VENDIM Nr.153, datë 3.4.1993 - PËR KALIMIN E OBJEKTEVE TË MJETEVE KRYESORE TË NDËRMARRJEVE DHE INSTITUCIONEVE SHTETËRORE

(Ndryshuar me vendimin e Këshillit të Ministrave nr.454, datë 16.9.1993, nr.625, datë 29.12.1993)
(I përditësuar)

Me propozimin e Ministrisë së Industrisë, të Burimeve Minerare dhe Energjitike, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

1. Ministritë dhe institucionet e tjera qendrore, si dhe këshillat e rretheve, bashkive e komunave, në raste të veçanta dhe pasi të kenë marrë pëlqimin e këshillave drejtues të ndërmarrjeve e institucioneve, bëjnë kalimin kapital (pa pagesë) të objekteve e të mjeteve kryesore, me përjashtim të objekteve dhe të mjeteve kryesore të institucioneve dhe ndërmarrjeve të sistemit të kulturës, rinisë e sporteve që nuk janë në vartësi të drejtpërdrejtë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

2. Ky kalim bëhet:
a) Me urdhër të titullarit të ministrisë e institucionit tjetër qendror për ndërmarrjet e institucionet e varësisë.
b) Me urdhër të përbashkët të titullarëve të ministrive e institucioneve të tjera qendrore, ndërmjet ndërmarrjeve dhe institucioneve të varësisë.
c) Me urdhër të titullarit të ministrisë e institucionit tjetër qendror nga ndërmarrjet e institucionet e vartësisë, në ndërmarrjet e institucionet e tjera, brenda dhe jashtë sistemit, që janë në vartësi të organeve të pushtetit lokal.
ç) Me vendim të këshillit të rrethit, të bashkisë e të komunës për ndërmarrjet dhe institucionet që kanë në vartësi.
d) Me vendim të përbashkët të këshillit të rrethit dhe të bashkisë ose të komunës, ndërmjet ndërmarrjeve e institucioneve që kanë në vartësi.
dh) Me vendim të këshillit të rrethit, të bashkisë e të komunës, nga ndërmarrjet e institucionet që kanë në vartësi, në ndërmarrjet e institucionet e tjera, brenda dhe jashtë sistemit, që janë në vartësi të ministrive dhe institucioneve të tjera qendrore.
e) Me urdhër të titullarit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve nga institucionet e ndërmarrjet që ka në vartësi në institucionet e tjera e ndërmarrjet brenda sistemit të kulturës, rinisë dhe sporteve.

3. Mjetet kryesore të konfiskuara nga Policia Financiare ose nga organe të tjera të caktuara me ligj, të cilat me një vendim të formës së prerë të marrë nga gjykatat ose me një mënyrë tjetër ligjore kanë kaluar në pronësi të shtetit, u shtiten personave juridikë e fizikë sipas rregullave të miratuara të prokurimit.
Përjashtimisht dhe me autorizim të ministrit të Financave dhe të Ekonomisë ato u kalohen pa pagesë vetëm institucioneve buxhetore, qendrore ose lokale.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

KRYETARI I KËSHILLIT TË MINISTRAVE Aleksandër Meksi

Botuar në Fletoren Zyrtare nr.6, faqe 376