Neni 36 - Të dhënat shtesë për shoqëritë anonime

Për regjistrimin fillestar të shoqërisë anonime, përveç sa parashikohet në nenin 32 të këtij ligji, janë të detyrueshme edhe këto të dhëna:

a) vlera e kapitalit themeltar të nënshkruar dhe pjesa e paguar;
b) numri dhe forma e aksioneve të nënshkruara;
c) vlera nominale e secilit aksion;
ç) numri i aksioneve të nënshkruara nga secili aksioner;
d) vlera dhe lloji i kontributit të secilit aksioner, si dhe pjesa e paguar prej secilit;
dh) kushtet e veçanta, që kufizojnë transferimin e aksioneve (nëse ka);
e) nëse ka kategori të ndryshme aksionesh, njoftohen të dhënat e shkronjave “c” e “dh” të këtij neni për secilën kategori aksionesh, si dhe të drejtat që lidhen me to;
ë) procedurat për konvertimin e formës së aksioneve, nëse parashikohet në statut;
f) vlera totale ose një parashikim i kostove të veçanta në ngarkim të shoqërisë për procedurat e themelimit;
g) përparësitë që u njihen personave, që kanë marrë pjesë në themelimin e shoqërisë apo në transaksione të veçanta, që lidhen me fillimin e veprimtarisë ekonomike (nëse ka);
gj) të dhënat e identifikimit të anëtarëve të këshillit mbikëqyrës dhe ekspertit kontabël të autorizuar, si dhe afati i emërimit të tyre;
h) numri i anëtarëve të organeve drejtuese;
i) procedurat e emërimit të anëtarëve të organeve drejtuese, nëse ndryshojnë nga parashikimet ligjore.

Shoqëritë anonime me ofertë publike, përpara regjistrimit fillestar, duhet të regjistrojnë edhe të dhënat e identifikimit të themeluesve, projektstatutin, si dhe të kryejnë njoftimet e mëpasshme, sipas dispozitave përkatëse ligjore.
Të dhënat e përcaktuara në shkronjat “d”, “dh”, “e”, “ë”, “f”, “g” dhe “i” të pikës 1 të këtij neni mund të njoftohen nëpërmjet referencës në aplikim të nenit përkatës të statutit ose aktit të themelimit apo të dokumenteve shoqëruese të depozituara.