Neni 9 - Kompetencat e këshillit mbikëqyrës

1. Këshilli mbikëqyrës ushtron kontroll të përhershëm për administrimin e shoqërisë nga drejtoria dhe i jep kësaj të fundit autorizimin për kryerjen e operacioneve që nuk mund të kryhen nga drejtoria pa autorizimin e këshillit mbikëqyrës.

2. Këshilli mbikëqyrës emëron drejtorinë. Këshilli mbikëqyrës cakton njërin prej anëtarëve të drejtorisë me cilësinë e drejtorit.

3. Me emërimin e anëtarëve të drejtorisë, këshilli mbikëqyrës lidh kontrata me ta për detyrimet që rrjedhin në administrimin e shoqërisë.

4. Këshilli mbikëqyrës, autorizon drejtorinë që të kryejë veprimet dhe të realizojë marrëveshjet e parashikuara në nenet 12 dhe 13 të statutit.

5. Këshilli mbikëqyrës ka të drejtë të kryejë në çdo kohë verifikime dhe kontrolle, që ai i çmon të përshtatshme dhe të njihet me dokumentacionin që e gjykon të nevojshëm për përmbushjen e detyrës së tij.

6. Drejtoria i paraqet raport këshillit mbikëqyrës të paktën një herë në tre muaj. Brenda tre muajve nga data e mbylljes së ushtrimit financiar, drejtoria duhet t’i paraqesë këshillit mbikëqyrës llogaritë vjetore me qëllim verifikimi dhe kontrolli.

7. Këshilli mbikëqyrës i propozon Ministrit të Ekonomisë Publike dhe Privatizimit lidhur me këtë çështje:
a) përcaktimin dhe ndyshimin e programit të veprimtarisë afatshkurtër, afatmesme dhe afatgjatë të shoqërisë;
b) kryerjen e investimeve dhe financimeve për vitin financiar, si dhe masat e tjera që do të kërkonin ndryshimin e kapitalit themeltar të shoqërisë;
c) hapjen e veprimtarive ose njësive të reja dhe ndryshimin e objektit të shoqërisë;
d) shitjen e pasurive që përbëjnë aktivin e qëndrueshëm të shoqërisë;
e) krijimin e shoqërive të reja dhe pjesëmarrjen në kapitalin e shoqërive të tjera;
f) marrjen e huave afatmesme, afatgjata;
g) si dhe për çdo çështje tjetër që në bazë të ligjit “Për shoqëritë tregtare” është kompetencë e Asamblesë së Përgjithshme.