strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU V - AKSESI PUBLIK DHE EKSTRAKTET

  • Neni 66 - Kërkimet në bazën e të dhënave
  • 1. Çdo e dhënë e regjistruar në regjistër, si dhe imazhi i plotë elektronik i çdo dokumenti shoqërues është lirisht i aksesueshëm për publikun në faqen zyrtare të internetit të QKR-së, përveç adresës së banimit të individëve që, në përputhje me këtë ligj, e kanë njoftuar këtë të dhënë.

    2. QKR-ja mundëson kryerjen e kërkimeve në bazën elektronike të të dhënave pranë çdo sporteli shërbimi.

  • Neni 67 - Ekstraktet e regjistrit
  • 1. Çdo person ka të drejtë të kërkojë lëshimin e ekstrakteve për një pjesë apo të gjitha të dhënat e regjistruara dhe kopje të vërtetuara të dokumenteve shoqëruese, të depozituara në regjistër, pranë çdo sporteli shërbimi të QKR-së.

    2. Ekstraktet mund të lëshohen për të dhëna të caktuara të subjekteve dhe/ose për historikun e veprimeve të kryera nga një subjekt.

    3. Të dhënat për adresën e banimit të individëve, sipas pikës 1 të nenit 66 të këtij ligji, janë të aksesueshme nga çdo person i interesuar, vetëm në bazë të një kërkese, ku shënohet identiteti i kërkuesit.

    4. Ministri, me propozimin e titullarit të QKR-së, miraton formatin e ekstrakteve dhe të kërkesës për lëshimin tyre.

  • Neni 68 - Vlera ligjore e ekstrakteve
  • 1. Ekstraktet dhe kopjet e dokumenteve shoqëruese, të lëshuara nga QKR-ja, kanë vlerën e kopjeve të vërtetuara të të dhënave të regjistruara apo të dokumenteve shoqëruese përkatëse.

    2. Ekstraktet dhe kopjet e akteve, të lëshuara në format elektronik, nëpërmjet aksesit online, në bazën e të dhënave të regjistrit, kanë vlerën ligjore, të përcaktuar në legjislacionin për dokumentet elektronike.

  • Neni 69 - Komunikimi elektronik me autoritete të tjera publike
  • QKR-ja, për të garantuar lehtësimin e procedurave të regjistrimit dhe ofrimin e shërbimeve të tjera shtesë, në favor të subjekteve të interesuara, në përputhje me legjislacionin në fuqi, bashkëpunon me autoritete të tjera publike dhe mundëson ndërlidhjen dhe shkëmbimin elektronik të të dhënave, të regjistruara në bazën e saj elektronike, me regjistra apo baza të dhënash elektronike të autoriteteve të tjera publike, si brenda, ashtu dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.