strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

SEKSIONI II - DETYRIMI PËR REGJISTRIM, RREGULLAT E EMËRIMIT, PERSONAT E AUTORIZUAR DHE FORMA E AKTEVE SHOQËRUESE

  • Neni 22 - Detyrimi për regjistrim
  • 1. Subjektet që detyrohen të regjistrohen në regjistrin tregtar janë:
    a) personat fizikë, që ushtrojnë veprimtari ekonomike tregtare;
    b) shoqëritë e thjeshta sipas dispozitave të Kodit Civil;
    c) shoqëritë tregtare;
    ç) degët dhe zyrat e përfaqësimit të shoqërive të huaja;
    d) shoqëritë dhe unionet e kursim-kreditit;
    dh) shoqëritë e bashkëpunimit të ndërsjellë;
    e) çdo subjekt tjetër, për të cilin parashikohet detyrimi për regjistrim, në bazë të legjislacionit shqiptar.

    2. Subjektet, përveç kur parashikohet ndryshe nga ligje të posaçme, aplikojnë për regjistrim fillestar brenda një afati 15-ditor, i cili llogaritet:
    a) për personat fizikë, shoqëritë e thjeshta dhe degët apo zyrat e përfaqësimit të shoqërive të huaja nga data e nisjes së veprimtarisë;
    b) për personat juridikë nga data e themelimit.

    3. Për regjistrimet e tjera të detyrueshme, aplikimi bëhet brenda 30 ditëve nga data e ngjarjes së rrethanës faktike dhe/ose e formimit të aktit të detyrueshëm për t’u regjistruar.

  • Neni 23 - Rregullat e emërtimit
  • 1. Ndalohet regjistrimi në regjistrin tregtar i subjekteve me emra të njëjtë ose të ngjashëm, me emra në trajtën e shquar apo shkurtimet përkatëse të shteteve, qyteteve, krahinave gjeografike, organizatave ndërkombëtare, fetare ose institucioneve të pushtetit qendror apo vendor, pa shtesa dalluese ose me emra, që janë në kundërshtim me rendin e moralin publik apo me dispozitat urdhëruese të ligjit.

    2. Regjistrimi i emrit kryhet në bazë të parimit të përparësisë së paraqitjes së aplikimit.

    3. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit, miraton rregullat për emrat dhe emërtimet tregtare.

  • Neni 24 - Rezervimi i emrit
  • 1. Çdo individ, duke paguar tarifën përkatëse, ka të drejtë të rezervojë pranë regjistrit tregtar, për llogari të tij apo të të tretëve, një apo më shumë emra të caktuar për regjistrimin.

    2. QKR-ja lëshon një certifikatë për rezervimin e emrit brenda një dite nga dorëzimi i aplikimit.

    3. Nuk mund të rezervohen emra, të cilët vijnë në kundërshtim me parashikimet e nenit 23 të këtij ligji.

    4. Rezervimi i emrit, gjatë afatit të vlefshmërisë së parashikuar në këtë ligj, pengon të tretët të rezervojnë emra të njëjtë ose të ngjashëm, apo të regjistrojnë subjekte me të njëjtin emër ose emra të ngjashëm.

    5. Rezervimi i emrit është i vlefshëm për një afat prej 30 ditësh, duke nisur nga data e rezervimit. Afati i rezervimit të emrit nuk mund të zgjatet. Rezervimi rishtazi nga i njëjti person i të njëjtit emër të rezervuar më parë vlerësohet si rezervim i ri dhe kryhet sipas rregullave të përgjithshme për rezervimin e emrit, të parashikuar sipas këtij ligji.

  • Neni 25 - Transferimi i emrit të rezervuar
  • Gjatë afatit të vlefshmërisë, emri i rezervuar mund t’u transferohet lirisht të tretëve, përkundrejt pagesës së tarifës përkatëse, nëpërmjet depozitimit pranë QKR-së të formularit përkatës.
    Në këtë rast, QKR-ja bën shënimin përkatës në certifikatën për rezervimin e emrit.

  • Neni 26 - Personat e autorizuar për të bërë regjistrimin
  • 1. Aplikimi për regjistrim fillestar dhe regjistrimet e tjera të personave fizikë bëhet nga vetë personi që regjistrohet apo nga çdo person i autorizuar prej tij.

    2. Aplikimi për regjistrimin fillestar të shoqërive të thjeshta bëhet nga të gjithë anëtarët apo nga çdo person i autorizuar prej tyre. Aplikimi për regjistrimet e tjera bëhet nga personat përgjegjës për përfaqësimin e shoqërisë në marrëdhënie me të tretët ose nga çdo person i autorizuar prej tyre.

    3. Aplikimi për regjistrimin fillestar të shoqërive tregtare bëhet nga të gjithë ortakët e një shoqërie kolektive, të gjithë ortakët “e pakufizuar” të një shoqërie komandite, të gjithë administratorët e një shoqërie me përgjegjësi të kufizuar, të gjithë anëtarët e drejtorisë së një shoqërie anonime apo nga çdo person i autorizuar nga personat e përmendur më sipër. Aplikimi për regjistrimet e tjera bëhet nga personat përgjegjës për përfaqësimin e shoqërisë në marrëdhënie me të tretët ose çdo person i autorizuar prej tyre. Aplikimi për regjistrimin e veprimeve juridike, që lidhen pjesëmarrjet, kuotat apo aksionet, mund të kryhen, gjithashtu, dhe nga anëtari, ortaku apo aksioneri, të cilit këto i përkasin.

    4. Aplikimi për regjistrimin fillestar dhe regjistrimet e tjera të degëve dhe zyrave të përfaqësimit të shoqërive të huaja bëhet nga përfaqësuesi ligjor i degës apo zyrës së përfaqësimit, nga përfaqësuesi ligjor i shoqërisë së huaj apo nga çdo person i autorizuar nga njëri prej personave të përmendur më sipër.

    5. Aplikimi për regjistrimin fillestar e regjistrimet e tjera të shoqërive dhe unioneve të kursim-kredive bëhet nga kryetari i bordit drejtues apo nga çdo person i autorizuar prej tij.

    6. Aplikimi për regjistrimin fillestar dhe regjistrimet e tjera të shoqërive të ndihmës e bashkëpunimit të ndërsjellë bëhet nga kryetari i këshillit administrativ ose nga çdo person i autorizuar prej tij.

    7. Për subjektet e tjera, që regjistrohen në regjistrin tregtar, sipas ligjeve të veçanta, aplikimi bëhet nga përfaqësuesit ligjorë, sipas përcaktimit të ligjeve përkatëse ose nga çdo person i autorizuar prej tyre.

    8. Janë të autorizuar të aplikojnë për regjistrim personat e tjerë, që u njihet kjo e drejtë me ligj të veçantë.

  • Neni 27 - Aplikimi dhe forma e dokumenteve shoqëruese
  • 1. Regjistrimi kryhet me dorëzimin e aplikimit përkatës, të cilit i bashkëngjiten dokumentet shoqëruese, që provojnë të dhënat që regjistrohen.

    2. Dokumentet shoqëruese duhet të dorëzohen në origjinal ose në kopje të njësuara me origjinalin dhe të jenë hartuar në formën e përcaktuar nga legjislacioni përkatës apo nga dispozitat e këtij ligji.

    3. Dokumentet shoqëruese nuk duhet të përmbajnë korrigjime ose fshirje të pavërtetuara, sipas dispozitave përkatëse ligjore dhe përmbajtja e tyre duhet të duket qartë, të jetë e lexueshme dhe të lejojë marrjen e imazhit elektronik të dokumentit.

    4. Dokumentet shoqëruese duhet të jenë në gjuhën shqipe. Së bashku me dokumentin shoqërues në shqip, aplikanti mund të depozitojë edhe përkthimin e vërtetuar në gjuhë të huaj. Aktet private dhe dokumentet zyrtare të juridiksioneve të huaja duhet të shoqërohen me përkthimin e vërtetuar në gjuhën shqipe dhe të legalizohen sipas ligjeve në fuqi dhe marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë.

    5. Në rast mospërputhjeje të dokumentit shoqërues në gjuhën shqipe me atë në gjuhë të huaj, ky i fundit nuk mund t’u kundrejtohet palëve të treta. Gjithsesi, palët e treta mund t’i kundrejtojnë subjektit të dhënat e përmbajtura në dokumentin në gjuhë të huaj, përveç rastit kur subjekti provon se i treti kishte dijeni për përmbajtjen e dokumentit në gjuhën shqipe.