KREU I - DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

  • Neni 1 - Objekti i ligjit
  • Ky ligj rregullon organizimin, funksionimin dhe veprimtarinë e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, administrimin e regjistrit tregtar, përcakton subjektet që regjistrohen dhe procedurat e regjistrimit.

  • Neni 2 - Përkufizime
  • Në këtë ligj termat e mposhtëm kanë këto kuptime:
    1. “Ministria” është ministria që mbulon çështjet e tregtisë.
    2. “Ministri” është ministri që mbulon çështjet e tregtisë.
    3. “Regjistri” është regjistri tregtar.
    4. “Regjistrim fillestar” është regjistrimi për herë të parë në regjistër.
    5. “Regjistrim tjetër” është çdo ndryshim, shtesë apo fshirje të dhënash në regjistër.
    6. “Regjistrim” është regjistrimi fillestar dhe çdo regjistrim tjetër, përfshirë dhe çregjistrimin e subjektit nga regjistri.
    7. “Të dhëna” janë faktet, aktet dhe informacionet që regjistrohen, njoftohen apo depozitohen në regjistër.
    8. “Të dhënat e identifikimit për personin juridik” janë forma, emri, numri e vendi i regjistrimit dhe selia.
    9. “Dokumentet shoqëruese” janë dokumente, të cilat provojnë të dhënat që regjistrohen.
    10. “Aplikim” është kërkesa që i drejtohet Qendrës Kombëtare të Regjistrimit për kryerjen e veprimeve në regjistër, sipas këtij ligji.
    11. “Aplikant” është subjekti, të cilit i përkasin të dhënat që regjistrohen, njoftohen ose depozitohen në regjistër, apo personat e tjerë që, sipas këtij ligji, kanë të drejtë të kërkojnë kryerjen e veprimeve në regjistër.