VENDIM Nr.642, datë 11.10.2005 - PËR KËSHILLAT MBIKËQYRËS TË SHOQËRIVE ANONIME SHTETËRORE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8 e 18 të ligjit nr.7926, datë 20.4.1995 “Për transformimin e ndërmarrjeve shtetërore në shoqëri tregtare”, të ndryshuar, me propozimin e Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

1. Numri i anëtarëve të këshillave mbikëqyrës të shoqërive anonime shtetërore, që krijohen nga transformimi i ndërmarrjeve shtetërore, të jetë:
a) Për shoqëritë jostrategjike, të vogla e të mesme, tre anëtarë;
b) Për shoqëritë e sektorëve strategjikë, me rëndësi të veçantë, deri në gjashtë anëtarë.

2. Anëtarët e këtyre këshillave propozohen si më poshtë:
- 2/3 e numrit nga kandidaturat e propozurara nga ministritë e linjës administrative ose organet e qeverisjes vendore;
- 1/3 e numrit nga kandidaturat e propozuara nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.

3. Anëtarët e këshillave mbikëqyrës miratohen nga Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, dhe i njëjti person nuk mund të marrë pjesë në më shumë se 2 këshilla mbikëqyrës.

4. Në përbërje të këshillave mbikëqyrës të shoqërive anonime mund të përzgjidhen:
a) nëpunës të institucioneve shtetërore, kur legjislacioni në fuqi nuk pengon pjesëmarrjen e tyre në funksione të tjera;
b) specialistë të institucioneve kërkimore e shkencore, të universiteteve, me vjetërsi në punë jo më pak se 5 vjet, dhe personat që gëzojnë autoritet profesional në fusha të caktuara.
Njëri nga anëtarët e këshillit mbikëqyrës duhet të jetë specialist në fushën e ekonomisë dhe të financës.

5. Nuk mund të emërohen anëtarë të këshillave mbikëqyrës punonjës të organeve qendrore a vendore, që kryejnë funksione kontroll-revizioni, punonjës të emëruar në drejtoritë e shoqërive tregtare ose drejtorë të ndërmarrjeve shtetërore të patransformuara në shoqëri tregtare, si dhe kushdo tjetër, që ka konflikt interesash në kuptim të ligjit nr.9367, datë 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”.

6. Anëtarët e këshillit mbikëqyrës përfitojnë shpërblim për pjesëmarrje në këshillat mbikëqyrës si më poshtë vijon:
a) Në shoqëritë anonime shtetërore strategjike, për kryetarin, në masën 30 për qind të pagës mujore të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, ndërsa për anëtarët e tjerë të këshillit mbikëqyrës, 20 për qind të kësaj page.
b) Në shoqëritë anonime shtetërore jostrategjike kombëtare, për kryetarin, në masën 30 për qind e pagës mujore të drejtorit të Drejtorisë së Administrimit të Pronës Publike në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe për anëtarët e tjerë të këshillit mbikëqyrës, 20 për qind të kësaj page.
c) Në shoqëritë anonime shtetërore jostrategjike vendore, për kryetarin, në masën 30 për qind të pagës mujore të sekretarit të përgjithshëm të prefekturës dhe për anëtarët e tjerë të këshillit mbikëqyrës, 20 për qind të kësaj page.
ç) Për shoqëritë anonime shtetërore, që e kanë dhënë pasurinë tërësisht me qira apo emfiteozë, kryetari i këshillit mbikëqyrës shpërblehet në masën 7 për qind dhe anëtarët e tjerë të këshillit mbikëqyrës, në masën 5 për qind, sipas përcaktimeve të mësipërme.
Kur personi merr pjesë në një këshill të dytë mbikëqyrës, ai merr një shpërblim të dytë në masën 75 për qind të shumës së përcaktuar në pikën 6 të këtij vendimi.
Në funksion të realizimit të detyrave të ngarkuara nga këshilli mbikëqyrës, anëtarit i rimbursohet vlera e shpenzimeve të kryera.

7. Shpërblimi i anëtarëve të këshillit mbikëqyrës është mujor dhe jepet nga mbledhja e parë e këshillit. Efektet përballohen nga vetë shoqëria anonime.
Në mbledhjen e tij të parë, këshilli mbikëqyrës cakton sekretarin dhe masën e shpërblimit të tij.

8. Këshilli mbikëqyrës mblidhet jo më pak se katër herë në vit dhe i raporton, për veprimtarinë ekonomike e financiare të shoqërisë, ministrit të linjës dhe Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, me cilësinë e përfaqësuesit të pronës shtetërore, jo më pak se 4 herë në vit.

9. Vendimi nr.289, datë 24.4.2003 i Këshillit të Ministrave “Për kriteret dhe përbërjen e këshillave mbikëqyrës të shoqërive anonime shtetërore”, i ndryshuar, si dhe aktet e tjera nënligjore që bien në kundërshtim me këtë vendim, shfuqizohen.

10. Ngarkohet Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

KRYEMINISTRI Sali Berisha

Botuar në Fletoren Zyrtare nr.73, faqe 2482