këtij vendimi dhe të urdhërojë tërheqjen e diferencës në një llogari të posaçme të fondit rezervë të Ministrisë së Ekonomisë Publike dhe Privatizimit.

11. Ministria e Ekonomisë Publike dhe Privatizimit të hartojë udhëzimin përkatës për zbatimin e këtij vendimi.

12. Vendimi i Këshillit të Ministrave nr.311, datë 12.6.1995 “Për kriteret e përcaktimit të kapitalit themeltar të shoqërive shtetërore që do të krijohen nga shndërrimi i ndërmarrjeve shtetërore në shoqëri tregtare” dhe vendimi i Këshillit të Ministrave nr.85, datë 2.2.1996 “Për një ndryshim në vendimin e Këshillit të Ministrave nr.311, datë 12.6.1995”, shfuqizohen.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

KRYEMINISTRI Fatos Nano

Botuar në Fletoren Zyrtare nr.Ekstra VII, faqe 20