strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU VIII - DISPOZITA TRANZITORE DHE TË FUNDIT

  • Neni 75 - Procedurat e regjistrimit të subjekteve ekzistuese
  • 1. Regjistri i shoqërive tregtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, regjistri i personave fizikë tregtarë pranë gjykatave përkatëse të rretheve, regjistri i shoqërive dhe i unioneve të kursim-kreditit, regjistri i shoqërive të bashkëpunimit të ndërsjellë, së bashku me dokumentacionin shoqërues, transferohen në administrim të QKR-së në format material dhe elektronik brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

    2. Organet tatimore, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, i japin QKR-së të gjitha të dhënat, që ato kanë për subjektet e regjistruara në regjistrat e parashikuar në pikën 1 të këtij neni, për aq sa ato janë të domosdoshme për të shënuar numrin unik të identifikimit të subjektit.

    3. Të gjitha të dhënat e regjistrave dhe dokumentet shoqëruese, që transferohen pranë QKRsë, regjistrohen dhe publikohen, kryesisht, nga QKR-ja pa pagesë, sipas parashikimeve të këtij ligji.

    4. Të gjitha subjektet dhe regjistrimet përkatëse në këta regjistra vlerësohen automatikisht të riregjistruara në regjistrin tregtar, që nga data e regjistrimit të parë.

    5. Në qoftë se nga procesi i riregjistrimit evidentohen subjekte me emra të njëjtë ose të ngjashëm, QKR-ja publikon, në një seksion të veçantë të faqes zyrtare të internetit, një listë të plotë të këtyre subjekteve, duke saktësuar datat e regjistrimit të secilit në gjykatë.

    6. Subjektet, që janë regjistruar më parë në regjistrat e parashikuar në pikën 1 të këtij neni dhe nuk kanë kryer regjistrim tek organet tatimore, publikohen në një seksion të veçantë të faqes së internetit të QKR-së. Në rast se këto subjekte nuk njoftojnë fillimin e veprimtarisë tregtare brenda një afati prej 6 muajsh nga data e këtij publikimi, QKR-ja kryen kryesisht çregjistrimin e tyre nga regjistri.

    7. Subjektet që, megjithëse kanë kryer regjistrimin pranë organeve tatimore, kanë regjistrime të pasakta apo të paplota, publikohen në një seksion të veçantë të faqes së internetit të QKR-së, duke përcaktuar të dhënat e pasakta apo të paplota, si dhe veprimin që duhet të ndërmerret apo dokumentin shoqërues që duhet të depozitohet. Në rast se këto subjekte nuk njoftojnë, saktësojnë regjistrimet ose depozitojnë dokumentet shoqëruese përkatëse brenda një afati prej 6 muajsh nga data e këtij publikimi, kalohen kryesisht nga QKR-ja në statusin “pasiv”.

    8. Gjykatat përkatëse vazhdojnë të pranojnë kërkesa për kryerjen e veprimeve të regjistrimit deri në datën e fillimit të regjistrimeve nga QKR-ja, sipas afateve të parashikuara në pikën 2 të nenit 77 të këtij ligji. Aplikimet e regjistrimeve në proces dhe të papërfunduara në këtë datë kryhen nga gjykatat përkatëse, në përputhje me procedurën e zbatuar përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, përveç rastit kur aplikanti tërheq aplikimin dhe vendos ta paraqesë atë pranë QKR-së. Të gjitha regjistrimet e kryera dhe dokumentacioni shoqërues, i depozituar gjatë kësaj periudhe, i kalojnë menjëherë 95 QKR-së nga gjykata përkatëse.

    9. Ankimet ndaj regjistrimeve të kryera nga gjykatat deri në afatin e parashikuar në pikën 8 të këtij neni, shqyrtohen sipas procedurës së parashikuar nga ligji i mëparshëm.

    10. Ministri i Drejtësisë dhe ministri që mbulon çështjet e tregtisë ngarkohen të përcaktojnë me urdhër të përbashkët procedurën e transferimit pranë QKR-së të regjistrave të përcaktuar në pikën 1 të këtij neni.

    11. Në rastet e parashikuara në pikën 7 të këtij neni, subjekti hiqet nga statusi pasiv me njoftimin, saktësimin e regjistrimit ose me depozitimin e dokumenteve shoqëruese. Në këto raste nuk aplikohet sanksion administrativ.

    12. Subjektet që riregjistrohen, sipas këtij neni, pajisen nga QKR-ja me certifikata regjistrimi, në përputhje me dispozitat e nenit 62 të këtij ligji, në çastin kur aplikojnë për kryerjen e një veprimi në regjistër. Deri në këtë çast, certifikatat e regjistrimit pranë organeve tatimore janë të vlefshme.

  • Neni 76 - Aktet nënligjore në zbatim të ligjit
  • 1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave të miratojë procedurat e hollësishme të shqyrtimit, miratimit, pezullimit, refuzimit të aplikimit dhe publikimit për regjistrim fillestar, për regjistrimet e tjera dhe çregjistrimin e subjekteve, si dhe procedurën e hollësishme të ndreqjes së gabimeve në regjistrim, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

    2. Ngarkohet Këshilli i Ministrave të miratojë procedurat e hollësishme për deklarimin, trajtimin dhe shkëmbimin e të dhënave të detyrueshme, sipas legjislacionit tatimor të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, të punës dhe atij të statistikave, sipas nenit 59 të këtij ligji, si dhe të miratojë procedurën e lëshimit të numrit unik të identifikimit të subjektit.

    3. Ministri, me propozimin e titullarit të QKR-së, përcakton formën dhe përmbajtjen e dokumenteve që lëshohen nga QKR-ja dhe formatet e kthimit të përgjigjes për çdo veprim të kryer.

    4. Ngarkohet ministri të miratojë procedurat e hollësishme për mbrojtjen dhe sigurinë e bazës të së dhënave elektronike të regjistrit.

    5. Këshilli i Ministrave dhe ministrat e ngarkuar sipas këtij ligji për nxjerrjen e akteve nënligjore të plotësojnë këtë detyrim brenda një afati prej 2 muajsh nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

  • Neni 77 - Fillimi i efekteve
  • 1. Pjesët e këtij ligji, që përcaktojnë qëllimin, organizimin dhe funksionimin e QKR-së i shtrijnë efektet me hyrjen në fuqi të këtij ligji.

    2. QKR-ja fillon regjistrimin e subjekteve, në përputhje me këtë ligj, brenda 5 muajve nga hyrja në fuqi e tij, por jo më vonë se data 1.9.2007.

    3. Në çastin e fillimit të regjistrimit, QKR-ja do të ketë jo më pak se 29 sportele on-line në njësitë e qeverisjes vendore. Numri i sporteleve on-line do të dyfishohet, të paktën, deri më 1 korrik 2008.

    4. Dispozitat e këtij ligji, që i referohen komunikimit, aplikimit elektronik dhe legjislacionit për dokumentet elektronike, nuk zbatohen për sa kohë nuk është miratuar legjislacioni përkatës.

  • Neni 78 - Ndryshime dhe shfuqizime
  • 1. Në çdo ligj ose akt nënligjor në fuqi, ku përmendet emri gjykatë, për qëllime të regjistrimit të subjekteve të këtij ligji, do të zëvendësohet me QKR-ja.

    2. Ligji nr. 7667, datë 28.1.1993 “Për regjistrin tregtar dhe formalitetet, që duhen respektuar nga shoqëritë tregtare”, si dhe çdo dispozitë tjetër, që bie në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen.

  • Neni 79 - Hyrja në fuqi
  • Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

    Ligj nr.9723, datë 3.5.2007 shpallur me dekretin nr.5319, datë 21.5.2007 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu
    Botuar në Fletoren Zyrtare nr.60, faqe 1604

    Ligj nr.9916, datë 12.5.2008 shpallur me dekretin nr.5740, datë 26.5.2008 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi
    Botuar në Fletoren Zyrtare nr.76, faqe 3355