strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU II - KRIJIMI, ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I QENDRËS KOMBËTARE TË REGJISTRIMIT

  • Neni 3 - Krijimi dhe statusi
  • 1. Krijohet Qendra Kombëtare e Regjistrimit, që më poshtë do të quhet QKR.
    2. QKR-ja është institucion publik qendror, me personalitet juridik, në varësi të ministrit që mbulon çështjet e tregtisë.
    3. QKR-ja e ka selinë në Tiranë.
    4. QKR-ja financohet nga Buxheti i Shtetit dhe nga të ardhurat e veta.
    5. QKR-ja ka pavarësi të plotë në vendimmarrje për funksionet e veta, të përcaktuara në nenin 4 të këtij ligji.

  • Neni 4 - Funksionet e QKR-së
  • QKR-ja ka këto funksione:
    a) mban regjistrin tregtar;
    b) kryen regjistrimet në regjistrin tregtar, në përputhje me dispozitat e këtij ligji;
    c) kryen regjistrimin e subjekteve, të përcaktuara në këtë ligj, për qëllim të regjistrimit fiskal, të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, si dhe inspektimit të marrëdhënieve të punës;
    ç) lëshon certifikata, ekstrakte të regjistrimeve dhe kopje të vërtetuara të akteve, të depozituara sipas përcaktimit të këtij ligji;
    d) publikon të dhënat e regjistrit të mbajtur, si dhe siguron aksesin e lirë të publikut në to;
    dh) pranon kërkesat për licenca, leje dhe autorizime administrative, sipas parashikimeve të këtij ligji dhe ia dorëzon ato aplikantit pas miratimit nga organet përkatëse;
    e) informon dhe këshillon për procedurat e regjistrimit dhe të licencimit.

  • Neni 5 - Organizimi
  • QKR-ja ushtron juridiksionin në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe është institucioni i vetëm që ofron shërbim ndaj publikut, në mënyrë të drejtpërdrejtë, në sportelet e saj, në qendër dhe në bashki e komunë.
    Shërbimi i sportelit në bashki e komunë kryhet si funksion i deleguar, në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe të ligjit për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore.

  • Neni 5/1 - Sportelet në dhomat e tregtisë dhe industrisë
  • (shtuar me ligjin nr.9916, datë 12.5.2008, neni 1)

    1. QKR-ja ofron shërbimin ndaj publikut edhe nëpërmjet sporteleve në Bashkimin e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë dhe në dhomat e tregtisë dhe industrisë në qarqe, në përputhje me dispozitat e këtij ligji.

    2. Të gjitha shpenzimet për hapjen, funksionimin dhe mirëmbajtjen e sporteleve mbulohen nga Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë dhe dhomat e tregtisë dhe industrisë në qarqe.

  • Neni 6 - Drejtimi i QKR-së
  • 1. Veprimtaria e QKR-së drejtohet nga titullari.
    2. Titullari është përgjegjës për administrimin teknik, organizativ, financiar e të burimeve njerëzore të QKR-së.
    3. Titullari përfaqëson institucionin në marrëdhënie me të tretët.
    4. Titullari i QKR-së ushtron udhëheqjen metodologjike dhe nxjerr urdhra e udhëzime të detyrueshme për nëpunësit e QKR-së, si dhe për nëpunësit e sporteleve të shërbimit në bashki e komunë, për ushtrimin e funksionit të deleguar.

  • Neni 7 - Numri i punonjësve dhe struktura
  • 1. Numri i punonjësve të QKR-së miratohet nga Këshilli i Ministrave si zë më vete, në përputhje me ligjin për Buxhetin vjetor të Shtetit.
    2. Struktura dhe organika e QKR-së miratohen nga Kryeministri, me propozimin e ministrit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

  • Neni 8 - Statusi i titullarit
  • 1. Titullari i QKR-së emërohet nga ministri, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

    2. Titullari i QKR-së duhet të plotësojë kërkesat e përgjithshme, të parashikuara në nenin 12 të ligjit nr. 8549, datë 11.11.1999 “Statusi i nëpunësit civil”, të ketë arsim të lartë në shkencat juridike apo ekonomike dhe përvojë në fushën e këtij ligji.

    3. Titullari i QKR-së lirohet nga detyra për shkaqet dhe sipas procedurave të parashikuara në nenin 21 të ligjit nr. 8549, datë 11.11.1999 “Statusi i nëpunësit civil”.

    4. Titullari i QKR-së u nënshtrohet dispozitave që rregullojnë masat, procedurat disiplinore dhe vlerësimin e punës, sipas parashikimeve në legjislacionin e nëpunësit civil. Ministri është eprori direkt, në kuptimin e këtyre dispozitave.

    5. Kundër vendimit të ministrit, për aktet e nxjerra në bazë të pikave 1 deri në 4 të këtij neni, ankimi bëhet drejtpërdrejt në gjykatë.

  • Neni 9 - Nëpunësit dhe punonjësit
  • 1. Për nëpunësit e QKR-së zbatohen procedurat e legjislacionit për nëpunësin civil, të cilat rregullojnë kërkesat e përgjithshme për pranimin, rekrutimin, ngritjen në detyrë, vlerësimin e punëve, disiplinën dhe lirimin nga detyra. Titullari i QKR-së është eprori direkt, në përputhje me këto dispozita.

    2. Marrëdhëniet e punës të punonjësve të QKR-së, që kryejnë detyra të karakterit mbështetës, u nënshtrohen legjislacionit të punës dhe legjislacionit tjetër, me zbatim të përgjithshëm në administratën publike.

    3. Ankimi ndaj akteve të titullarit, të nxjerra në bazë të pikave 1 dhe 2 të këtij neni, bëhet drejtpërdrejt në gjykatë.

  • Neni 10 - Nëpunësit e sporteleve në bashki dhe komuna
  • 1. Nëpunësit e sporteleve të shërbimit në bashki e komuna janë nëpunës të njësive vendore përkatëse.

    2. Titullari i QKR-së përcakton kriteret e posaçme profesionale, që duhet të plotësojnë këta nëpunës dhe siguron trajnimin profesional të tyre, për kryerjen e funksionit të deleguar, sipas këtij ligji.

    3. Bashkia e komuna përkatëse cakton nëpunësin e sportelit pas miratimit paraprak të titullarit të QKR-së. Miratimi paraprak jepet jo më vonë se 10 ditë nga paraqitja e propozimeve nga njësitë e pushtetit vendor.

    4. Titullari i QKR-së kërkon zëvendësimin e nëpunësit, nëse ky i fundit nuk kryen detyrën sipas treguesve të cilësisë së QKR-së. Në këtë rast, bashkia e komuna përkatëse është e detyruar të zëvendësojë nëpunësin e sportelit menjëherë pas kërkesës së titullarit të QKR-së.

  • Neni 11 - Pagat
  • 1. Struktura, nivelet e pagave dhe të shpërblimit të QKR-së miratohen nga Këshilli i Ministrave, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
    2. Niveli i pagave dhe i shpërblimit, si dhe numri i nëpunësve në sportelet e shërbimit në bashki e komuna përcaktohen nga këshillat përkatës, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

  • Neni 12 - Buxheti
  • 1. Buxheti i QKR-së është zë më vete në Buxhetin e Shtetit.

    2. Projektbuxheti vjetor dhe afatmesëm i QKR-së, pasi përgatitet nga titullari i saj, miratohet nga ministri.

    3. Buxheti përbëhet nga të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet e QKR-së, përfshirë fondet për shpenzime operative dhe kapitale për sportelet e shërbimit në bashki e komuna, si dhe të ardhurat që krijohen në këto sportele.

    4. Fondet për shpenzime operative për çdo sportel në bashki e komunë janë fonde të kushtëzuara. Ato përcaktohen në buxhetin e QKR-së, bazuar në kritere të drejta e objektive, në përputhje me vlerësimin paraprak të ngarkesës operative të çdo sporteli dhe të treguesve të cilësisë së shërbimit dhe i jepen bashkisë ose komunës përkatëse në formën e një shume totale.

    5. Shpenzimet kapitale për pajisjet në sportelet e shërbimit në bashki e komuna kryhen nga QKR-ja.

    6. Bashkia ose komuna, në përputhje me objektivin e vet, mund të parashikojë dhe të kryejë shpenzime operative ose kapitale shtesë për përmirësimin e shërbimeve në sportel.

  • Neni 13 - Shërbimet e tarifat
  • 1. QKR-ja realizon të ardhura nga kryerja e funksioneve të përcaktuara në këtë ligj dhe nga ofrimi i shërbimeve të tjera, në mbështetje të këtyre funksioneve.

    2. Ministri përcakton shërbimet e tjera, që ofrohen nga QKR-ja, tarifat e të cilave miratohen me propozimin e tij nga Ministri i Financave.

    3. Tarifa dhe vlera përkatëse për shërbimet, që lidhen me kryerjen e detyrave funksionale, miratohen nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit.

    4. Të gjitha tarifat shpallen në çdo sportel shërbimi dhe në faqen e internetit të QKR-së.

  • Neni 14 - Përdorimi i të ardhurave të veta
  • 1. Të ardhurat e mbledhura nga tarifat për kryerjen e funksioneve, sipas këtij ligji, përfshirë edhe ato të krijuara në sportelet e bashkive e komunave, derdhen në Buxhetin e Shtetit.

    2. Të ardhurat nga tarifat për shërbimet e tjera, të krijuara nga QKR-ja ose nga sportelet e shërbimit në bashki e komuna, derdhen vetëm në masën 10 për qind në Buxhetin e Shtetit, 90 për qind përdoret nga QKR-ja për përmirësimin e funksionimit e të shërbimit të QKR-së.

    3. QKR-ja mban llogaritë në thesar, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

  • Neni 15 - Auditi
  • Veprimtaria financiare e QKR-së auditohet nga strukturat e ministrisë, sipas legjislacionit në fuqi.

  • Neni 16 - Raportimi dhe përgjegjshmëria
  • 1. Ministri miraton objektivat specifikë të punës dhe treguesit e cilësisë së shërbimeve që kryen QKR-ja dhe mbikëqyr arritjen e tyre.
    2. QKR-ja i raporton ministrit për menaxhimin administrativ, financiar dhe cilësinë e kryerjes së shërbimeve sa herë që i kërkohet, por jo më pak se një herë në vit.

  • Neni 17 - Statuti i QKR-së
  • Në përputhje me parimet e këtij ligji, me propozimin e ministrit, Këshilli i Ministrave miraton statutin e QKR-së, që përfshin rregullat e hollësishme për organizimin dhe funksionimin e saj, ndarjen dhe organizimin e punës, si dhe mënyrën e raportimit.