strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU III - MASAT NDËSHKUESE NDAJ PERSONAVE JURIDIKË

  • Neni 8 - Llojet e masave ndëshkuese ndaj personave juridikë
  • Ndaj personave juridikë, që kanë përgjegjësi për kryerjen e veprës penale, jepen këto masa ndëshkuese:

    a) dënime kryesore;
    b) dënime plotësuese.

  • Neni 9 - Dënimet kryesore
  • 1. Ndaj personave juridikë, që kanë përgjegjësi për kryerjen e veprës penale, jepen këto dënime kryesore:
    a) gjobë;
    b) mbarim i personit juridik.

    2. Dënimi kryesor, i përcaktuar në pikën 1 të këtij neni, nuk zbatohet për njësitë e qeverisjes vendore, për personat juridikë publikë dhe për partitë politike e sindikatat.

  • Neni 10 - Dënimet plotësuese
  • 1. Ndaj personave juridikë, që kanë përgjegjësi për kryerjen e veprës penale, bashkë me dënimin kryesor mund të jepen edhe një ose disa nga këto dënime plotësuese:
    a) mbyllja e një ose më shumë veprimtarive apo strukturave të personit juridik;
    b) vendosja e personit juridik në administrim të kontrolluar;
    c) ndalimi për të marrë pjesë në procedurat e prokurimit të fondeve publike;
    ç) heqja e së drejtës së marrjes ose përdorimit të licencave, autorizimeve, koncesioneve ose subvencioneve;
    d) ndalimi për të kërkuar publikisht fonde dhe burime financiare;
    dh) heqja e së drejtës së ushtrimit të një apo më shumë veprimtarive ose operacioneve;
    e) detyrimi për publikimin e vendimit gjyqësor.

    2. Dënimet plotësuese, të parashikuara në shkronjat “a”, “b”, “d” dhe “dh” të pikës 1 të këtij neni, nuk zbatohen për njësitë e qeverisjes vendore, personat juridikë publikë, partitë politike dhe sindikatat.

    3. Dënimet plotësuese ekzekutohen së bashku me dënimin kryesor.

    4. Gjykata, sipas kushteve të përcaktuara në nenin 36 të Kodit Penal, vendos, në çdo rast, konfiskimin e mjeteve të kryerjes së veprës penale dhe të produkteve të veprës penale.

  • Neni 11 - Dënimi me gjobë
  • 1. Dënimi me gjobë, në kuptim të nenit 9 të këtij ligji, konsiston në pagimin, në favor të shtetit, të një shume të hollash, brenda kufijve të parashikuar në këtë ligj.

    2. Shlyerja e dënimit me gjobë bëhet nga pasuritë e personit juridik të dënuar, sipas mënyrës dhe afateve që caktohen nga gjykata.

    3. Në rast pamundësie apo pengese në shlyerjen e dënimit me gjobë, gjykata, me kërkesë të prokurorit, vendos ekzekutimin e detyrueshëm të vendimit të dënimit. Nëse personi juridik nuk disponon fonde dhe pasuri për shlyerjen e dënimit me gjobë, gjykata mund ta zëvendësojë atë me dënimin kryesor, mbarimin e personit juridik.

    4. Në varësi të llojit të veprës penale zbatohen dënimet me gjobë, si më poshtë:
    a) për krimet që, sipas Kodit Penal, parashikohet një dënim, minimumi, jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet burgim ose burgim i përjetshëm, personi juridik dënohet me gjobë nga 25 milionë lekë deri në 50 milionë lekë;
    b) për krime që, sipas Kodit Penal, parashikohet një dënim, minimumi, jo më pak se shtatë vjet deri në pesëmbëdhjetë vjet burgim, personi juridik dënohet me gjobë nga 5 milionë lekë deri në 25 milionë lekë;
    c) për krime që, sipas Kodit Penal, parashikohet një dënim, maksimumi, më pak se shtatë vjet, personi juridik dënohet me gjobë nga 500 mijë lekë deri në 5 milionë lekë.

    5. Në rastin e përgjegjësisë së personit juridik për kryerjen e një kundërvajtjeje penale, personi juridik dënohet me gjobë nga 300 mijë lekë deri në 1 milion lekë.

  • Neni 12 - Mbarimi i personit juridik
  • 1. Mbarimi i personit juridik, për shkak të përgjegjësisë për kryerjen e veprës penale, jepet kur ekziston njëra nga shkaqet e mëposhtme:
    a) është themeluar me qëllim kryerjen e veprës penale;
    b) ka përdorur në një masë të rëndësishme fushën e veprimtarisë së tij për t’i shërbyer kryerjes së veprës penale;
    c) kanë ardhur pasoja të rënda nga kryerja e veprës penale.

    2. Mbarimi i personit juridik, për shkak të përgjegjësisë për kryerjen e veprës penale, mund të jepet edhe në rastet e kryerjes së veprës penale më shumë se një herë dhe për rrethana të tjera rënduese, sipas Kodit Penal dhe dispozitave të tjera penale.

    3. Vendimi për mbarimin e personit juridik realizohet nëpërmjet procedurave për likuidimin e detyruar të tij nga organet kompetente, sipas ligjit. Pjesa e të ardhurave dhe e pasurive që, në përfundim të procedurës së likuidimit të detyruar të personit juridik, rezultojnë të jenë mjete apo produkte të veprës penale konfiskohen.

  • Neni 13 - Mbyllja e një ose më shumë veprimtarive apo strukturave të personit juridik
  • 1. Mbyllja përgjithmonë e një ose më shumë veprimtarive apo strukturave të personit juridik jepet, kur ato janë përdorur në kryerjen e një krimi, që ka sjellë pasoja të rënda dhe çmohet se mbajtja e tyre nuk pajtohet me natyrën e veprës penale të kryer.

    2. Mbyllja e një ose më shumë veprimtarive apo strukturave të personit juridik mund të jepet për një kohë nga një deri në pesë vjet.

  • Neni 14 - Vendosja e personit juridik në administrim të kontrolluar
  • 1. Vendosja e personit juridik në administrim të kontrolluar jepet për një kohë nga një deri në pesë vjet, kur çmohet se një masë e tillë ka efekt parandalues ose pajtohet me natyrën e veprës së kryer.

    2. Përveç sa parashikohet në pikën 1 të këtij neni, vendosja e personit juridik në administrim të kontrolluar mund të jepet nëse:
    a) personi juridik ofron shërbime dhe kryen veprimtari në interes publik;
    b) për shkak të rrethanave ekonomike dhe shoqërore, që lidhen me llojin, përmasat dhe vendin ku zhvillohet veprimtaria e personit juridik, çmohet se zbatimi i dënimeve të parashikuara në nenet 12 e 13 të këtij ligji sjell pasoja të rënda në punësim, në zhvillimin ekonomik e shoqëror dhe në mbrojtjen e mjedisit.

    3. Me vendosjen e personit juridik në administrim të kontrolluar, gjykata përcakton administratorin apo administratorët, detyrat dhe kompetencat e të cilëve lidhen vetëm me ato fusha të veprimtarisë, që janë themeluar ose përdorur për kryerjen e veprave penale.

    4. Brenda kompetencave të përcaktuara nga gjykata, administratori kujdeset edhe për zbatimin dhe përmbushjen me sukses të modeleve të organizimit dhe kontrollit efektiv për parandalimin e veprës penale.

    5. Administratorët, të paktën një herë në katër muaj, i paraqesin gjykatës një informacion të hollësishëm, me shkrim, për mënyrën e përmbushjes së detyrave dhe të kompetencave të tyre. Një kopje e informacionit i dërgohet edhe prokurorit.

    6. Gjykata, me kërkesën e personave të interesuar apo të prokurorit, pas shqyrtimit të informacionit dhe shpjegimeve të administratorit, mund të vendosë heqjen e masës së administrimit të kontrolluar ose zëvendësimin e tij me një dënim të ri, kryesor ose plotësues.

  • Neni 15 - Ndalimi për të marrë pjesë në procedurat e prokurimit të fondeve publike
  • 1. Ndalimi për të përfituar ose për të marrë pjesë drejtpërdrejt ose jo në transaksione dhe shpërndarje të fondeve publike, në marrëdhënie kontraktore dhe procedura të prokurimit të fondeve publike me institucione shtetërore, qendrore apo vendore, persona të tjerë juridikë publikë ose të kontrolluar nga ata, jepet për një kohë nga një deri në pesë vjet, kur çmohet se ka efekt parandalues ose pajtohet me natyrën e veprës së kryer.

    2. Në rastin e përgjegjësisë për kryerjen e një krimi të parashikuar në shkronjat “a” dhe “b” të pikës 4 të nenit 11 të këtij ligji, dënimi jepet për një afat jo më pak se katër vjet dhe, kur kanë ardhur pasoja të rënda, gjykata mund të vendosë ndalimin e përhershëm.

  • Neni 16 - Heqja e së drejtës së marrjes ose e përdorimit të licencave, autorizimeve, koncesioneve ose subvencioneve
  • 1. Heqja e së drejtës së marrjes ose e përdorimit të licencave, autorizimeve, koncesioneve dhe subvencioneve nga institucione shtetërore, qendrore apo vendore, persona të tjerë juridikë publikë ose të kontrolluar nga ata, jepet për një kohë nga një deri në pesë vjet, kur çmohet se ka efekt parandalues ose pajtohet me natyrën e veprës së kryer.

    2. Në rastin e përgjegjësisë për kryerjen e një krimi të parashikuar në shkronjat “a” dhe “b” të pikës 4 të nenit 11 të këtij ligji, dënimi jepet për një afat jo më pak se tre vjet dhe, kur kanë ardhur pasoja të rënda, gjykata mund të vendosë që kjo e drejtë të mos ushtrohet përgjithmonë.

  • Neni 17 - Ndalimi për të kërkuar publikisht fonde dhe për të reklamuar veprimtarinë
  • 1. Ndalimi i personit juridik për të kërkuar publikisht fonde, burime financiare dhe garanci, për t’iu drejtuar për këtë qëllim bankave, institucioneve financiare dhe tregut të kapitaleve, ose për të reklamuar veprimtaritë e tij, jepet nga gjykata për një kohë nga një deri në tre vjet, kur çmohet se ka efekt parandalues ose pajtohet me natyrën e veprës së kryer.

    2. Në rastin e përgjegjësisë për kryerjen e një krimi të parashikuar në shkronjat “a” dhe “b” të pikës 4 të nenit 11 të këtij ligji, dënimi jepet për një afat jo më pak se dy vjet.

  • Neni 18 - Ndalimi i ushtrimit të një apo më shumë veprimtarive
  • 1. Ndalimi i ushtrimit drejtpërdrejt ose jo të një ose më shumë veprimtarive jepet nga gjykata për një kohё nga një deri në katër vjet, kur gjatë ushtrimit apo për shkak të këtyre veprimtarive është kryer vepra penale, ose kur çmohet se personi juridik i ka shpërdoruar ato.

    2. Në rastin e përgjegjësisë për kryerjen e një krimi të parashikuar në shkronjat “a” dhe “b” të pikës 4 të nenit 11 të këtij ligji, dënimi jepet për një afat jo më pak se tre vjet.

  • Neni 19 - Detyrimi për publikimin e vendimit gjyqësor
  • 1. Publikimi i vendimit gjyqësor ose i njoftimit rreth përmbajtjes së tij, nëpërmjet shtypit të shkruar, llojeve të tjera të organeve të informimit publik, shpalljeve në vende të caktuara dhe mënyrave të tjera të informimit urdhërohet nga gjykata, kur çmohet se njohja e tij publikisht ka interes për personat fizikë dhe juridikë.

    2. Publikimi i pjesshëm ose tërësor i vendimit gjyqësor, mënyrat, organet e shtypit, ditët dhe kohëzgjatja e publikimit caktohen nga gjykata. Shpenzimet e publikimit të vendimit gjyqësor janë në ngarkim të personit juridik të dёnuar.

    3. Organet e shtypit dhe të radiotelevizionit janë të detyruara të bëjnë publikimin e vendimit gjyqësor të dërguar nga gjykata.

    4. Publikimi i vendimit gjyqësor nuk bëhet kur cenohet jeta private e viktimave të veprës penale dhe e personave të tjerë, përveç rasteve kur ata japin pëlqimin, kur preket morali shoqëror ose kur rrezikohet përhapja e sekretit shtetëror.