VENDIM Nr.206, datë 16.4.1993 - PËR KUSHTET DHE AFATET E KREDIVE TREGTARE TË KONTRAKTUARA NGA NDËRMARRJET SHTETËRORE

Në zbatim të ligjit nr.7582, datë 13.7.1992 "Për ndërmarrjet shtetërore", ndryshuar me ligjin nr.7670, datë 10.2.1993 "Për një shtesë në ligjin "Për ndërmarrjet shtetërore"", me propozimin e Ministrisë së Financave dhe të Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

1. Ndërmarrjet shtetërore autorizohen që, në marrëveshje me klientët dhe furnizuesit e tyre, privatë ose shtetërorë, të vendosin lirisht dhe pa kufizim kushtet financiare dhe afatet e ripagimit të kredive tregtare për blerjen dhe shitjen e mallrave dhe shërbimeve të tyre me afat nën 30 ditë.

2. Kreditë tregtare për blerjen dhe shitjen e mallrave dhe shërbimeve të tyre me afat mbi 30 ditë që jepen nga një ndërmarrje shtetërore, duhet të mbajnë një përqindje interesi jo më të ulët se përqindja minimale e interesit mbi depozitat me afat me kohëzgjatje të njëjtë, që njoftohet nga ana e Bankës së Shqipërisë dhe që është e detyrueshme për zbatim nga bankat tregtare të nivelit të dytë plus 5 për qind.

3. Ndalohet dhënia dhe marrja nga ndërmarrjet shtetërore e kredive tregtare me afat mbi 90 ditë.

4. Ndërmarrjet shtetërore janë të detyruara të kërkojnë kthimin në afat të detyrimeve financiare prej ndërmarrjeve, si dhe çdo personi tjetër juridik a fizik, shtetëror ose privat, të cilët janë debitorë ndaj tyre.
Në rast moskthimi në afat të detyrimeve financiare që lindin në procesin e shitblerjes së mallrave, kryerjes së shërbimeve dhe të përdorimit të kredive tregtare, ndërmarrjet furnitore kanë të drejtë të ndërpresin furnizimin e mëtejshëm me mallra dhe kryerjen e shërbimeve, duke e parashikuar një gjë të tillë në kontratat dypalëshe. Për energjinë elektrike dhe avullin teknologjik ndërprerja e furnizimit të bëhet pas kalimit të afatit prej 60 ditësh të paralajmërimit për institucionet shëndetësore, çerdhet, kopshtet, shkollat, repartet ushtarake dhe ato të rendit publik dhe prej 15 ditësh të paralajmërimit për të gjithë ndërmarrjet e tjera.
Në rast moskthimi në afat të detyrimeve financiare nga ana e debitorëve të tyre, ndërmarrjet shtetërore duhet të ndërmarrin hapat e përcaktuar sipas dispozitave në fuqi.

5. Çdo ndërmarrje shtetërore që nuk fillon procedurat e parashikuara ligjore për arkëtimin e detyrimeve të prapambetura nga debitorët e saj, do të jetë subjekt i këtyre penaliteteve:
- Në rast se procedurat ligjore nuk fillohen nga ndërmarrjet brenda një afati prej 30 ditësh nga data e skadimit të afatit të pagimit të çdo detyrimi, 5 për qind e vleftës së këtij detyrimi do t'i kalojë Buxhetit të Shtetit.
- Në rast se procedurat ligjore nuk fillohen nga ndërmarrjet brenda një afati prej 60 ditësh nga data e skadimit të afatit të pagimit të çdo detyrimi, 10 për qind e vleftës së këtij detyrimi do t'i kalojë buxhetit të shtetit.
- Në rast se procedurat ligjore nuk fillohen nga ndërmarrjet brenda një afati prej 90 ditësh nga data e skadimit të afatit të pagimit të çdo detyrimi, 15 për qind e vleftës së këtij detyrimi do t'i kalojë Buxhetit të Shtetit.

6. Në rast mosrespektimi nga ndërmarrjet shtetërore të kufizimeve të përcaktuara sipas pikave 2 dhe 3, si dhe në rastet e moszbatimit të kërkesave të pikës 4 të këtij vendimi, ndaj drejtorit të ndërmarrjes dhe shefit të degës së financës, ose personave të ngarkuar me kryerjen e këtyre funksioneve, do të zbatohen gjoba deri në 2 rroga mujore, si dhe do të merren masa administrative deri në shkarkimin e tyre.

7. Penalitetet sipas pikës 5 të këtij vendimi dhe gjobat sipas pikës 6 të këtij vendimi merren nga organet e policisë financiare, kurse masat administrative ndaj drejtuesve të ndërmarrjes sipas pikës 6 të këtij vendimi merren nga ministritë dhe institucionet e tjera qendrore ose organet e pushtetit lokal, nga të cilat varet ndërmarrja shtetërore.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

KRYETARI I KËSHILLIT TË MINISTRAVE Aleksandër Meksi

Botuar në Fletoren Zyrtare nr.8, faqe 478