VENDIM Nr.840, datë 17.12.2004 - PËR VEPRIMTARINË E DREJTORISË SË SHËRBIMIT TË TRUPIT DIPLOMATIK

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 33 të ligjit nr.7582, datë 13.7.1992 “Për ndërmarrjet shtetërore”, me propozimin e Ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

1. Drejtoria e Shërbimit të Trupit Diplomatik (DSHTD) është person juridik, publik, në varësi të Ministrisë së Punëve të Jashtme, që ushtron veprimtarinë në mbështetje të ligjit nr.7582, datë 13.7.1992 “Për ndërmarrjen shtetërore”.

2. Objekti i veprimtarisë së DSHTD-së është:
a) Administrimi dhe mirëmbajtja e pasurive, të luajtshme e të paluajtshme, pronë shtetërore, të cilat janë në përdorim për trajtimin e trupit diplomatik të huaj, të akredituar në Republikën e Shqipërisë;
b) Administrimi dhe mirëmbajtja e pasurive, të luajtshme e të paluajtshme, pronë e shtetit shqiptar në shtete të tjera, të cilat shërbejnë për ushtrimin e veprimtarisë së përfaqësive diplomatike të Republikës së Shqipërisë.

3. Të njëjtat shërbime, që DSHTD-ja kryen për trupin diplomatik, mund t’ua ofrojë edhe subjekteve, shtetërore ose private, shqiptare, si veprimtari dytësore, por që i shërbejnë objektit kryesor të veprimtarisë së saj. Në çdo rast, ushtrimi i këtyre veprimtarive në favor të këtyre subjekteve nuk duhet të pengojë apo cenojë shërbimin ndaj trupit diplomatik.

4. Për të krijuar, garantuar dhe përmirësuar kushtet e qëndrimit dhe të ushtrimit të veprimtarisë për Trupin Diplomatik të huaj, të akredituar në Republikën e Shqipërisë, si dhe për përfaqësitë diplomatike të Republikës së Shqipërisë, të akredituara në shtete të tjera, DSHTD-ja përdor burimet e veta financiare. Gjithashtu, DSHTD-ja përballon, tërësisht apo pjesërisht, edhe shpenzimet e nevojshme për ndërtimin apo blerjen e objekteve të reja.

5. Burimet financiare të DSHTD-së janë:
a) Të ardhurat nga qiratë e objekteve të vëna në dispozicion për trupin diplomatik të huaj të akredituar në Republikën e Shqipërisë, si dhe shërbime të tjera, të kryera në favor të tyre;
b) Të ardhurat nga qiratë e objekteve të vëna në dispozicion për subjekte të treta, si dhe nga shërbime të tjera, të kryera në favor të tyre;
c) Të ardhurat nga veprimtaritë e tjera dytësore;
ç) Donacionet, vendase ose të huaja, të dhëna me miratimin paraprak të Ministrit të Punëve të Jashtme, të cilat përdoren vetëm në funksion të veprimtarisë kryesore të DSHTD-së.

6. Kapitali themeltar i DSHTD-së është 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë, i cili përballohet nga të ardhurat e veprimtarisë së kësaj drejtorie.

7. Veprimtaria ekonomiko-financiare e DSHTD-së kontrollohet nga organet përkatëse, të ngarkuara me ligj. Po ashtu edhe Ministri i Punëve të Jashtme ka të drejtë të udhërojë ushtrimin e kontrolleve, të plota ose të pjesshme, për veprimtarinë e DSHTD-së, nëpërmjet strukturave të specializuara.

8. Tarifat dhe çmimet e shërbimeve, që DSHTD-ja realizon për trupin diplomatik, përcaktohen duke respektuar të drejtat e përfaqësive diplomatike, që burojnë nga konventat apo traktatet ndërkombëtare, marrëveshjet dypalëshe dhe nga parimet e reciprocitetit. Këto tarifa i bëhen të njohura edhe trupit diplomatik, të akredituar në Republikën e Shqipërisë. Tarifat dysheme të qirasë, të diferencuara sipas destinacionit të përdorimit të objektit, si dhe çmimet e shërbimeve, që kryehen për subjekte të tjera, përcaktohen me udhëzim të përbashkët të Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Ministrit të Financave.

9. Ministritë, institucionet e tjera qendrore dhe Bashkia e Tiranës, nëpërmjet strukturave dhe ndërmarjeve të tyre vartëse, sigurojnë me përparësi shërbime cilësore për mjediset që administron DSHTD-ja, veçanërisht për furnizimin me energji elektrike, ujë, ndërlidhje telefonike, pastrim etj., në funksioni të plotësimit të nevojave dhe kërkesave të trupit diplomatik të huaj, të akredituar në Republikën e Shqipërisë.

10. Mënyra e organizimit dhe e ushtrimit të veprimtarisë së DSHTD-së, përgjegjësitë e organeve drejtuese dhe mënyra e ushtrimit të funksioneve nga ana e tyre, përcaktohen në statutin, që miratohet nga Ministri i Punëve të Jashtme.

11. Vendimi nr.113, datë 26.2.1993 të Këshillit të Ministrave, i ndryshuar, shfuqizohet.

12. Ngarkohen Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Financave dhe institucionet e përmendura në pikën 9 për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

KRYEMINISTRI Fatos Nano

Botuar në Fletoren Zyrtare nr.101, faqe 6786